Minxhozi bën thirrje për bashkëpunim ekonomik për të hequr kufirin mes Kosovës e Shqipërisë

KOSOVË

Kemi hequr shumë kufij mes nesh, por duhet edhe atë ekonomik që t’i tejkalojmë vështirësitë në aspektin zhvillimor, ka porositur ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, të martën në emisionin “Sot” në KTV.

Ai ka njoftuar se një mbledhje mes qeverive do të mbahet së shpejti, me fokus në raportet ekonomike. Sipas tij, Kosova e Shqipëria janë në një fazë për të përcaktuar në kohë më të qetë raportet mes tyre.

Ai ka kërkuar më shumë hapësira turistike në Kosovë.

“Pikat kryesore do të jenë me ekonomi, se si të ulim ‘barrierat’ që na ndajnë. Burokracitë më shumë në fushën doganore. Por edhe qarkullim të njerëzve. Viti i ardhshëm do të jetë diçka tjetër. Pritet të nënshkruhen tri marrëveshje, shtetas të Shqipërisë me leje pune në Kosovë mund të qëndrojnë pesë vjet e pas pesë vjetësh mund të qëndrojnë e të punojnë përgjithmonë. E njëjta vlen në Shqipëri. Sot shtetasit e Kosovës s’kanë nevojë të kërkojnë leje qëndrimi, por do të jetë për afat pesëvjeçar. Lejet e punës janë të lidhura me këtë proces. Pra të ketë relaksim të tregut të punës. Do të zgjojë iniciativa të reja të qytetarëve të të dy anëve për të minimizuar kufirin”, ka thënë ai.

Minxhozi ka thënë se ekonomia po ka përmirësim vit pas viti, por ka shtuar se bilanci prej 310 milionë eurosh qarkullim në vit, është i vogël në krahasim me mundësitë për zhvillim.

“Duhet të njohim entet prodhuese në Shqipëri e Kosovë që të kemi bashkëpunime më të mëdha, korporata e të tjera. Heqja e barrierave të lëvizjes do të krijonte një njohje më të madhe e mundësi më efikase për të përdorur territorin e gjerë”, ka thënë ai duke shtuar se mosdakordësi mes shteteve vazhdimisht do të ketë, por duke kërkuar që iniciativat, sidomos ato ekonomike, s’duhet të mungojnë.

“Duhet t’i shohim Shqipërinë e Kosovën si hapësirë të tërë të përbashkët sepse kufiri duhet të mos na pengojë për t’u zhvilluar për të ecur përpara. E kufiri real të zvogëlohet në maksimum nëse jemi proaktivë në projekte të përbashkëta e interesa të përbashkëta. Kemi hequr shumë kufij mes nesh. Jemi një komb, kemi një kulturë, një mentalitet, një muzikë. Bashkimin e kemi bërë, por duhet bërë atë tjetrin atë ekonomik, të vlerave tona të përbashkëta pa kufij në aspektin zhvillimor e t’i kalojmë vështirësitë”, ka thënë ai tutje.

Minxhozi ka refuzuar ta komentojë “Ballkanin e Hapur” duke thënë se pavarësisht dallimeve s’ka asnjë pengesë në raportet mes dy shteteve.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *