“Ministrat nuk vijnë në punë”/ Debate tek “Ekonomia” për Agjencinë e Bashkëqeverisjes, opozita: Po krijohet për të strehuar patronazhistët! Shehi: Ky është si Komiteti i Partisë që vëzhgonte ekzekutivin








Komisioni i Ekonomisë u përfshi nga debatet, përplasjet, por edhe batutat, kur deputetët po diskutonin mbi projektligjin për Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Opozita ngriti shqetësimin se kjo agjenci po krijohet për të “strehuar” në çdo institucion një patronazhist, i cili do të ndikojë te krerët dhe punonjësit e tyre të marrin vendime të cilat janë në shkelje të ligjit.

Ndërsa e cilësoi në kundërshtim me Kushtetutën, kreu i Grupit të PD-së, Alfred Rushaj, u shpreh se krijimi i kësaj agjencie është tërësish politik dhe në funksion të zgjedhjeve. Akuzat dhe kritikat e opozitës u kundërshtuan nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila tha se kjo agjenci nuk do të ketë të njëjtin funksion si patronazhistët.

Sipas Manastirliut, në kohë zgjedhjesh patjetër partitë kanë një listë patronazhimi, kush i voton, kush nuk i voton, se ndryshe janë magazinë pa inventar që nuk i fitojnë kurrë zgjedhjet, ndërsa theksoi se një të tillë shpreson ta ketë edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Por kjo deklaratë e ministres nuk u prit mirë as nga deputeti i maxhorancës Erion Braçe. Ish-zv.kryeministri doli kundër saj, duke u shprehur se kjo agjenci nuk ka asnjë lidhje me patronazhimin, ndërsa hodhi kritika të forta për punën që ka bërë deri tani administrata, e cila sipas tij, nuk ka funksionuar.

Deputeti i PD-së Dashamir Shehi e krahasoi Agjencinë me Komitetin e Partisë së Punës që vëzhgonte Komitetin Ekzekutiv në kohën e diktaturës, gjë e cila u mbështet edhe nga deputeti Spaho.

DEBATI NË KOMISIONIN E EKONOMISË

Jorida Tabaku: Për mua po krijohet një kakofoni institucionesh të pakoordinuara, pasi rasti ynë ka treguar që sa më shumë i shtoni institucionet, korrupsioni rritet, pasi në fakt përpjekjet janë të dështuara. Gjykoj që krijimi i kësaj agjencie dhe dhënia e këtij ligji nuk është një mjet shtesë, por e shton burokracinë. Përqendrimi i të gjitha këtyre funksioneve që u takojnë të gjitha ministrive të linjës, sipas fushës dhe sektorit të vet në nivelin e Kryeministrit. Më mirë i i mbyllim fare të gjitha ministritë dhe hapim çdo gjë poshtë zyrës së kryeministrit dhe besoj që pastaj i keni më të përqendruara dhe decentralizuara përgjegjësitë.

Elisa Spiropali: Nuk ka burokratizim të shtuar apo nivele të ndryshme kontrolli. Këto janë të harmonizuara siç parashikohen në projektligj, sepse janë një mundësi që ka titullari i institucionit për të marrë sinjalizime nga ankesat e qytetarëve përmes agjencisë dhe për të vepruar në bazë të ligjit. Nuk ia heq askush të drejtën as institucionit, as organit epror për marrjen e masës.

Erion Braçe: Nuk ka mjaftuar ajo agjenci që ishte atje. E dini sepse nuk ka mjaftuar?! Sepse fillon këtu (e vendos gishtin në kokë). Tani se nuk nxjerr dhe ndonjë sekret të madh, sa herë kemi vajtur ne në ministri dhe nuk kemi gjetur ministrat në punë. Kemi shkuar për të kontrolluar marrjen e përgjigjes institucion me institucion dhe vendosëm tabela për të kontrolluar fluksin e ankesave dhe përgjigjet që jepeshin. Thelbi nuk është funksionimi i kësaj agjencie, është thelbi i funksionimit të institucioneve. Që të jemi të qartë! Nëse nuk bëjnë dot institucionet të funksionojnë, të hapin krahun që të gjithë. Nëse ka agjenci që nuk i përgjigjet qytetarit për një mijë e një arsye dhe ku një prej arsyeve është korrupsioni, në hipoteka, në tatime, në inspektime, të hapin krahun të largohen. Ligji për nëpunësin civil e ka të përcaktuar qartë, por mungon vullneti për të larguar atë që nuk u shërben qytetarëve dhe e bën institucionin të dështojë.

Dashamir Shehi: Unë gjykoj se kjo që po bëni ju është e panevojshme. Kush ka punuar brenda administratës shtetërore e kupton se çdo të thotë brenda administratës një institucion që ruan këtë drejtorin këtu. Shteti shqiptar ndoshta është si një makinë e vjetër dhe ndoshta që nuk funksionon në rregull, por që i ka të gjitha pjesët, rrotat, timonin. Ça doni ju? Me i shtu një gomë mbi këto të katërta. Nuk ka nevojë absolutisht, asnjë lloj nevoje për këtë. Shteti shqiptar i ka të gjitha, ka Kryeministër, ka Parlament, ka ministri. Kemi Kontrollin e Lartë të Shtetit, kemi prokurori, çdo ministri ka linjë të vetën kontrolli. Pse do të fusim një mekanizëm që është një sajesë dhe nuk ekziston në asnjë vend të botës?! Ky është përqendrimi në një dorë.

Ne vijmë këtu nga një eksperiencë monopartiake e vjetër, këto janë elemente të asaj kohe. Ç’është kjo? Kjo është Komiteti i Partisë që vëzhgonte Komitetin Ekzekutiv. Komiteti Ekzekutiv ishte për të punuar, kurse Komiteti i Partisë ishte për ta kontrolluar nga sipër, e ke bërë mirë, s’e ke bërë mirë. Kryeministri i ka në dorë të gjitha mundësitë për të kontrolluar. Do ta zgjerojë dhe ta specializojë, të zgjerojë këtë agjenci që ka dhe nuk kemi nevojë jo të krijojmë me ligj agjenci mbi agjenci. A e di çfarë do të ndodhë? Do të korruptohen këto. Ai nëpunësi aty poshtë që edhe ndoshta ka thyer ligjin, për ta mbyllur do ta delegojë te këto. Kështu do të ndodhë vazhdimisht, kështu janë historitë në administratën publike shqiptare.

Po vendose një grup të kontrollojë një grup tjetër, nuk ndodh pastrimi, ndodh e kundërta. Kjo agjenci nuk do bëjë asgjë tjetër vetëm sa do t’i shtojë linjën zinxhirit të korrupsionit. Kush nuk bën detyrën, të ndëshkohet sipas ligjit. Mua më intereson shteti shqiptar, se administrata publike po denatyralizohet. Po ma dëgjuat këtë këshillë, bëni mirë për vetën tuaj se kë po ruani ju? Tuajt po ruani?! Ato që keni vendosur vetë. Meqenëse këtu administrata është 90 për qind parti, ju po çoni ca punonjës partie të ruajnë disa punëtorë të tjerë partie.

Eduard Shalsi: Gjatë dy viteve si koordinator biznesi kam aq shumë për të thënë për defektet e institucioneve dhe për administratën, të cilën e ka shkatërruar politika për hir të vërtetës me ndërhyrjet, në të shumtën e rasteve pa kritere dhe duhet të bëhet një debat shumë i madh se si mund ta ndryshojmë këtë. Deputetët kanë qenë dhe vazhdojnë për të imponuar emërime në administratë.

Alfred Rushaj: Ky projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën. Këtu fajin nuk e kanë qytetarët që nuk janë të edukuar, por mënyra se si funksionon administrata shtetërore dhe nëpunësit civilë. Një nisëm e tillë nuk bën gjë tjetër veçse minon atë pak besim tek institucionet që duhet të kryejnë këto funksione. Besoj që mund të ketë punonjës në administratë që nuk e kanë dhënë firmën për diçka edhe pse është telefonuar. Tani përmes këtij koordinatori ju do t’u bëni presion ta bëjë. Ju po mundoheni t’i jepni dikujt me këtë projektligj disa kompetenca që nuk i takojnë. Unë besoj që ky akt është tërësisht politik dhe në funksion të zgjedhjeve.

Arbi Agalliu: Projektligji mua më duket si një mënyrë për të strehuar ata që ne rëndom e kemi quajtur “patronazhistë”. Sepse administratës publike, me gjithë problematikat dhe korrupsionin që ka pasur në këto 30 vite, nuk mund t’i ushtohet presion në një formë të tillë dhe ne duhet të shkojmë nga ndëshkimi tek edukimi. Dhe tani ne duhet të shkojmë te një individ që përkthehet si syri dhe veshi i Kryeministrit në atë institucion për të bërë s’dua të përdor termin “spiunllëk”, por për të raportuar.

Elisa Spiropali: Institucioni dhe zyrat me marrëdhënien me publikun krijojnë databazën. U ngrit këtu çështja e konfidencialitetit të të dhënave. Po ç’lidhje ka një sistem partie që duhet ta kishit dhe ju dhe shpresoj që zoti Basha të ketë menduar për këtë si udhëheqës partie që është. Në kohë zgjedhjesh patjetër partitë kanë një listë patronazhimi, kush i voton, kush nuk i voton, se ndryshe janë magazinë pa inventar që nuk i fitojnë kurrë zgjedhjet. Ky ligj respekton parimin e konfidencialitetit dhe është vetëm një menaxhues të dhënash që bëhet sipas ligjit.

Erion Braçe: Nuk ka lidhje krijimi i agjencisë me patronazhistët. Unë kam në këtë parti 29 vite dhe struktura e patronazhimit në PS ka qenë permanente, nga mëngjesi deri në darkë. Organizatat e partisë janë të tilla që nuk i përgjigjen numrit të votuesve për çdo qendër votimi dhe s’është ndonjë sekret organizativ. Numri i votuesve përthyhet për numrin e anëtarëve të PS-së që bëjnë punë politike, punë partie dhe do ta bëjnë këtë gjë. Do vazhdojnë ta bëjnë, të thotë çfarë të dojë e cilido, por do të vazhdojnë ta bëjnë. Por me këtë strukturë nuk kanë lidhje fare.

Edmond Spaho: Jo! Ata ta bëjnë punën e partisë, por të ikin nga administrata publike. Mos e ngatërro administratën me punët e partisë. Si nuk paska punë. Ta përdorësh të gjithë administratën publike në zgjedhje e s’paska punë?!

Erion Braçe: Të shkruhet në ligj. Të lutem më lër të mbaroj!

Edmond Spaho: Si të shkruhet në ligj? Administrata publike ishte gjatë gjithë kohës me punë politike.

Erion Braçe: Do ta them troç. Nga analiza që unë bëj, ju them se më shumë se gjysma e administratës publike në nivel qendror dhe vendor s’ka votuar fare për Partinë Socialiste. Patronazhimi nuk ka lidhje fare me agjencinë. Atje ka 50 veta që “tarzani” po të jenë nuk bëhen dot patronazhistë për të gjithë territorin e vendit.

Edmond Spaho: Kjo agjenci i ngjan Komitetit të Partisë në dimensione më të vogla. Këta koordinatorët janë veçse ishinstruktorët e Komitetit të Partisë, ca xhahila, njerëz të korruptuar që shkonin dhe kontrollonin territorin, e kishin të ndarë.

Elisa Spiropali: Këta që do punojnë nuk janë xhahila.

Edmond Spaho: Xhahila kanë qenë.

Elisa Spiropali: Ata (i referohet Komitetit të Partisë)…

Edmond Spaho: Ata të Komitetit të Partisë, për këta po them xhahila. Po e merrni modelin e tyre dhe po e transplantoni në koordinator. Kështu do të bëhen edhe këta koordinatorët. Është pa kuptim që të ngremë administratë për të kontrolluar administratën. Edhe në kohën e komunizmit që të hyje në ministri, duhej të kishe 5 vjet punë, sot i marrin sa kanë mbaruar shkollat dhe i bëjnë drejtorë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *