Mosha dhe drejtësia mund të jenë problem, ja çfarë ndodh nëse Biden ose Trump tërhiqen nga gara për president para zgjedhjeve

mosha dhe drejtesia mund te jene problem ja cfare ndodh nese biden ose trump terhiqen nga gara per president para zgjedhjeve

Presidenti Joe Biden dhe ish Presidenti Donald Trump janë drejt një përballjeje tjetër në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Por, sfidat ligjore të ish Presidentit Trump dhe mosha e të dy kandidatëve mund të ndikojnë fushatën presidenciale. Ekspertët theksojnë se tërheqja e kandidatëve kryesorë nga gara për president do të çonte në procese të ndërlikuara për zëvendësimin e tyre.

Ish Presidenti Donald Trump përballet me 91 akuza penale dhe të paktën njëri nga gjyqet mbi këto akuza pritet të zhvillohet këtë vit.

Problemet shëndetësore mund të ndikojnë tek Presidenti Joe Biden, i cili është 81 vjeç.

“Në shtyp flitet për moshën e zotit Biden, por jo atë të zotit Trump”, tha Presidenti Biden.

Ish Presidenti Trump është 77 vjeç.

“Në nëntor do të kemi një ditë të madhe sepse do ta rimarrim drejtimin e vendit”, tha Presidenti Trump.

Por çfarë ndodh nëse njëri nga kandidatët vdes ose për arsye shëndetësore nuk mund të vazhdojë fushatën para zgjedhjeve të nëntorit?

Nëse kjo ndodh para kuvendeve kombëtare të dy partive, disa shtete mund të shtyjnë datën e zgjedhjeve paraprake për të lejuar hyrjen e më shumë kandidatëve në garë.

Kandidatët për president të secilës parti shpallen në kuvendet e tyre kombëtare. Kuvendi kombëtar i republikanëve do të mbahet në korrik ndërsa ai i demokratëve në gusht. Nëse kandidati që kryeson garën tërhiqet dhe asnjë kandidat tjetër nuk arrin të sigurojë shumicën e votave, atëherë delegatët e partisë mund të zgjedhin dikë tjetër.

“Delegatët do të kenë shumë liri për të negociuar. Ata ndoshta mund të zgjedhin një kandidat që nuk ka marrë pjesë në fushatën e zgjedhjeve paraprake. Kjo ka ndodhur në vendin tonë. Por, kjo do të varet nga kuvendet kombëtare të partisë republikane dhe asaj demokrate”, tha për Zërin e Amerikës John Fortier nga Instituti “American Enterprise”.

Nëse kandidati që i fiton zgjedhjet paraprake tërhiqet pas kuvendit kombëtar, atëherë partitë mblidhen sërish për ta zëvendësuar atë dhe kjo nuk garanton zgjedhjen e një kandidati për nënpresident.

Edhe nëse kjo ndodh pas zgjedhjeve procesi është i njëjtë. Për shembull, edhe nëse Presidenti Biden i fiton zgjedhjet por nuk mund të fillojë mandatin e ri presidencial, nënpresidentja Kamala Harris nuk do ta zëvendësonte atë në mënyrë automatike, elektorët e shteteve do të duhej të votonin sërish për të zgjedhur presidentin.

Por çfarë ndodh nëse ata nuk arrijnë ta bëjnë këtë?

“Në këtë pikë, nëse asnjë kandidat nuk siguron shumicën, procesi kalon në Dhomën e Përfaqësuesve. Zgjedhjet do të përfundonin në një proces që nuk ka ndodhur për qindra vite”, thotë Michael Thorning, drejtor i Demokracisë Strukturore në Qendrën e Politikave Dypartiake.

Nëse Presidenti i zgjedhur vdes pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve më gjashtë janar, nënpresidenti ose nënpresidentja e zgjedhur inaugurohet në postin e Presidentit të vendit.

Secili nga këta skenarë do të çonte në një proces shumë të ndërlikuar, që do të mund të zvarritej më tej nga gjykatat, nëse do të kishte kontestim të rezultatit të zgjedhjeve.

Duke marrë parasysh sulmin në Kapitol nga mbështetësit e zotit Trump më 6 janar 2021, një proces i tillë do të mund të shoqërohej sërish me veprime të dhunshme./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts