Në listë pritje për miqësoren e Kombëtares, Marku falënderon Josën: Më ka dhënë liri












Herald Marku është kthyer në njeriun gol te Vllaznia. Pavarësisht se luan në pozicionin e mesfushorit të majtë, ai ka arritur që pas tetë javëve të para të jetë golashënuesi më i mirë i Vllaznisë me tre gola të shënuar. Ai ishte autori i golit të vetëm që Vllaznia shënoi në Laç duket i dhënë ekipit të tij një pikë me shumë vlerë në këtë përballje.

marku

Mesfushori, që u lind në Laç, por ka origjinë shkodrane, s’e fsheh gëzimin që i dha ky gol dhe për më tepër që ndihmoi skuadrën e tij që të arrijë të barazojë shifrat e asaj ndeshjeje ndaj Laçit. Marku tregon edhe se është në listën e pritjes së Kombëtares për ndeshjen ndaj Arabisë Saudite.

Jeni i kënaqur me atë gol të shënuar në përballjen ndaj Laçit?

Jam shumë i kënaqur që shënova, jo për aspektin personal, por që kontribuova që ekipi të marrë një pikë në këtë sfidë. Më vjen mirë që ekipi pasi pësoi, gjeti forca për të shënuar dhe reaguam mjaft mirë, pasi kishim mundësi edhe për ta fituar këtë sfidë.

Për çfarë rezultati kishit udhëtuar drejt Laçit?

Ne e dinim mirë se Laçi është një fushë e vështirë, por për të qenë i sinqertë ne kishim shkuar me mendimin për të marrë maksimumin. Por mund të them se edhe barazimi mund të jetë një rezultat i drejtë deri diku për ne dhe mënyrën se si na shkoi ajo ndeshje.

Mendoni se po ktheheni në titullar fiks te Vllaznia?
Për të qenë një titullar i padiskutueshëm duhet që të kem të tjera paraqitje të tilla si kjo në takimin me Laçin. Trajneri më ka dhënë shumë besim dhe liri dhe jam shumë i kënaqur që kam këtë liri veprimi, e cila po më ndihmon të shprehem edhe më mirë në fushën e lojës.

Sa larg Kombëtares është Marku?
Mund të them se Kombëtarja është një ëndërr e çdo lojtari. Nuk jam në listën e parë për miqësoren e Arabisë, por jam te lista e pritjes dhe shpresoj e besoj deri në fund.

Në fundjavë mbyllet faza e parë me një përballje me Ballshin, si e shikoni këtë përballje?
Ne duhet që çdo takim, përfshirë edhe këtë me Ballshin, ta shikojmë si një finale. Nëse do të kërkojmë që të shkojmë larg, atëherë çdo takim dhe çdo skuadër duhet që ta vlerësojmë siç duhet.

Diçka për tifozët kuqeblu, pasi ju mbështesin në çdo ndeshje?
Nuk gjej fjalë për të falënderuar këtë tifozeri të mrekullueshme. Ata na mbështesin në çdo takim dhe çdo moment.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *