
18:40 03/11/2021
Vendimi i talebanëve pritet të sjellë dëme të tjera në ekonominë e vendit
Talebanët kanë ndaluar përdorimin e valutave të huaja në Afganistan, duke kërcënuar me dëme tjera në ekonominë e cila është përballur me shumë vështirësi. Kushdo që përdor valuta të huaja për biznes do të ndiqet penalisht, janë shprehur talebanët në një deklaratë të fundit.
“Situata ekonomike dhe interesat kombëtare të shtetit kërkojnë që të gjithë afganët të përdorin valutën afgane në të gjitha transaksionet”, është thënë po ashtu në deklaratë.
Valuta kombëtare, afgani, është zhvlerësuar në mënyrë drastike, prej kur talebanët kanë rrëzuar nga pushteti qeverinë e përkrahur nga mekanizmat ndërkombëtarë, në mes të muajit Gusht. Shumë transaksione në këtë shtet të shkatërruar nga lufta kryhen me Dollarë amerikanë, derisa zonat kufitare përdorin valutën e Pakistanit për tregti.
Teksa ekonomia e Afganistanit po sheh ditë të vështira për shkak të ndaljes së ndihmave, rritjes së çmimeve të ushqimit dhe rritjes së shkallës së papunësisë, talebanët janë duke kërkuar njohje ndërkombëtare dhe lirimin e miliarda Dollarëve që janë bllokuar në bankat jashtë vendit.
Afganistani ka patur varësi shumë nga fondet ndërkombëtare në 20 vitet e fundit, pasi 3/4 e gjithë buxhetit për shpenzime publike janë siguruar nga ndihmat. Në përpjekje për të ndalur krizën humanitare, komuniteti ndërkombëtar ka thënë se do të ofrojë paketa mbështetëse për Afganistanin dhe fqinjët e tij.
Klan News
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al