MPJD: Petkoviçit iu ndalua hyrja në Kosovë për shkak të deklaratave provokuese, ka përdorur gjuhë të urrejtjes

Kosova ia ka ndaluar hyrjen drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Peter Petkovic, për shkak të siç thuhet, pavarësisht se ai në vazhdimësi ka dhënë garanci se do të përmbahet nga deklaratat nxitëse, në vizitat e tij të fundit në Kosovë, ai ka bërë “deklarata provokuese”.

Petkovic ka thënë se Kosova nuk e lejoi që të qëndrojë në një vizitë dyditore në Kosovë, të planifikuar më 3 dhe 4 shtator.

“Në kundërshtim me obligimin e marrë dhe zotimin që do të përmbahet nga deklaratat provokuese dhe nxitëse të urrejtjes, ai në vazhdimësi në tri vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse, duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit ‘universitetet’ në Mitrovicë të Veriut”, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Megjithatë, MPJD nuk ka sqaruar se cilat deklarata të Petkovicit i cilëson si provokuese dhe nxitëse të urrejtjes.

Nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, më herët gjatë të premtes thanë se Petkovic ishte planifikuar që të qëndronte dy ditë në Kosovë, për të vizituar disa subjekte afariste “ku shteti i Serbisë ka siguruar vende të reja pune” si dhe për të vizituar disa familje që jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

Sipas kësaj zyreje, kjo është ndalesa e tretë me radhë që Kosova i vendos Petkovicit dhe kjo “në prag të vazhdimit të dialogut në Bruksel javën e ardhshme”. Nga kjo zyrë paralajmëruan se këto ndalesa do të jenë pjesë e diskutimeve në Bruksel.

Nga zyra e Petkovicit thanë se arsyetimi i Ministrisë së Jashtme të Kosovës për ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë “është i pabazuar”.

Më 20 gusht, Serbia tha se në Mitrovicë të Veriut ka vendosur gurthemelin e të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Në këtë ngjarje, Petkovic kishte deklaruar:

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiç”.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thanë se për më tepër, Petkovic nuk kishte paralajmëruar vizitën në Kosovë më 3 dhe 4 shtator.

“Bazuar në këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka lejuar hyrjen në Kosovë për datat 3-4 shtator 2021 atij, teksa për pjesën tjetër të delegacionit ka miratuar hyrjen”, thanë nga MPJD-ja.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, më 2011 kishin arritur edhe marrëveshje për vizitat zyrtare, ku thuhet se palët duhet ta njoftojnë njëra-tjetrën për vizitat në shtetet përkatëse.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *