Ndryshimet në statut/ Reagon Edit Harxhi: PD çalon nga moszbatimi i rregullave! Faji nuk është i Lulzim Bashës, por…








Ish-kandidatja për kryetare të PD, Edit Harxhi ka reaguar pasi Komisioni për Statutin në PD miratoi propozimet e kryetarit, Lulzim Basha, duke hedhur poshtë propozimet e tjera.

basha-harxhi

Teksa i drejtohet anëtarëve të këtij Komisioni, Harxhi shkruan se ata janë po aq bashkëfajtorë për shkatërrimin e PD, sa Lulzim Basha. Sipas saj, Partia Demokratike nuk çalon nga statuti, por nga moszbatimi i rregullave.

Harxhi, i qëndron mendimit të saj, se Lulzim Basha duhet të ishte larguar pas 4 humbjeve me radhë.

“Ju them se jeni po aq bashkëfajtorë sa Lulzim Basha për shkatërrimin e PD-së. Mund të kishit zgjedhur të mos bëheshin ndryshime statutore sepse PD-ja nuk çalon nga Statuti dhe rregullat por nga mos zbatimi i tyre, shmangia e përgjegjësive dhe nga shmangia e parimeve bazë mbi të cilat është krijuar.

Po si mund të pranoni ju një Kryetar në detyrë humbës, pas katër humbjeve seriale, kur e ka lënë opozitën dhe vendin pa opozitë dhe jashtë të gjitha pushteteve qëndrore dhe vendore, sepse mendonte se kështu mund të negocionte më lirshëm me Kryeministrin në detyrë për hallet dhe fitimet e tij? Përgjegjësia politike nuk mund të ketë parashikim statutor pasi varet nga morali në politikë, por në mungesë të këtij të fundit nuk mund të shkatërrohet gjithë organizata politike”, shkruan Harxhi.

Ish-kandidatja për kryetaren e PD-së, bie dakord që Rama ka tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve, por thekson se kjo ka ndodhur kur Basha flinte mbi dafina dhe shpresonte se pushteti do ti vinte në seli të partisë.

“E vërtetë, Edi Rama ka tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve por kjo ndodhi gjatë kohës që Kryetari ynë në detyrë flinte mbi dafina dhe shpresonte se pushteti do ti vinte në seli të partisë… dhe ju të gjithë mezi prisnit të ishit në listën e rradhës…Po ku ishte opozita? Ku ishin garancitë që dha Kryetari në detyrë për sigurinë e votës së shqiptarëve? Përsëri do përdorni të njëjtën retorikë si shumë vite më parë dhe do qaheni e do qahemi e do jargaviteni se na i vodhi Edi Rama… Faji është i Lulzim Bashës dhe dikush duhet të dalë të thotë “Mbreti është lakuriq”! I detyrohemi shqiptarëve në këto ditë të vështira të vërtetën, por mbi të gjitha i detyrohemi demokratëve që janë të dërmuar nga protestat me para borxh, pa punë e pa shpresë tu themi të vërtetën”, vijon më tej Harxhi.

Ajo thotë se PD duhet të riformatohet dhe do të qëndrojë derisa kjo të arrihet. Tashmë nuk bën më fajtor, Lulzim Bashën, por anëtarët e Komisionit që votuan ndryshimet ne statut: “Partia Demokratike tashmë duhet rithemeluar, riformatuar, riprogramuar në thelb, në formë dhe përmbajtje, sepse ka humbur besimin e qytetarëve shqiptarë, ka humbur, mbi të gjitha, busullën! E kjo bëhet nga një korpus të ri drejtues. Unë këtu do të jem dhe do të punoj fort deri në fund që kjo të arrihet. Tashmë faji nuk është më i Lulzim Bashës, por i juaji, që qorrazi nuk ju lexojnë më sytë dhe nuk ju dëgjojnë më veshët. Ju jeni po aq bashkëfajtor sa ai!”

Reagimi i plote i Edit Harxhit

Ky mesazh i drejtohet miqve të mi në Komisionin e Përhershëm Statutor të Partisë Demokratike në pamundësi për të biseduar me ta në forumet e partisë.

Në këto ditë të nxehta dhe plot ngjarje në vendin tonë, lajme të besueshme dhe të pabesueshme, kur SPAK po fillon të lëviz në horizont dhe kur tenderat vazhdojnë të ndahen për qoka majtas e djathtas, ju jeni mbledhur sot për të diskutuar ndryshimet statutore në Partinë Demokratike. Pyetja e pare që më vjen ndër mend është: A i keni lexuar mediat që mbrëmë e deri më sot? A ka ndonjë lajm që ju shqetëson shumë dhe ju ka vënë para përgjegjësisë edhe ju?

Unë sapo jam njohur me lajmin se ju të dashur bashkëudhëtarë të kauzës sonë që mendoja do të ishte e përbashkët por nuk duket e tillë, keni marrë vendim të miratoni propozimet për ndryshime statutore të propozuara nga kryetari në detyrë i PD-së Lulzim Basha dhe keni hedhur poshtë propozimet e tjera. A jeni të sigurt se çfarë keni miratuar? Unë endenuk di asgjë zyrtare mbi vendimet e mbledhjes tuaj sot, ajo c’ka di është vetëm nga media. Por nëse kjo është e vërtetë ju them se jeni po aq bashkëfajtorë sa Lulzim Basha për shkatërrimin e PD-së. Mund të kishit zgjedhur të mos bëheshin ndryshime statutore sepse PD-ja nuk çalon nga Statuti dhe rregullat por nga mos zbatimi i tyre, shmangia e përgjegjësive dhe nga shmangia e parimeve bazë mbi të cilat është krijuar.

A e ka lexuar ndonjë prej jush statutin e parë të Partisë Demokratike ku sanksionohet që prej asaj kohe se Këshilli Kombëtar është organi më i lartë i PD-së dhe si i tillë nuk mund të jetë organ këshillues? A ka lexuar ndonjë prej jush Statutin e CDU-së Gjermane dhe konservatorëve Anglezë me të cilin ju mburreni kur shkoni në trajnimet apo takimet e tyre dhe Kryetari në detyrë i përdor sa herë i interesojnë atij të bëjë ndryshime për të fshehur humbjet e tij? Këshilli Kombëtar në të gjitha statutet e Partive të qëndrës së djathtë është organi kryesor ligjvënës me të cilin Kancelarja Merkel nuk mund të mashtrojë askënd dhe as ta shkelë sepse është kushtetuta e një partie. Po ju shkruaj për qendrën e djathtë, se me këto ndryshime që keni miratuar, e keni bërë PD-në përfundimisht liberale; vetëm lexoni premabulën e propozimeve të Z. Basha.

Po si mund të pranoni ju një Kryetar në detyrë humbës, pas katër humbjeve seriale, kur e ka lënë opozitën dhe vendin pa opozitë dhe jashtë të gjitha pushteteve qëndrore dhe vendore, sepse mendonte se kështu mund të negocionte më lirshëm me Kryeministrin në detyrë për hallet dhe fitimet e tij? Përgjegjësia politike nuk mund të ketë parashikim statutor pasi varet nga morali në politikë, por në mungesë të këtij të fundit nuk mund të shkatërrohet gjithë organizata politike.

A takoheni ju me demokratë të thjeshtë nga jugu në veri, të uleni me ta me orë dhe ti dëgjoni, jo në periudha zgjedhjesh kur jeni në lista të sigurta dhe ti pyesni për hallet që kanë dhe ti lexoni në sy dëshpërimin pas 8 vitesh në opozitë? Po me shqiptarët e tjerë që edhe pse jo demokratë në bindje që prisnin ndryshimin, dhe atë e prisnin natyrshëm nga opozita? Mos më thoni se i vodhi Edi Rama? Mos u bëni këtë lloj propagande shqiptarëve e tu flisni për “masakrën elektorale” që edhe Trump po të ishte në krye nuk e ndalonte dot….

E vërtetë, Edi Rama ka tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve por kjo ndodhi gjatë kohës që Kryetari ynë në detyrë flinte mbi dafina dhe shpresonte se pushteti do ti vinte në seli të partisë… dhe ju të gjithë mezi prisnit të ishit në listën e rradhës…Po ku ishte opozita? Ku ishin garancitë që dha Kryetari në detyrë për sigurinë e votës së shqiptarëve? Përsëri do përdorni të njëjtën retorikë si shumë vite më parë dhe do qaheni e do qahemi e do jargaviteni se na ivodhi Edi Rama… Faji është i Lulzim Bashës dhe dikush duhet të dalë të thotë “Mbreti është lakuriq”! I detyrohemi shqiptarëve në këto ditë të vështira të vërtetën, por mbi të gjitha i detyrohemi demokratëve që janë të dërmuar nga protestat me para borxh, pa punë e pa shpresë tu themi të vërtetën.

Problemi nuk është absolutisht tek propozimet e mia, sepse ju të gjithë e keni parë kur i kam dalë përballë Lulzim Bashës në Këshill Kombëtar para katër vitesh pikërisht për këto propozime, për të shpëtuar PD-në, këtë varkë që të gjithë po e kuptojnë se po mbytet, përveç jush. T’ju them të drejtën nuk do të kisha dërguar propozime po të mos ishte për brengën time që duhet të provoj deri në fund për të shpëtuar diçka nga PD-ja… jam e sigurt se do thoni nëse jam unë ajo që do shpëtojë PD-në??? Jo, Jo, gaboheni; janë qindra dhe mijëra demokratë, aktivistë, simpatizantë që duan ta bëjnë këtë por s’po munden dot. Janë ata 28 e mijë e më shumë që u përjashtuan nga listat e zgjedhjeve për Kryetar Partie, kur ju i kërkonit degëve në varësinë tuaj që të votohej për Lulzim Bashën.

Janë qindra dhe mijëra shqiptarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, madje edhe ata që ju i shqetësoni me telefonata në New York e Washington, Londër, Bruksel e Berlin sa here që shihni se peshorja ndërkombëtare anon majtas. Janë ata që shihnin tek ju shpresën për të rrëzuar Edi Ramën dhe rregjimin e tij korruptiv, por nuk munden se nuk ju besojnë më…

Vetëm rimëkëmbja e opozitës dhe kthimi i besueshmërisë tek ajo e kthen besimin! E kjo tashmë bëhet vetëm me rithemelim të Partisë sonë dhe jo me arna të Statutit që ju jeni të parët që e shkelni. Partia duhet ti kthehet anëtarësisë së saj dhe anëtarësia duhet të vendosë për rregullat, për listat e hapura, për kandidatët që duan dhe i promovojnë vetë, për konkurrencën dhe meritokracinë, e njërëzit që duhet ti drejtojnë.

Partia Demokratike tashmë duhet rithemeluar, riformatuar, riprogramuar në thelb, në formë dhe përmbajtje, sepse ka humbur besimin e qytetarëve shqiptarë, ka humbur, mbi të gjitha, busullën! E kjo bëhet nga një korpus të ri drejtues. Unë këtu do të jem dhe do të punoj fort deri në fund që kjo të arrihet. Tashmë faji nuk është më i Lulzim Bashës, por i juaji, që qorrazi nuk ju lexojnë më sytë dhe nuk ju dëgjojnë më veshët. Ju jeni po aq bashkëfajtor sa ai!

Sinqerisht dua të di a i keni lexuar mediat këto 24 orë? A e kuptoni çfarë po ndodh? A e kuptoni që edhe ju ju ka shitur për disa apo shumë grosh? Është shitur kauza që në 2013 dhe ju po bëheni pjesë e shitjes.

Miqtë njeriu i zgjedh vetë sepse janë sipas pëlqimit vetjak dhe nuk ja u zgjedh partia e për këtë ju konsideroj ende të tillë sepse është zgjedhja ime, por më dukeni sot, as më shumë e as më pak, si anëtarë të byrosë politike….

E përsëri ajo do bëhet, PD do ringrihet se duan shqiptarët e unë do jem përsëri këtu me dëshirën për ta reformuar e rithemeluar…

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *