
15:04 17/03/2022
Pas deklaratës së Biden shtohen zërat që e cilësojnë të tillë presidentin rus pas agresionit në Ukrainë
Pas Kreut të Shtëpisë së Bardhë Joe Biden dhe ministrja e Jashtme britanike Lizz Truss e ka cilësuar presidentin rus Vladimir Putin një kriminel lufte.
“Ka prova mjaft të forta se krimet e luftës janë kryer dhe se Vladimir Putin qëndron pas tyre“, shprehet ajo. “Përfundimisht kjo është një çështje që i përket Gjykatës Ndërkombëtare Penale të vendosë se kush është dhe kush nuk është kriminel lufte por gjëja më e mirë që mund të bëjmë në këto momente është të sjellim prova për këtë”, ka vijuar më tej ajo.
Edhe ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov u bëri thirrje ligjvënësve të Bashkimit Europian ta njohin presidentin rus Vladimir Putin si kriminel lufte pasi Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën. Thirrjeve për ta quajtur Putin ‘kriminel lufte‘ i është bashkuar edhe zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Przydacz, ku nënvizoi se forcat ushtarake ruse po përdorin taktikat nga më brutale.
Më herët, Kremlini i ka konsideruar deklaratat e Bidenit për presidentin rus një “retorikë të papranueshme dhe të pafalshme”.
Klan News