
Rusia ka dënuar në mungesë vëllain e kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexey Navalny, Oleg, me një vit burg për shkelje të kushteve të një dënimi me kusht.
“Një gjykatë e qarkut në Moskë “zëvendësoi dënimin me kusht të Oleg Navalny me burg”, shkroi avokati i tij Nikos Paraskevov në Twitter të premten.
Gushtin e kaluar, Oleg, 38 vjeç, u dënua me një vit me kusht për thyerjen e kufizimeve të pandemisë së koronavirusit. Ai u akuzua se u kishte bërë thirrje rusëve që të merrnin pjesë në një tubim të paligjshëm në janar 2021 në mbështetje të vëllait të tij të madh, i cili ishte kthyer në Rusi pasi ishte trajtuar në Gjermani për një sulm thuajse fatal me helmim.
Oleg nuk ishte i pranishëm në gjyq. Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga agjencitë e lajmeve, ai udhëtoi në Qipro në shtator të vitit të kaluar dhe nuk u kthye në Rusi. Në janar, autoritetet e burgut të Rusisë paraqitën një kërkesë për ta kthyer dënimin e tij në burg pasi ai nuk u paraqit për inspektime policore.
Në të njëjtin muaj, ministria e brendshme e Rusisë lëshoi një urdhër arresti. Gjykatësi pranoi kërkesën, duke shtuar se “janë krijuar rrethana rënduese”, duke iu referuar dënimeve të mëparshme të Navalny, njoftoi agjencia e lajmeve RIA Novosti.
Oleg tashmë ka vuajtur dënimin pasi ai dhe Alexey u dënuan në një gjyq mashtrimi në vitin 2014, për të cilin kritikët e Kremlinit thonë se ishte i motivuar politikisht. Oleg kreu tre vjet e gjysmë burg, ndërsa Alexey mori një dënim me kusht tre vjet e gjysmë.
Pas kthimit në Rusi vitin e kaluar, Alexey iu konvertua dënimi me kusht në burg, të cilin ai po e vuan në një koloni penale jashtë Moskës. Pothuajse të gjithë aleatët e shquar të Alexey janë larguar nga Rusia pasi ai u burgos dhe organizatat e tij u shpallën të jashtëligjshme.
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al