Navalny i kërkon gjykatës ndërprerjen e kontrolleve të vazhdueshme në burg

08:27 01/06/2021

Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse Alexey Navalny i kërkoi një gjykate të hënën që të vendoste për ndërprerjen e kontrolleve çdo një orë natën, të cilave ai u është nënshtruar në burg.

Duke folur në gjykatë në një lidhje me video nga burgu, zoti Navalny tha se nuk ka bërë asgjë që të justifikonte vendimin e autoriteteve për ta konsideruar si rrezik arratisjeje, arsyeja se pse bëhen këto kontrolle.

“Thjesht dua që të mos vijnë të më zgjojnë natën,” i tha ai gjykatësit në komentet që u transmetuan nga televizioni i pavarur Dozhd. “Çfarë kam bërë: Jam përpjekur të dal? Kam gërmuar ndonjë nënkalim? Apo po i rrëmbeja dikujt pistoletën? Më shpjegoni pse më quajnë rrezik arratisjeje!”

Ai argumentoi se kontrollet çdo një orë gjatë natës “në të vërtetë përbëjnë torturë”, duke i thënë gjykatësit se “do të çmendeshe për një javë” nëse i nënshtrohesh një zgjimit të tillë të shpeshtë.

Gjykata më vonë e shtyu seancën për të mërkurën.

Zoti Navalny, armiku politik më i vendosur i Presidentit rus Vladimir Putin, u arrestua në Janar pas kthimit nga Gjermania, ku kishte kaluar pesë muaj duke u rimëkëmbur nga një helmim me një agjent nervor për të cilin ai fajëson Kremlinin- akuza që zyrtarët rusë i hedhin poshtë.

Në shkurt, atij iu dha një dënim prej 2 vjet e gjysëm për shkelje të kushteve të një dënimi me kusht që rezultonte nga një dënim i vitit 2014, që ai thotë se ishte i motivuar politikisht.

Ai filloi një grevë urie 24-ditore në burg për të protestuar ndaj mungesës së trajtimit mjekësor për dhimbje të forta shpine dhe mpirje në këmbë, duke i dhënë fund muajit të kaluar pasi mori kujdesin mjekësor që kërkoi.

Ndërsa ishte ende në grevë urie, zoti Navalny u zhvendos nga një objekt penale në lindje të Moskës, ku po vuante dënimin, në spitalin e një burgu tjetër në Vladimir, një qytet 180 kilometra në lindje të kryeqytetit. Ai vazhdon të jetë në atë burg, ku ai tha se kontrollet e natës vazhdonin, megjithëse ishin më pak shqetësuese.

Ndërsa zoti Navalny është në burg, prokurorët i kanë kërkuar një gjykate në Moskë ta përcaktojë Fondacionin e tij për Luftën ndaj Korrupsionit dhe rrjetin e tij të zyrave rajonale si grupe ekstremiste. Një projekt-ligj, i cili ka kaluar me shpejtësi në dhomën e ulët të parlamentit rus të kontrolluar nga Kremlini, bllokon anëtarët, donatorët dhe mbështetësit e grupeve ekstremiste që të kërkojnë zyrë publike.

Lëvizjet paralele janë parë gjerësisht si një përpjekje për të mos lejuar bashkëpunëtorë të zotit Navalny të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare të shtatorit./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *