Mjekët ia lanë në dorë “fatit” jetën e Maradonës

18:29 01/05/2021

Del raporti për ekipin mjekësor që u kujdes për 60-vjeçarin para vdekjes

Ikona e futbollit argjentinas, Diego Maradona mori një kujdes mjekësor “të pamjaftueshëm dhe të pakujdesshëm” përpara vdekjes. Është ky konkluzioni në të cilin kanë dalë një panel ekspertësh. Hetuesit në Argjentinë kërkuan nga paneli që të hetonte ekipin mjekësor të Maradonës, pas vdekjes së futbollistit në Nëntor të vitit të shkuar.

Maradona vdiq në moshën 60-vjeçare në shtëpinë e tij në Buenos Aires, si pasojë e një ataku në zemër. Më herët gjatë atij muaji, ai iu ishte nënshtruar një ndërhyrjeje në tru, që shkoi me sukses, ndërsa po trajtohej për varësinë ndaj alkoolit.

Një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, jeta personale e Maradonës u shënjua nga varësia ndaj alkoolit dhe kokainës.

Vdekja e tij futi në zi botën e futbollit dhe ngriti pikëpyetje për trajtimin mjekësor që kishte marrë.

Disa ditë pas vdekjes, hetuesit argjentinas nisën hetimet për mjekët dhe infermierët e përfshirë për kujdesin e tij. Në Mars, hetuesit mblodhën rreth 20 ekspertë mjekësorë për të ekzaminuar shkakun e vdekjes së Maradonës dhe për të përcaktuar nëse kishte pasur neglizhencë.

Konkluzionet e këtij paneli u raportuan në mediat argjentinase të premten. Në një raport prej 70 faqesh, paneli tha se Maradona ishte sëmurë rëndë rreth 12 orë para vdekjes. Gjatë kësaj periudhe, sipas raportit, ai nuk u monitorua siç duhej.

Duke cituar raportin, gazeta argjentinase Clarin shkruajti se paneli e akuzon ekipin mjekësor që kujdesej për Maradonën se e la mbijetesën e tij në dorë të fatit.

Sipas ekspertëve, 60-vjeçari do të kishte pasur shanse më të mira për të mbijetuar nëse do të ishte trajtuar në spital dhe jo në shtëpi. Paneli konkludoi se veprimet e ndërmarra nga ekipi mjekësor i futbollistit ishin “të pamjaftueshme dhe të pakujdesshme”.

Në mesin e profesionistëve mjekësorë, që janë nën hetim nga prokurorët, është mjeku personal i Maradonës, Leopoldo Luque, 39 vjeç dhe psikiatri i tij. Tani që paneli mjekësor publikoi raportin, mbetet për të parë nëse hetuesit do të ngrenë ose jo akuza./tvklan.al

Për rezultatet e zgjedhjeve 2021 vizitoni rezultatet.tvklan.al

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *