Ndryshimet kushtetuese, Bardhi: Partnerët strategjikë, SHBA-BE, janë informuar për nismat tona! Territori? Duam më shumë se 61 bashki, por…








gazmentbardhi

MARIGLEN KUME/ Sekretari i Përgjithshëm në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, shprehet se për paketën e propozimeve kushtetuese të depozituara në Kuvend janë informuar edhe partnerët strategjikë, SHBA-ja dhe BE-ja.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Bardhi sqaron se kontrolli i pastërtisë së figurës për të verifikuar kontaktet e papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar nënkupton verifikimin e çdo forme kontakti fizik apo jo, me dashje dhe jo rastësore, që përfshin, por pa u kufizuar, takimet ose biseda dhe komunikime elektronike dhe që nuk përputhen me natyrën e ushtrimit të rregullt të detyrës nga funksionari publik, pavarësisht nëse ka ndikuar apo jo në ushtrimin e saj.

Lidhur me propozimin e PS-së për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut, Bardhi shprehet se përpara se të shkohet në një vendim të tillë, duhet bërë një analizë e plotë se çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo.

INTERVISTA

Pyetje: Javën e shkuar, Partia Demokratike depozitoi në Kuvend një draft me tri propozime për ndryshimin e Kushtetutës, që lidhen me zhbërjen e ndryshimeve të 30 korrikut, ndryshimin e hartës territoriale dhe vetingun e politikanëve. Po e nis nga vetingu i politikanëve, ku edhe drafti kishte më shumë material. Pas Reformës në Drejtësi, Shqipëria ka organe të reja që supozohet të kenë më shumë kredibilitet dhe të godasë edhe politikanët e korruptuar. Përse zoti Bardhi duhet të ngrihet një strukturë e posaçme në SPAK për të realizuar atë që synoni ju? Kujtojmë që kemi edhe ligjin e dekriminalizimit dhe ILDKPI për pasurinë. Çdo politikan për t’u futur në Parlament apo në një bashki, merr vota mbështetëse. Pra, në një farë mënyre, ia bën qytetari vetingun politikanit, pse duhet edhe një ligj për këtë?

Bardhi: Aksioni politik i Partisë Demokratike në Parlament synon mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Kjo nis nga ndryshimet kushtetuese, ku përfshihet vetingu i politikanëve, reforma elektorale dhe reforma territoriale, te masat për zbutjen e krizës ekonomike si reduktimi i TVSH-së mbi mallrat e shportës dhe heqja e taksës “Rama” mbi karburantet. Mbrojtja e interesit publik qëndron në zemër të iniciativave tona. Dua të sjell në vëmendje se pastrimi i politikës përmes vetingut është një iniciativë në përputhje me zotimin e ndërmarrë me ndryshimet statutore, të miratuara në Kuvendin Kombëtar të PD-së në 17 Korrik. Nisma për vetingun e politikanëve ka si qëllim të pastrojë politikën nga njerëzit e lidhur me krimin dhe korrupsionin që po pengojnë zhvillimin e vendit.

Kriza ekonomike në të cilën gjendet vendi është pasojë direkte e korrupsionit, pasi, për të ecur përpara, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim radikal në zgjedhjen dhe kontrollin e politikanëve që qeverisin qytetarët. Kur Partia Demokratike propozoi legjislacionin për dekriminalizimin e politikës u artikuluan të njëjtat pretendime si sot se nuk ka nevojë për ligj për të pastruar politikën nga krimi, pasi këtë e bëjnë qytetarët me votë. Siç e kemi parë, nuk rezultoi një pretendim me bazë. Një numër i konsiderueshëm funksionarësh të lartë publikë, i kishin kaluar filtrit gjykues të votuesit, duke bërë që në parlament apo pushtetin lokal të kishim deputetë dhe kryetarë bashkie trafikantë droge, trafikantë të qenieve njerëzore dhe deri edhe vrasës.

Votuesi nuk është as prokuror, as gjykatës, as oficer i Policisë Gjyqësore për të kontrolluar pasurinë e politikanëve apo lidhjet e tyre me krimin e organizuar. Kam bindjen e thellë se çdo votues, qoftë ky demokrat apo socialist, kërkon që të përfaqësohet nga politikanë që mbrojnë interesin e qytetarëve dhe jo nga politikanë që kujdesen vetëm për pasurimin e vet të paligjshëm. Votuesit duan politikanë që e luftojnë krimin e organizuar, që punojnë për mirëqenien e qytetarëve dhe jo politikanë që kujdesen çdo minutë për interesat kriminale dhe financiare të bosëve të krimit të organizuar. Për këtë është detyrë e ligjit që të sigurojë mekanizmat e duhur ligjorë që garantojnë cilësinë e përfaqësimit dhe që vullneti i qytetarëve të përkojë me zgjedhjen reale të tyre.

Vetëm kështu pastrohet politika nga të korruptuarit dhe ato që janë të lidhur me krimin e organizuar. Llumi i tranzicionit, me Edi Ramën në krye, është shqetësuar shumë nga vetingu i politikanëve i propozuar nga Partia Demokratike. Shoh se janë hedhur në treg dy alibi kundër vetingut. Nga njëra anë dilet me alibinë që kemi drejtësinë dhe ajo e lufton korrupsionin. Nga ana tjetër, thuhet se nuk mund ta bëjë drejtësia, pasi ajo është e kontrolluar politikisht. Të dyja janë alibi që përdoren prej 30 vitesh, sa herë që propozohet një iniciativë për të luftuar korrupsionin, sa herë ndërmerret një reformë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Alibitë përdoren në fakt vetëm për të siguruar një gjë: çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në radhët e zyrtarëve të lartë dhe për 30 vite të tjera. Kjo nuk është në përputhje me interesin e qytetarëve dhe pritshmërinë e tyre. Vetingun e politikanëve nuk mund të bëjë politika.

Vetingun e politikanëve duhet ta bëjnë institucionet e pavarura. SPAK-u është organ kushtetues, me mision dhe përgjegjësi kushtetuese, për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Ky mision i është besuar me konsensus, me 140 vota në Parlament. Deri më sot, SPAK-u është fshehur, duke bërë sikur nuk sheh e dëgjon, atë që në fakt thonë, shohin dhe dëgjojnë shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë: pasurimin e paligjshëm të politikanëve në kurriz të interesit të qytetarëve dhe lidhjen e politikanëve me krimin e organizuar. Për këtë arsye, ka një rënie të madhe të besimit të qytetarëve tek ky institucion, duke zhgënjyer pritshëmritë e tyre. Më kryesorja ishte ndëshkimi i politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar. Nëpërmjet propozimit tonë, SPAK-ut i hiqet çdo mundësi të bëjë sikur nuk sheh dhe dëgjon, atë që shohin dhe dëgjojnë qytetarët.

Duke i dhënë një mekanizëm të detyrueshëm kontrolli, që mund të shërbejë më pas edhe si një e dhënë për ndëshkimin penal të atyre që zbulohet se kanë kryer një vepër penale gjatë ushtrimit të funksionit publik, SPAK-u ka detyrimin ligjor që të veprojë. Padyshim që kam rezervat e mia për punën e deritanishme të SPAK-ut dhe nuk është që kam lëvizur nga ai qëndrim, kryesisht për mungesën e veprimit nga SPAK-u për të ndëshkuar korrupsionin. Mirëpo, deputetët e Partisë Demokratike që kanë investuar këtë iniciativë kushtetuese nuk kanë asgjë për të fshehur dhe nuk kanë asnjë merak pavarësisht se kush e bën vetingun.

Nga ana tjetër, duke qenë një proces publik dhe jo pas dyerve të mbyllura, prokurorët e SPAK-ut që do të merren me këtë punë, do të duhet që ta bëjnë vendimmarrjen e tyre publike. Standardi, do të jetë standard publik. Nuk mundet që për një demokrat të ketë një standard dhe për një socialist një standard tjetër. Dua të sjell në vëmendje që procesi nuk mbyllet me vendimmarrjen e SPAK, por kalon edhe në dy faza të tjera: në vlerësimin nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese. I gjithë procesi do të monitorohet nga një komision bipartizan parlamentar. Këto janë garanci të mjaftueshme që procesi të jetë i drejtë dhe synimi i kërkuar të arrihet.

Pyetje: Ndryshimet kushtetuese flasin për kontakte të ngushta të politikanëve me eksponentë të krimit. Si do të definohet, cilat do të konsiderohen kontaktet të ngushta?

Bardhi: Kontrolli i pastërtisë së figurës për të verifikuar kontaktet e papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar nënkupton verifikimin e çdo forme kontakti fizik apo jo, me dashje dhe jo rastësore, që përfshin, por pa u kufizuar, takimet ose biseda dhe komunikime elektronike dhe që nuk përputhen me natyrën e ushtrimit të rregullt të detyrës nga funksionari publik, pavarësisht nëse ka ndikuar apo jo në ushtrimin e saj. Pra, është ruajtur i njëjti standard që sot aplikohet për gjyqtarët dhe prokurorët. Çështja e kontakteve të ngushta të deputetëve, kryetarëve të bashkive ose qeveritarëve, me krimin e organizuar janë një problem në Shqipëri.

Pyetje: Si do bëhet verifikimi i politikanëve, çdo 4 vite, si është menduar nga grupi juaj i punës?

Bardhi: Procesi do të jetë i përkohshëm, që përfshin verifikimin e politikanëve që janë aktualisht në detyrë, si dhe i përhershëm, derisa Shqipëria të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian, që përfshin verifikimin e politikanëve që emërohen për herë të parë apo kur zbulohen rrethana të reja për ato që kanë kaluar vetingun më parë.

Z. Bardhi, në relacionin e draftit tuaj nuk përmendet që PD-ja të jetë konsultuar për nismën me partnerët strategjike. A keni marrë ju mbështetjen e ndërkombëtarëve për vetingun politik, por edhe për dy propozimet e tjera?

Bardhi: Në fakt kjo iniciativë kushtetuese është konsultuar me organizimin ndërkombëtar të specializuar për çështjet kushtetuese, siç është Komisioni i Venecias dhe ky është fakt publik që është përmendur gjithashtu edhe në relacionin që shoqëron propozimin tonë. Ekspertët e këtij Komisioni janë shprehur se “Nga takimet (shkëmbimet e mendimeve) e ndryshme që patën Raportuesit gjatë vizitës në Shqipëri, duket qartë se ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elemente kriminale”, dhe se “për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik duket si një qëllim legjitim”. Komisioni i Venecias, duke ju referuar rastit “Berlusconi kundër Italisë”, ka risjellë në vëmendje konkluzionin e arritur në atë çështje, sipas të cilit: “skualifikimi që anulon një mandat zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë”. Nga ana tjetër, partnerët strategjik në Shqipëri, SHBA-BE, janë informuar për përmbajtjen e iniciativës sonë.

Pyetje: Për të kaluar te ndryshimet kushtetuese që do të imponojë më pas edhe Kodin Zgjedhor. Ne jemi mësuar të shohim komision të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë ka ankimime për cilësinë e zgjedhjeve. Mos ka ardhur momenti që të kemi një kod të ri zgjedhor, jo thjesht amendime? Pse nuk e keni kërkuar këtë, por doni thjesht rikthimin e koalicioneve? Është kjo thjesht një interes i ngushtë i PD-së?

Bardhi: Ka një pasaktësi apo mossqarim të asaj që ka propozuar PD-ja sa i përket zgjedhjeve. Ajo që ne kemi propozuar është zhbërja e ndryshimeve të njëanshme kushtetuese të 30 korrikut, si një akt papërgjegjshmërie nga maxhoranca dhe si e vetmja mënyrë që i hap rrugë një reforme të plotë dhe të thellë zgjedhore, të realizuar me konsensus dhe gjithëpërfshirje. Ky ndryshim kushtetues, i propozuar nga ana jonë është shoqëruar edhe me kërkesën për ngritjen e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, që duhet të shqyrtojë të gjitha çështjet që përbëjnë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pyetje: Në procesin e verifikimit paszgjedhor të kutive të votimit deri më tani rezulton se nuk ka ndryshime të mëdha të votave sa i përket një partie apo një tjetre. Diferenca më e madhe po del që “vjedhja” ka ndodhur brenda listës së tënjëjtës parti. Në propozimet tuaja do të kërkoni sërish listë të hapur?

Bardhi: Në propozimin tonë ne e kemi ruajtur votën preferenciale, duke ia deleguar ligjit aspektet e zbatimit të saj. Në fakt, procesi i numërimit të votave preferenciale të kandidatëve ka qenë një proces edhe më kompleks dhe i vështirë sesa ai i numërimit të votave për subjektet zgjedhore. Kjo është ndoshta arsyeja që pasaktësitë më të mëdha janë vërejtur në procesin e numërimit të votave preferenciale për kandidatët. Mirëpo është fakt që në 99 % të rasteve pasaktësitë duken të jenë gabime normale njerëzore. Në këtë kuptim nëse nga 100 kuti të rinumëruara, rezulton se një kandidat ka plus apo minus 10 vota gjithsej, nënkupton që ai ka plus apo minus 1 votë për çdo 10 kuti. Kjo është një pasaktësi e pranueshme, që përfshihet brenda gabimit të pranueshëm njerëzor, sa kohë procesi nuk është elektronik dhe zakonisht kryhet pandërprerje, përfshirë edhe orët e vona të natës. Në fakt, ky proces rinumërimi po provon edhe njëherë që formula e përbërjes së komisioneve zgjedhore është formula që jep garancinë e nevojshme për të gjitha palët që të mos kemi një proces votimi apo numërimi të deformuar.

Sa i përket reformës territoriale, nga diskutimet e para flitet për rikthim të komunave. A është kjo ideja e propozimeve tuaja?

Propozimi ynë bën një ndarje të qartë midis njësive të qeverisjes vendore në zonat rurale dhe në zonat urbane, për shkak të problematikave të ndryshme që hasen dhe për shkak se ka një ndryshim thelbësor në filozofinë e zhvillimit të zonave urbane krahasuar me ato rurale. Nuk ka rëndësi sesi quhen këto njësi vendore, komuna apo bashki rurale, e rëndësishme është që qytetarët e zonave rurale të kenë mundësi të marrin shërbimet e tyre sa më afër zonës ku banojnë. Qëndrimi ynë është që numri i njësive të qeverisjes vendore duhet të jetë më i madh sesa është aktualisht, por sigurisht më i vogël se ai që ka qenë përpara ndryshmeve të njëanshme të vitit 2015. Sot, kemi njësi vendore me një numër popullsie shumë të madhe, gjë që pamundëson një shërbim cilësor për të gjithë qytetarët.

Pyetje: Z. Bardhi në një kohë që PD ka depozituar propozimet e saj, edhe PS ka depozituar një amendament për zgjatjen e mandatit të organit të vetingut. Ndërkohë që ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, i bëri thirrje Parlamentit që të votojë zgjatjen e mandatit të vetingut. Ju nuk keni deklaruar votën kundër kësaj nisme, por që do ta studioni atë. Tani që janë të dyja propozimet nga PD-ja dhe PS-ja, cilat do të kenë prioritet në shqyrtimin tuaj?

Bardhi: Ne kemi bërë propozime konkrete dhe jemi të hapur të diskutojmë të gjitha çështjet në Parlament. Ajo që është e rëndësishme është se vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të ndërpritet, për shkak se Kushtetuta ka siguruar mekanizma që sigurojnë që procesi të vazhdojë derisa të përfundojë. Organet ekzistuese që kryejnë vetingun kanë afat deri në qershor 2022 dhe deri atëherë kemi kohë të vendosim se çfarë të bëjmë me mandatin e këtyre 14 njerëzve. Para se të merret një vendim i tillë duhet të analizohet fillimisht çfarë është bërë deri tani, si ka ecur procesi, pse ka pasur ritme kaq të ngadalta. Vetëm pas një analize të plotë ne do të jemi në gjendje të vendosim cila është me e mira për qytetarët dhe për procesin. Prioritetet në axhendën e Parlamentit duhet të caktohen sipas prioriteteve që kanë edhe qytetarët shqiptar.

Pyetje: Po me aleatët, dhe anëtarët e koalicionit i keni konsultuar këto propozime? Petrit Vasili foli për pazar politik në një postim në “Facebook” ditën e enjte.

Bardhi: Propozimet janë bërë nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Aleatët janë informuar, por nuk janë konsultuar, sa kohë kjo është një iniciativë për të cilën më parë ka pasur dakordësi nga të gjithë partitë aleate me PD-në. Kujtoj këtu që propozimi ynë është vijim i propozimit të bërë në vitin 2018, ku janë pasqyruar të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet që asokohe dha Komisioni i Venecias.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *