“Mjafton të shkruani në ‘Google’ emrin tim dhe aty do gjeni…”/ Rrëfim unik i Olsi Ramës për jetën në emigrim: Kam bërë shumë punë në jetë, por për qejf në Amerikë isha banakier dhe…






Olsi-Rama

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, pret dy fitore radhazi për t’u shpallur kampionë dhe në të njëjtën kohë, bën apel që Laçi dhe Teuta të luajnë sot njësoj siç bënë në përballjet kundër të kuqve.

Në një intervistë ekskluzive për moderatoren Enxhi Biba në televizionin “News 24”, Rama nuk kurseu ironitë për presidentin e Laçit, Pashk Laska, ndërsa përmendi edhe prokurorinë nëse ndodh diçka që lidhet me aleancat mes klubeve.

Ndërkohë, drejtori i kuq komplimenton Vllazninë për bukurinë që i ka dhënë kampionatit.

Partizani e ka tashmë në dorë fitimin e titullit, kur mbeten vetëm dy javë për t’u luajtur. E kishit menduar këtë në fillim të kampionatit?

Kjo është pak relative, sepse nuk do kisha menduar këtë lloj gare nëse më pyesnit në fillim të kampionatit. Pritshmëria ime ishte që t’u merrnim maksimumin kontingjentit të lojtarëve dhe eksperiencës së trajnerit Daja. Gjatë kampionatit ka pasur edhe momente, sidomos në fazën e fundit, ku prisja që mund të ishim të shkëputur. Gjithsesi, jam i kënaqur ku gjendemi dhe për këtë kampionat që kemi bërë. Gara është më tërheqëse dhe kemi të bëjmë me një rivalitet të veçantë.

Pse e kishit të vështirë ta vendosnit titullin si objektiv në fillim?

Ne nuk e vendosëm objektiv titullin, pasi kur morëm Dajën trajner, nuk e dinim që merkato ishte bllokuar. Më pas vendosëm objektiva të tjerë, pra të fillonim të ndërtonim një ekip me fizionomi të qartë loje dhe të kishte harmoni grupi. Prisnim të kishim një rendiment sa më të lartë. Pastaj, bllokimi i merkatos ishte një vështirësi e madhe. Megjithatë, qëllimi ishte ndërtimi i një ekipi që do të krijonte edhe për të ardhmen një bazë të qëndrueshme dhe stabilitet në metodat e punës.

Partizani mori një fitore të bujshme në Durrës përballë Teutës, që iu riktheu në krye…

Me Teutën ishte një sfidë që ishte përgatitur vetëm për t’u fituar. Opsioni i vetëm ishte që të dilnim me tri pikë nga Durrësi. Po luanim ndaj një ekipi që ishte me meritë aty ku ishte dhe që ka treguar vlera gjatë gjithë kampionatit, duke pasur mbrojtjen më të mirë dhe lojtarë cilësorë si Bregu, Lorenco Vila dhe Arapi. Teuta është dinjitoze, por jemi shumë të kënaqur që ia arritëm qëllimit në Durrës.

Nuk munguan as akuzat, pasi gjyqtari Ferataj në raportin e tij ka thënë se e keni ofenduar…

(qesh) Në fakt, kam marrë edhe një paralajmërim nga Disiplina dhe tani duhet të jem i kujdesshëm. Unë jam gjithmonë i kujdesshëm. Raportet e zyrtarëve të ndeshjes unë i kam kërkuar ndonjëherë dhe më thonë që nuk bëhen publike. Nuk e di se si e keni marrë informacionin që i ka shkruar këto arbitri, sepse edhe unë jam shumë kurioz të shikoj raportet e vëzhguesve dhe të gjyqtarëve për ndeshje të tjera ku Partizani ka luajtur. Nuk kam parë asnjë deri më tani. Nuk e dija që vëzhgues në këtë ndeshje me Teutën ishte i njëjti që ishte edhe në Laç, në një ndeshje që ka krijuar shumë polemika. Nëse në raportet e ndeshjes me Teutën flitet për ofendime, në raportet e takimit në Laç duhet të ishin me pamje filmike dëmtimet e pjesëtarëve të stafit të Partizanit. Nuk e di sa janë reflektuar, sepse gjoba e dhënë për Laçin ka qenë 1 milion lekë të vjetër. Mua më vjen shumë mirë që të ketë transparencë dhe vëzhguesit e arbitrat të japin tërësisht mendimin e tyre ashtu siç ndodh. Më vjen mirë që Disiplina të marrë masat që duhen, por dua të shikoj një unison veprimi, një metër që të jetë i njëjtë për të gjithë. Unë e pranoj paralajmërimin që më kanë dhënë, sepse normalisht nuk kam zgjidhje tjetër.

Si qëndron e vërteta me arbitrin?

Në pozitën që jam si drejtor i përgjithshëm i Partizanit, kam një detyrë, që është mbarëvajtja e ekipit dhe e garës. Për atë episod unë kam shkuar dhe u kam kërkuar gjyqtarëve, veçanërisht kryesorit, të mbajë lojën drejt. Vetëm drejtësi. Nëse do të kishte penallti, gol dhe çdo gjë tjetër reale, ta jepte pa frikën më të vogël kundër Partizanit. Por, të mos sajonte asnjë situatë që të ndërlikonte pastaj vijueshmërinë e garës.

Ka pasur një reagim nga presidenti i Laçit, i cili ka thënë se pse nuk ju bëri juve përshtypje deklarata e Safet Gjicit, që tha se Partizani e meriton titullin këtë sezon…

Me sa e pashë, i kishte kthyer vetë Safeti një përgjigje Laskës. Atij i takonte në fakt. Presidenti i Laçit nuk e di nëse më ka bërë apo jo mua përshtypje, por unë i kam dërguar një SMS zotit Gjici, duke i thënë: “Faleminderit për fjalët e mira”. Ndërsa ai më ka thënë kështu: “Nga sa kam parë, ju bëni lojën më të mirë dhe e meritoni”. Kjo është shenjë respekti ndaj kundërshtarit. Kukësi është rivali ynë i kahershëm, të paktën sa jam unë në drejtim të Partizanit ky ekip ka rivalizuar gjithmonë me ne. Në këtë rast kalon respekti në drejtim të Gjicit, i cili pranon se Partizani këtë vit ka treguar një supermaci. Fitorja me Kukësin, edhe pse me rezultat të thellë, ishte më se e merituar në fushë. E lidh këtë, pasi ka pasur edhe polemika të tjera nga klubi i Laçit, që e cilësoi si fitore piktorësh etj. Ua kam sqaruar edhe këtë pjesë, duke u thënë se nuk jam piktor dhe nuk e di se cilit element të arteve i referohej zoti Laska. Unë jam arkitekt në formim, por kam bërë shumë punë në jetë, madje edhe si kërkues shkencor. Kur dëgjova këtë, pyeta se çfarë ka bërë zoti Laska më parë, përveçse president klubi dhe një kompanie kabllore që ka në Laç. Në karrierën time ndaj diçka të përbashkët me të, pasi dikur kur isha emigrant në Amerikë, kam punuar për qejf banakier dhe kamerier në një lokal, por edhe menaxher restoranti. Puna është nder dhe e ndaj këtë pjesë me Laskën, edhe pse nuk kam punuar kuzhinier. Kjo ka qenë një periudhë e jetës time në Çikago për 8 muaj, pastaj karriera ime ka qenë kërkime shkencore. Mjafton që zotëria të shkojë në “Google”, të shkruajë emrin tim dhe aty do të gjejë punimet shkencore që kam bërë në revista dhe botime prestigjioze ndërkombëtare.

Çfarë prisni ju nga ndeshja Laçi-Teuta?

Unë nga kjo ndeshje pres që të dyja palët të luajnë siç luajnë kundër Partizanit. Nuk dyshoj që do të luajnë… Në parantezë po ju them se kam qenë i ftuar në studion e Gerti Çarçanit dhe më pyetën që Laska ka bërë një deklaratë. U thashë që dua ta dëgjoj vetë, sepse nuk merrem me SMS që ju dërgojnë. Nuk e marr mundimin të shprehem për një gjë që nuk e kam dëgjuar vetë, sepse më duket absurde dhe nuk e besoj. Por, nëse e ka thënë kështu dhe ndeshja del me atë rezultat që del, atëherë do të ishte objekt i një hetimi nga prokuroria, siç është një gjë normale. Pastaj, ju thashë që nuk e paska thënë këtë presidenti i Laçit dhe nuk mund të bazohemi në thashetheme.

A ka pasur aleanca këtë sezon në këndvështrimin tuaj, pasi edhe kapiteni i Vllaznisë, Gurishta, ka folur për këtë pjesë…

Gurishtën nuk e kam dëgjuar çfarë ka thënë. Unë mendoj se ky kampionat është më i luftuari, si te pjesa e sipërme, ashtu edhe poshtë. Nuk besoj që ka vend për aleanca. Ne si ekip për kampion, kemi humbur pikë me një skuadër që ka rënë nga kategoria tashmë si Apolonia. E njëjta gjë me Kastriotin në javën e parë dhe Skënderbeun më pas. Lufta ka qenë maksimale për të gjitha ekipet. Nuk besoj se ka pasur kombinime rezultatesh. Unë flas vetëm për ekipin tim, që gjithmonë luan me ndershmëri sportive. E ka bërë presidenti Demi dhe ata që kanë qenë para se të vija unë. Sa të jem unë, besoj edhe sa të jetë presidenti Demi, nuk do ketë vend për asnjë lloj aleance për ndershmërinë e garës. Pastaj, nëse ka zëra që mundohen të destabilizojnë ambientin, pasi kanë interesa dhe duan ta heqin vëmendjen nga gara, këto janë punë të tjera. Po ju siguroj, se unë nuk shqetësohem, pasi për veten time dëgjoj gjëra më të zeza dhe llumra shumë më tepër. Presidenti Demi dhe klubi i Partizanit nuk shqetësohet. Le të vazhdojnë t’u fryjnë mullinjve të erës, por rrota e mullirit nuk lëviz me frymë. Në këtë aspekt Partizani garanton pastërtinë e garës.

Ka pasur edhe akuza për mungesë “Fair Play” nga ana juaj për çështjen e tifozëve, por edhe arbitrave këtë sezon…

Partizani ka treguar “Fair Play” me vepra. Kur Murataj shënoi në momentin që lojtari i Kukësit u rrëzua, ne hapëm portën pa e siguruar rezultatin, duke rrezikuar jo pak. Unë besoj se kjo e nderon garën, por nuk e kam parë në vende të tjera, edhe pse pritshmëritë mund të jenë që mund të ndodhë ndonjëherë. Sa u përket tifozëve, ka pasur momente kur numrat e COVID-it ishin të lartë, kështu që prania e spektatorëve në stadium krijonte rrezik për jetën e njerëzve. Jam ankuar një herë për ndeshjen në Shkodër, e më pas në Laç, ku e patë vetë çfarë ndodhi, pasi ata që ishin në stadium, nuk ishin zyrtarë të klubit. Klubi duhet të dënohej shumë më tepër. Edhe me Skënderbeun ka qenë një tribunë plot. Të kuptohemi, jam pro tifozëve. Pas atyre të Partizanit, janë ata të Vllaznisë më të zjarrtë. Po të kisha mundësi, do ta hapja stadiumin që të vinin. Ju mund të mos e besoni, por unë më shumë kërkesa kam nga tifozë shkodranë për ndeshjen e sotme që më thonë aman si mund të futemi në stadium sesa nga tifozë të Partizanit. Tifozët e kuq e kanë gjetur në njëfarë mënyre paqen më kollaj. Ata shpresojnë shumë të fitojnë. Në Shkodër thanë pse ka pasur aq shumë në derbi. Po, ka pasur tifozë, por kanë qenë të balancuar, njësoj nga pjesa e Partizanit dhe po ashtu nga Tirana. Në Korçë kishte vetëm 16 pjesëtarë të Partizanit dhe një tribunë plot me vendës. Në momentin që nisën të ofendonin, aty u ankova, por nuk kërkova të zbrazej stadiumi. Kam thënë le ta shijojnë…

Sfida e radhës, ajo me Vllazninë. Nuk i keni mposhtur asnjëherë, i druheni?

As Teutën nuk e kishim mposhtur asnjëherë, por gjithmonë ka një herë të parë. E përgëzoj Vllazninë për çfarë ka bërë këtë kampionat, pasi ka kryesuar për një kohë të gjatë. Ka treguar edhe një futboll atraktiv, që në Shqipëri është e vështirë. Komplimente Brdariçit, komplimente lojtarëve që mbase edhe janë nënvlerësuar. Vllaznia është pasqyra që tregon se nëse njerëzit bashkohen, mund të bëhen shumë gjëra shumë të bukura. Ata kanë siguruar Europën, por kanë objektivat e tyre dhe besoj se do të jetë një ndeshje e bukur, ku do të luhet futboll i hapur. Shpresoj që në fund të gëzojmë ne.

Do ta vendosë kjo ndeshje titullin?

Jo, ka edhe një javë tjetër. Sido që të shkoj kjo javë, kampionati nuk është i mbyllur për arsye se në skenarin më të mirë për Partizanin, përsëri nuk e sigurojmë dot titullin, pasi duhet të jemi dy pikë përpara Teutës ose Laçit. Do të na duhej patjetër fitore në Ballsh. Nuk më interesojnë llogaritë, thjesht duam të fitojmë këto dy ndeshje dhe rivalët tanë të bëjnë çfarë të duan.

Fitimi i titullit kampion do ta ndihmonte Partizanin dhe për programimin e sezonit të ardhshëm, edhe me stadiumin e përfunduar?

Titulli kampion do të na ndihmonte shumë edhe në aspektin ekonomik, pasi është edhe pjesëmarrja në Champions që sjell të ardhura të konsiderueshme për klubin. Megjithatë, presidenti Demi nuk e ka bazuar asnjëherë strategjinë e Partizanit te këto lloj të ardhurash, edhe pse patjetër që ato ndihmojnë shumë. Do të ishte pa diskutim një ndihmesë, pasi kemi dhe kompleksin për të bërë, që normalisht kërkon dhe një sforco të madhe ekonomike. Kjo arritje do të na ndihmonte shumë edhe në programimin e sezonit të ardhshëm, që bëhet më i thjeshtë se më parë. Daja dhe stafi e dinë shumë mirë se çfarë do të bëjnë. Duke njohur vlerat e ekipit që kemi, si dhe duke e ditur se ku duhet të përforcohemi, do të fillojmë me diskursin e rinovimeve.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *