MOVIOLA E SUPERIORES / Cjapin e shpëton VAR-i në Laç, Kukësit i mungon një gol









Java e 13-të e Superiores ka shfaqur problematikat e saj sa i përket gjykimit. Rastet për moviolë nuk munguan. Në Laç VAR-i shpëton arbitrin Cjapi nga mosdhënia e penalltisë. Po ky gjyqtar i fali edhe dy kartonë të kuq Tiranës. Kartonë të kuq u falën edhe në Shkodër. Derbi Partizani-Dinamo pati raste për moviolë, por që kaluan pa kontestime, pasi vendimet e gjyqtarëve ishin të sakta. Kukësit iu anuluan dy gola ndaj Teutës. I pari ishte vendim i saktë, ndërsa te rasti i dytë, pamjet nuk janë shumë të qarta, por anon më shumë si gol i rregullt dhe i mohuar për verilindorët. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e 13- të në Superiore:

bajramaj

LAÇI-TIRANA 1-0
Gjyqtarë: K.Cjapi, I.Tartaraj (Fier), F.Kolleshi (Tiranë)/ VAR: F. Lata (Durrës), A.Koçiaj (Tiranë)
Ndeshje jokaluese për gjyqtarin Kreshnik Cjapi që në rastin më të diskutueshëm të takimit gabon dhe është VARi që e ndëshkon. Kryesori fal disa kartonë të verdhë për Ngonë dhe Behiratçen.
45+1’ Dorë e ngritur e Behiratçes që godet kundërshtarin, me Cjapin që mund të kishte nxjerrë karton të verdhë.
71’ Rast për karton të kuq, Behiratçe bën faull ndaj Guindosë, arbitri nuk e ndëshkon mbrojtësin e Tiranës me kartonin e dytë të verdhë. Edhe mund të ndëshkohej.
80’ Ngo bën faull ndaj Roganoviçit dhe mund të kishte të verdhë, por Cjapi vazhdon lojën, duke falur sulmuesin nga kartoni i dytë i verdhë. Të njëjtën gjë e bën edhe në minutën e 83-të, kur anglezi bën faull ndaj Lushkjes.
86’ Top i gjatë për Deliun në zonë, mesfushori shmang Muçën dhe drejtohet në portë, por Bekaj në tentativë për të larguar topin, rrëzon lojtarin e Laçit. Kurbinasit pretendojnë për një penallti. Fillimisht kryesori Cjapi nuk e akordon 11-metërshin, më pas i thirrur ka shkuar te VAR për ta riparë dhe akordon penallti për bardhezinjtë. Cjapi gabon, por e shpëton VAR-i.

TEUTA-KUKËSI 0-0
Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), N.Rrapaj, M.Qose / VAR: J.Xhaja, D.Rexha (Tiranë)
Teuta-Kukësi u gjykua nga Enea Jorgji dhe asistentë të tij ishin Rrapaj dhe Qosja, ndërsa në VAR ndodheshin Juxhin Xhaja dhe Denis Rexha. Dy ishin rastet për moviolë dhe më të diskutueshëm në këtë takim, pikërisht dy golat e anuluar për Kukësin. Në të dyja rastet ka vendosur flamuri i ngritur i anësorit Marjus Qose, i konfirmuar më pas edhe nga VAR-i. Vendimi i anulimit të golit të parë është i saktë, ndërsa i dyti kërkon interpretim, më shumë ngjan si gol i rregullt.
8’ Feizhao shërben për Gjelbrim Taipin, i cili brenda zonës me të majtën shënon një supergol. Por, goli anulohet pasi Feizhao ka qenë në pozicion jashtë loje në momentin kur është shërbyer nga mesfusha.
22’ Taipi nga një goditje dënimi e dërgon topin drejt zonës së Teutës. Topi fillimisht ndalet nga Ivanoviç me kokë dhe përfundon te Marku, që po me kokë shënon gol. Por, gjyqtari anësor Qose ngre flamurin dhe e anulon golin për pozicion jashtë loje të Kristi Markut. Rasti kërkon interpretim, ndonëse Marku ishte pozicion jashtë loje kur niset topi, “sfera” mbërrin tek ai pas devijimit të mbrojtësit të Teutës, jo direkt nga gjuajtja e Taipit. Më shumë anon si gol i rregullt.

PARTIZANI–DINAMO 1-0
Gjyqtarë: K.Bajramaj, E.Doda (Tiranë), E.Gjoka (Lezhë)/ VAR: E.Hamiti, R.Çokaj (Lezhë)
21’ Zhunior kërkon penallti pasi i vjedh kohën Sofranakut brenda zonës, por vendosja e dorës nga malazezi në trupin e brazilianit nuk konsiderohet 11-metërsh. Vendim i drejtë i Bajramajt, pasi sulmuesi i Partizanit rrëzohet sapo krijohet kontakti.
22’ Lancinet Sidibe i ndërhyn rëndë Herald Markut në mesfushë, por arbitri toleron lojtarin e Dinamos, duke i falur kartonin e verdhë.
80’ Zhunior pretendon penallti pas duelit ajror me Samaken, por arbitri vijon lojën dhe vepron drejt. Mirëpo, në vazhdimin e aksionit Demiri ndërhyn ndaj Rrapajt afër zonës. Bajramaj nuk jep faull për Partizanin nga rreth 18 metra larg portës, duke gabuar në këtë rast.
86’ Cara nxjerr të lirë Malën, ky i fundit harkon në zonë dhe Zhuniori, pasi shmang Sofranakun, godet dhe shënon. Goli anulohet për pozicion jashtë loje. Pamjet konfirmojnë se Mala është më i avancuar.

KASTRIOTI-EGNATIA 1-0
Gjyqtarë: J.Xhaja (Tiranë), D.Korreshi (Lushnjë), M.Bega (Shkodër)/ VAR: A.Koçi (Durrës), A.Zalla (Tiranë)
Kastrioti-Egnatia, e gjykuar nga Juxhin Xhaja, nuk ka pasur raste flagrante për moviolë. Megjithatë, u dha një karton i kuq i drejtë për Ilir Allmuçën. Lojtari i Egnatias mori një të verdhë pas një ndërhyrjeje të gabuar në pjesën e parë si pasojë e rrëshqitjes dhe, për fat të keq, kjo i kushtoi në të dytën, që me një ndërhyrje të gabuar në mesfushë u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe të kuq.

VLLAZNIA–SKËNDERBEU 2-0
Gjyqtarë: E.Bastari, R.Avdo (Tiranë), H.Lisaku (Durrës)/ VAR: K.Meta, D.Myftari (Tiranë)
25’ Zguro shkel Krujën, por arbitri e fal. Dy minuta më vonë kërcënon me duar Da Silvën pas një ndërhyrjeje të këtij të fundit. Nëse do të ndëshkohej më parë, atëherë do të merrte të kuq.
86’ Kemi të bëjmë me një ndërhyrje të rrezikshme të Mustedanagiçit. Bastari i jep karton të verdhë mesfushorit të Vllaznisë dhe më pas pret sinjalizimin nga VAR-i, por e lë me kaq, duke mos ndryshuar vendim dhe t’i japë të kuq.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.