Mungesa me peshë, por e favorizojnë shifrat/ Skënderbeut të Gegës i sjell fat Durrësi









Skënderbeu luan në Durrës përballë Teutës një prej ndeshjeve më të rëndësishme për sa i përket pjesës së mbetur të sezonit, në mënyrë që të mos vënë në rrezik qëndrimin në Kategorinë Superiore.

skenderbeu

Korçarët e vendit të fundit do të kërkojnë me çdo kusht suksesin në këtë takim që do të luhet të dielën e 3 prillit. Të bindur tek objektivi i vetëm në këtë ndeshje, për të pasur ende garë në javët në vazhdim në kërkim të mbijetesës, bardhekuqtë do të bëjnë çmos për një fitore morali dhe grumbullim pikësh.

Por në të kaluarën, të paktën në tri sezonet e fundit kur Skënderbeu ka qenë në vështirësi, ndeshjet e luajtura në transfertën e Durrësit kanë qenë disi me fat për korçarët.

Duke iu referuar statistikave në katër edicionet e shkuara, përfshi edhe sezonin 2021-2022, Teuta dhe Skënderbeu në 11 ndeshjet e luajtura mes kampionatit dhe Kupës kanë një përqindje fitoresh thuajse të barabarta. Skënderbeu si udhëtues në Durrës ka mundur të fitojë plot tri herë duke përfshirë këtu edhe takimin e Kupës të një sezoni më parë të luajtur me një ndeshje në Durrës.

Katër takime janë mbyllur në barazim dhe katër herë ka fituar Teuta. Të dhëna këto që flasin për një ndeshje fatsjellëse për Skënderbeun që kërkon tashmë pikët për të qenë në “valle” deri në fund për mbijetesën. Por, nuk është vetëm ky fakt që bind korçarët se ndeshja e Durrësit është pozitive për ekipin e drejtuar nga trajneri Skënder Gega.

Në shumicën e rasteve pas një rezultati të marrë me Teutën në transfertë Skënderbeu ka mundur të fitojë edhe dy ndeshjet pasuese. Duke lënë kështu një sinjal të qartë se ndaj Teutës mund të jetë kthesa e madhe për Skënderbeun.

PËRGATITJET- Korçarët janë drejt mbylljes së përgatitjeve për ndeshjen e së dielës. Në transfertën delikate të Durrësit, Skënderbeu do të kërkojë të marrë maksimumin me qëllim që të ketë një garanci më shumë për të kërkuar arritjen e objektivit minimal, që është mbijetesa.

Në këtë takim, Gega duhet të bëjë llogaritë pa katër lojtarë që do të mungojnë në këtë ndeshje. Meksi dhe Mensah janë të dëmtuar, sulmuesi ganez ka zhvilluar seanca të shkurtra me ekipin dhe ka shanse për të qenë në dispozicion të trajnerit, ndërsa mbrojtësi nuk është ende gati dhe mund të ketë mbyllur sezonin.

Nga ana tjetër, Erlis Frashëri dhe Randi Dumfur janë të pezulluar për shkak kartonësh për këtë takim. Mungesa këto që do të ndikojnë në zgjedhjet e Gegës për formacionin titullar, kryesisht në fazën mbrojtëse.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.