Rruga drejt Tiranës kalon nga Anglia për Zhoze Murinjon. Trajneri portugez me Romën e tij përballen këtë të enjte në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Konferencës me Leisterin, për të siguruar një biletë për ndeshjen në “Air Albania”.
Një “vizitë në shtëpi” siç e ka quajtur kthimin në Angli tekniku, por i cili ka theksuar se nuk ka kohën për të qenë nostalgjik në këto momente, pasi po mendon si të çojë Romën e tij në finalen e madhe të 25 majit. “Këtu në Angli është paksa si shtëpia ime”, tha ai për “DAZN”. “Ky është kampionati ku kam qenë për më shumë vite. Ky është një kampionat me të cilin jam i dashuruar, nga stadiumet tek ambientet. Fushat janë gjithmonë shumë të bukura. Ka një nivel shumë të lartë, por nesër nuk do të jetë koha për emocione, nuk ka kohë për asgjë. Kjo është një gjysmëfinale, do të jetë një rrugëtim të cilit po i vjen fundi pas 13 ndeshjesh, një rrugë e nisur në gusht e tani duam të shkojmë në finale.
Kemi një mënyrë të caktuar për të luajtur, nuk ndryshohet vetëm sepse po luhet një gjysmëfinale. Mbërritja këtu është pasojë e punës që është bërë më parë, janë ndeshje që vendosen nga detajet. Me përqendrim dhe duke kontrolluar presionin, gjë të cilën nuk e ndjej meqë jam këtu prej 20 vitesh. Por e kuptoj që disa lojtarë të cilët nuk janë përballur me këtë lloj trysnie në ndeshje të mund të ndjejnë presion. Do të mundohemi ta bëjmë gjithçka sa më natyrshëm, duke e ditur që jemi shumë pranë objektivit”, tha Murinjo.

PANORAMASPORT.AL
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al