
12:20 12/07/2023
Zelensky: E papranueshme dhe absurde që nuk kemi detaje
Ukraina do të anëtarësohet në NATO kur të përmbushen kushtet dhe kur vendet anëtare të pranojnë t’i dërgojnë ftesë për anëtarësim. Vendimi u bë publik nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili megjithatë garantoi mbështetje të plotë të aleancës për Ukrainën në përmbushjen e të gjitha kushteve për anëtarësimin, që sipas tij do t’i nënshtrohet një procesi të përshpejtuar që ai e përshkroi si “nga 2 hapa me 1 hap”.
Megjithatë, Ukraina nuk është shumë e kënaqur me këtë vendim të aleancës. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, para nisjes së ditës së dytë të samitit të Vilniusit ku edhe ai është i pranishëm, e konsideroi si të paprecedente dhe absurde, që vendit të tij nuk i janë dhënë detaje lidhur me kushtet që duhet të përmbushë dhe afatet e anëtarësimit. Zelenski tha se do t’u kërkojë vendeve anëtare një paketë të re ndihme ushtarake dhe po ashtu garanci për sigurinë.
E qartë është vetëm se Ukraina nuk mund të anëtarësohet plotësisht, nëse lufta ruse atje nuk përfundon. Ndaj dhe Moska, në një reagim të saj tha se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO.
Tv Klan