Në një vit me inflacion rekord, familjet shqiptare ulën peshën e buxhetit për ushqime, e rritën për…restorante

ne nje vit me inflacion rekord familjet shqiptare ulen peshen e buxhetit per ushqime e rriten perrestorante

Viti 2022 shënoi nivelin më të lartë të inflacionit që nga 1998, teksa çmimet u shtrenjtuan ndjeshëm si rrjedhojë e pasojave të pandemisë në zinxhirin e furnizimit dhe më pak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Inflacioni kulmoi në tetor, në 8.3%, ndërsa ai mesatar arriti në 6.7%, nga 2% vitin e mëparshëm.

Cmimet e ushqimeve u shtrenjtuan mesatarisht me 14%, të karburanteve me 16.6%, të kafeve e restoranteve me 5.2%. Të dhënat e INSTAT, që ka publikuar anketën e buxhetit të familjeve për vitin 2022 tregojnë se në këtë ambient me inflacion të lartë, familjet shqiptare ia kanë dalë që të ulin peshën e buxhetit për ushqimet dhe të shpenzojnë më shumë në kafe e restorante.

Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, zuri 39,7% në buxhetin familjar, me një rënie prej 1.6 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm. Në të kundërt është rritur pesha e shpenzimeve për bar hotele e restorante, nga 5.5% në 7.3%, duke shënuar dhe shtimin më të madh të shpenzimeve në krahasim me të gjitha grupet e tjera.

Sipas INSTAT, në vitin 2022, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një Njësi Ekonomike Familjare, e përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, vlerësohen me 88.367 lekë, të cilat janë 4,5% më të larta se INSTAT raportoi se në vitin 2021. Shpenzimet gjithsej për konsum janë rreth 67 miliardë lekë në muaj për 758.973 NjEF.

Në vitin 2022, grupi “Restorante dhe hotele” ka rezultuar me rritjen më të lartë të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, me 37,5%, krahasuar me vitin 2021, ndjekur nga grupet: “Transport” me një rritje prej 15,7% dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me rritje prej 14,0%. Ndërsa grupi “Shëndet” ka rezultuar me ulje të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, me 17,2%.

Sipas strukturës së shpenzimeve mesatare mujore për konsum grupet kryesore janë:

 Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 35.083 lekë, i cili zë një peshë prej 39,7% në buxhetin familjar. Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë: “mish dhe nënprodukte” me 18,9%, “bukë dhe drithëra ” me 16,9 % ndjekur nga “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 12,9%.

Grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 8.640 lekë, përbën 9,8% të totalit të buxhetit familjar.

 Grupi “Restorante dhe hotele”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 6.448 lekë, zë 7,3% të buxhetit gjithsej.

Sipas INSTAT, Rritja prej 37,5% e shpenzimeve për grupin “Restorante dhe hotele” në vitin 2022 ka ardhur si rezultat I rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupet: “shërbime akomodimi në hotele/komplekse hotelesh Brenda dhe jashtë vendit”, “qëndrime për një natë në hotele, komplekse hotelesh, fshatra turistike, kampingje jashtë vendit” si dhe “shpenzime ushqimi, pije dhe meze në menca (punëtorësh, studentë, etj)”. Rritje e cila është shoqëruar me rritjen e peshës së këtij grupi në strukturën e shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF.

Shpenzimet në grupin “Transport” kanë shënuar rritje prej 15,7%, krahasuar me vitin 2021, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupet: “karburante”, ndjekur nga: “shpenzime për autobuz/mikrobuz shkolle” si dhe “shpenzime për bileta ditore, mujore ose sezonale për transportin lokal”. Peshën më të madhe brenda këtij grupi e përbëjnë “shpenzimet për karburante”, mbi 50%.

Shpenzimet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan” kanë shënuar një rritje prej 14,0%, krahasuar me vitin e kaluar, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupin “duhan” me (16,1%)”, ku dhe brenda grupit “duhani” zë një peshë prej 64,2%.

Tirana kryeson për konsumin mesatar

Në vitin 2022, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një NjEF në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 104.426 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 85.398 lekë dhe Durrësi me 83.473 lekë në muaj për NjEF. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Dibrës me 72.724 dhe i Kukësit me 73.099 lekë në muaj për NjEF.

Shpenzimet sipas strukturës së familjes

Niveli dhe struktura e shpenzimeve për konsum ndryshojnë në varësi të madhësisë dhe përbërjes së NjEF që ndikojnë në mënyrën e shpërndarjes së buxhetit të disponueshëm. Në vitin 2022, në NjEF-të e përbëra nga dy të rritur pa fëmijë, grupi “Ushqim dhe pije jo-alkoolike” zë peshën më të madhe prej 43,4%, krahasuar me tipet e tjera. Pesha më e lartë për shpenzimet për grupin “Transport” është regjistruar në strukturën e buxhetit të NjEFve të përbëra nga tri ose më shumë të rritur me dhe pa fëmijë, 7,6%.

Në NjEF-të e përbëra nga tri ose më shumë të rritur pa fëmijë në varësi pesha që zënë shpenzimet për “Arsim” është më e lartë krahasuar me tipet e tjera. Në NjEF në përbërjet e të cilave ka fëmijë janë shënuar peshat më të larta për grupin “Veshje dhe këpucë”.

ne nje vit me inflacion rekord familjet shqiptare ulen peshen e buxhetit per ushqime e rriten perrestorante

ne nje vit me inflacion rekord familjet shqiptare ulen peshen e buxhetit per ushqime e rriten perrestorante

ne nje vit me inflacion rekord familjet shqiptare ulen peshen e buxhetit per ushqime e rriten perrestorante 1

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts