
21:10 10/04/2022
Prokurorja e Përgjithshëm e Ukrainës thotë se 1222 trupa janë gjetur në rajonin e Kievit që kur forcat ruse u tërhoqën nga zona.
Iryna Veneditktova i tha Sky News se autoritetet ukrainase po hetojnë 5,600 raste të krimeve të dyshuara të luftës të kryera nga trupat ruse që nga fillimi i pushtimit. Ajo po ashtu tha se ishin identifikuar mbi 500 kriminelë të dyshuar lufte, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë dhe qeveritarë në Rusi.
“Ajo që shohim në të gjitha rajonet e Ukrainës janë krime lufte, krime kundër njerëzimit”, tha Veneditktova.
Sipas kryeprokurores, Ukraina ka prova që Rusia kreu një sulm me raketa në një stacion treni në qytetin lindor të Kramatorsk, i cili vrau më shumë se 50 njerëz që prisnin një tren për t’i çuar në perëndim.
Rusia ka mohuar se ishte përgjegjëse për sulmin e së premtes dhe pretendon se nuk ishte raketa e tyre. Ajo gjithashtu ka mohuar të ketë shënjestruar civilët./tvklan.al