Monitorues në çdo institucion/ Alibeaj kërkon informacione për “spiunët”: Kërkoni të mbroni me ligj patronazhistët, projektligji bie ndesh me Kushtetutën (Debati i plotë)








MARIGLEN KUME/ Komisioni i Ligjeve miratoi nen për nen vetëm me votat e Partisë Socialiste projektligjin për bashkëqeverisjen me qytetarët. Projektligji synon ngritjen e një agjencie që do t’i ketë zyrat qendrore në Kryeministri në varësi të Edi Ramës dhe do të ketë koordinator në çdo institucion shtetëror.

alibeajk

Punonjësi i agjencisë në varësi të zyrës në Kryeministri do të monitorojë punën e çdo institucioni, madje do të mund të iniciojë edhe shkarkimin e ministrit apo drejtorit përkatës. Po ashtu, koordinatori i agjencisë do të ketë akses në edhe në informacionet e ndryshme për qytetarët. Por Partia Demokratike e kundërshtoi me insistim këtë projektligj.

Nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj, mori fjalën më shumë se 63 herë dje në mbledhjen që zgjati afro 4 orë, për të bindur PS-në se projektligji është antikushtetues. “Ligji bie ndesh me ligjin për statusin e nëpunësit civil dhe me Kodin e Punës. Ky ligj që kërkoni të miratoni ju është antikushtetues”, tha nënkryetari i PD-së dje. Më tej ai akuzoi maxhorancën se me këtë projektligj synon që të legjitimojë patronazhistët, i cili sipas nënkryetarit të PD-së, tregon se Rama ka humbur besimin te të tijtë dhe po i monitoron.

Ndërkohë, gjithashtu, nisma e maxhorancës, sipas opozitës, bie ndesh me ligjet e tjera që garantojnë pavarësinë e institucioneve. Duke qenë se koordinatori i agjencisë do të ketë kompetencë të kërkojë llogari te drejtoritë e ndryshme, PD thotë se Rama do të marrë në kontroll edhe drejtoritë që janë të pavarura. Një tjetër argument ishte se bie edhe detyrimi dhe kushti i BE-së për depolitizimin e administratës. Sipas PD-së, nëpunësit civilë supozohet të jenë jopolitikë. Ndërkohë, koordinatori i agjencisë është një person politik, pasi emërohet nga Rama.

DEBATI

Enkelejd Alibeaj: Ky ligj bashkërendon rregullat për bashkëqeverisje me qytetarët, thuhet në nenin 1. Pyetja që kam unë për ju dhe këdo: çfarë do të thotë bashkëqeverisje? Qeverisja është term kushtetues, kështu është e domosdoshme të jepet një shpjegim për të kuptuar çfarë lloj marrëdhëniesh krijohen, mes kujt dhe kujt.

Oerd Bylykbashi: Fakti që nuk jepni përgjigje për pronat, pronarët. Si e zgjidhim me bashkëqeverisje. Keni 8 vite që nuk bëni asgjë, me këtë do ta zgjidhni ju? Është një ligj që ka efekt vetëm propagandën, do të krijojë konfuzion.

Klotilda Bushka: Do të shpreheni nen për nen, nuk mund të mblidhni të gjitha kritikat. Toni Gogu: Nuk mund të vazhdojmë mbledhjet në këtë mënyrë. Në votim do të votohet nen për nen. Nëse kanë amendamente, t’i paraqesin dhe t’i diskutojmë. Mbledhja po del jashtë shinave dhe ju kërkoj të merrni masa.

Enkelejd Alibeaj: Ok, amendament. Të shfuqizohet neni 4. Arsyeja, koordinator na qenka një punonjës i agjencisë që ushtron detyrën pranë një institucioni tjetër. Pra ky qenka i punësuar tek agjencia për bashkëqeverisje dhe bëka dhe një punë të dytë tek institucionet. Çfarë këta janë spiunët? Rrogën e marrin te Rama dhe punën e bëjnë në vend tjetër. Po me ligjin e statusit të nëpunësit civil si qëndron ky koncept? Kodi i Punës është një nga kushtet e BE-së. Me një palo ligj ju e hidhni poshtë. Përveç kësaj, ligji ka probleme të analfabetizmit.

Klotilda Bushka: Ligjin e keni kuptuar sipas mënyrës suaj, por s’mund të merrni rolin e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të bëni sikur jeni juristi i vetëm në Shqipëri. S’mund të shtrembëroni thelbin e ligjit. Po, ka një qartësi me të gjitha termat. Ka një përputhshmëri me Kushtetutën. Nuk dyzohet me procedurat administrative.

Elisa Spiropali: Projektligji nuk është lexuar. Pavarësisht teatralitetit të shquar të disa deputetëve këtu, që unë i dëgjoj me ëndje sepse më shijon.

Oerd Bylykbashi: Bëni kujdes kur flisni në Komisionin e Ligjeve.

Elisa Spiropali: Po ashtu edhe ju duhet të bëni kujdes kur flisni. Ishte një kompliment, por duket se kohët e fundit ju as komplimentet nuk i pranoni. Këtu po diskutohet një variant i vjetër. Ju duhet ta bëni këtu, diskutoni këtu. E keni këtë të drejtë. Por sa i përket projektligjit, mund t’u referoheni ndryshimeve që janë bërë?

Enkelejd Alibeaj: Po na e ndani pra, kemi të bëjmë me ligjin “Spiropali” apo me ligjin “Bushka”?

Elisa Spiropali: Unë do të dëshiroja shumë të ishte ligji “Spiropali”, por është i një ekipi pune. Janë dakordësuar ndryshime. Ky produkt vlen të diskutohet. Pastaj diskutimet e tjera nuk besoj se vlejnë për këtu. Keni foltoren… e Kuvendit.

Enkelejd Alibeaj: Të ka marrë malli, ëëë? Sot në orën 5 e ke. Nisu se në zonën tënde e ke, në orën 5.

Enkelejd Alibeaj: Kërkoj shfuqizimin e nenit 4. Në këtë nen ju bëni talltologji. Thoni të njëjtën gjë me fjalë të ndryshme. Ju po krijoni konfuzion në legjislacion. Ky jep impakt te ligjet e tjera. Unë kam lexuar edhe komentet e tua, sepse kur i futem punës, i futem tamam. Por që ta kuptojë edhe Toni, kur diskutojmë këtu, atëherë marrim projektligjin bazë dhe më pas diskutojmë edhe amendimet. Duhet të hiqet i gjithë neni, sepse janë pa sens.

Toni Gogu: Me gjithë përpjekjet e tij që mund t’i bëjë Gjykata Kushtetuese, unë kërkoj që të vazhdoj shqyrtimin nen për nen. Për të arsyetuar votën kundër secili mund të flasë dy minuta.

Klotilda Bushka: Kush është dakord me propozimin e Alibeajt për ta hequr nenin? As ju nuk jeni dakord për propozimin e Alibeajt? Votoni pra, se prandaj e kemi të hapur?

Gazment Bardhi: Po kur flet ti na more mend!

Klotilda Bushka: Shtatë. Më shumë se ti merr mend ti o Gaz. Kush është kundër? 11 kundër, bie ky propozim.

Gazment Bardhi: Bie? Si i numërove 11? Nuk ishim 11. I vidhni dhe votat sy më sy! S’ishin 11!

Klotilda Bushka: 11 pro, kundër 4. Vazhdojmë me nenin 4.

Gazment Bardhi: Kryetare, di të numërosh? Mos manipulo votat!

Klotilda Bushka: Unë numëroj duart që ngrini ju.

Gazment Bardhi: Jemi gjashtë këtu.

Klotilda Bushka: Unë numërova aq duar sa u ngritën. Ka dhe kamera këtu. Nëse s’e kishin mendjen, kijeni dhe votoni.

Gazment Bardhi: Mendjen e kemi ne!

Klotilda Bushka: Mos kini merak se nuk ua ha votën!

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *