Ministrja Baerbock i siguron Ukrainës solidaritetin gjerman

ministrja baerbock i siguron ukraines solidaritetin gjerman
ministrja baerbock i siguron ukraines solidaritetin gjerman

11:00 08/02/2022

Gjermania do të bëjë ç’është e mundur, që të mos arrihet në një përshkallëzim të mëtejshëm me Rusinë, premtoi në Kiev ministrja e Jashtme e Gjermanisë. Sipas saj ndërkohë është në rrezik jo më pak se paqja në Europë.

Gjatë një vizite në Kiev ministrja e Jashtme e Gjermanisë, në sfondin e refuzimit të Gjermanisë për furnizime me armë në Ukrainë, u përpoq të shmangë dyshimet lidhur me solidaritetin e Gjermanisë. „Ne do të bëjmë gjithçka, që të mos arrihet në një përshkallëzim të mëtejshëm”, premtoi politikania ekologjiste.

Gjermania „pa asnjë mëdyshje është për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Ndërkohë është në rrezik jo më pak se paqja në Europë. Në këtë situatë të rrezikshme forca jonë më e madhe është uniteti ynë”, theksoi Baerbock. Solidariteti i Gjermanisë i kushtohet Ukrainës si shtet dhe në radhë të parë njerëzve në Ukrainë. “Ju mund të llogarisni me ne”, siguroi Baerbock.

Janë përgatitur “skenarë të ndryshëm”

Në rast të një përshkallëzimi të konfliktit të Ukrainës, Gjermania me partnerët e saj ka përgatitur „skenarë të ndryshëm”. Gjermania investon p.sh. në projekte konkrete në Ukrainë, “në mënyrë që gjendja ekonomike të mos përkeqësohet”. Gjithashtu Gjermania jep ndihmë në fushën e sigurisë kibernetike, për të parandaluar një „destabilizim nga brenda”.

Më tej ministrja Baerbock nënvizoi, se „sot jemi në vitin 2022 dhe një sulm nuk mund të jetë i organizuar vetëm ushtarakisht, por dyshimi është që edhe një sulm kibernetik, ndërprerja e rrjeteve të furnizimit, ndërprerja e eksporteve energjetike, mund të dëmtojnë shumë më keq se sa tanket në kufi”.

Në rast të sanksioneve ndaj Rusisë, Gjermania është e gatshme të paguajë një çmim të lartë ekonomik, tha Baerbock duke iu referuar faktit që Gjermania është vendi perendimor i lidhur më ngushtë ekonomikisht me Rusinë.

Homologu i saj ukrainas, Dmytro Kuleba, falenderoi për solidaritetin duke u shprehur në mënyrë diplomatike lidhur me temën e diskutueshme të furnizimeve me armë. Lidhur me këtë çështje siç dihet kemi pikëpamje të ndryshme, tha ai. “Sot ne kemi gjetur pika takimi dhe presim një vendim të qeverisë gjermane.” Ai tha se janë të një mendimi me Baerbock, që mund të ketë vetëm një zgjidhje politike të krizës.

Javën e kaluar Ukraina i dorëzoi qeverisë Gjermane kërkesën me një listë me armët e dëshiruara. Kancelari Olaf Scholz theksoi megjithatë Jo-në gjermane. Sfondi i kësaj kërkese ka të bëjë me njoftimet për marshimin e dhjetra mijëra ushtarëve rusë në afërsi të Ukrainës si dhe shqetësimin për një ndërhyrje të Rusisë në vendin fqinj.

Në fillim të qëndrimit në Ukrainë ministrja Baerbock vizitoi memorialin Holodomor në Kiev. Ky memorial kujton viktimat e urisë së madhe (ukrainisht: “Holodomor”) në vitet 1932 dhe 1933, nxitur sistematikisht nga diktatori sovjetik Josip Stalin, i cili përmes urisë donte të thyente rezistencën e ukrainasve. Asokohe humbën jetën disa milionë njerëz.

Një takim i planifikuar fillimisht i Baerbock me presidentin ukrainas Volodymyr Selenskyj nuk u realizua. Si arsye u përmendën problemet me përcaktimin e orarit. Të martën (08.02) Baerbock do të vizitojë të ashtuquajturën linjë kontakti, që ndan territoret nën kontrollin e Ukrainës nga rajonet separatiste pro-ruse./DW

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts