
Presidenti i SHBA, Joe Biden, ka reaguar pozitivisht ndaj vendimit të NATO-s për të zgjatur mandatin e Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg edhe për një vit, duke zgjedhur të mbajë liderin teksa lufta në Ukrainë vazhdon.
Stoltenberg, ish-kryeministër i Norvegjisë, ka qenë kreu i aleancës që nga viti 2014 dhe mandati i tij është zgjatur tashmë tre herë.
“Me lidershipin, përvojën dhe gjykimin e tij të palëkundur, Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg e ka udhëhequr Aleancën tonë përmes sfidave më të rëndësishme për sigurinë evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka reaguar presidenti amerikan Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Biden u shpreh se aleanca e NATO-s është aktualisht “më e fortë, më e bashkuar dhe më e vendosur se sa ka qenë ndonjëherë”.
“Mezi pres të vazhdoj të punoj me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg për të forcuar më tej Aleancën javën e ardhshme në Samitin e NATO-s në Vilnius dhe përpara samitit të 75-vjetorit të NATO-s në Uashington vitin e ardhshëm”, tha Biden.
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al