Në shtetin australian Victoria rastet me COVID-19 rriten ndërsa protestat vazhdojnë

Duke mos u shqetësuar nga një rritje alarmante e të prekurve nga koronavirusi (COVID-19), apo qindra arrestimeve gjatë ditëve të fundit, demonstratat kundër vaksinimit të detyruar në shtetin australian Victoria vazhduan edhe sot.

Protestat kanë shpërthyer gjatë gjithë javës pasi qeveria e Victorias mbylli industrinë e ndërtimit për dy javë dhe e bëri të detyrueshëm vaksinimin e punëtorëve të ndërtimit.

Protestuesit dolën në rrugët e Melburnit, Ballarat, Geelong, Surf Coast Shire dhe Mitchell Shire, duke u përballur me një prani të shtuar të forcave policore në shumicën e zonave.

Qindra persona u mblodhën në Shenjtërinë e Kujtimit, memoriali i luftës në Melburn, duke brohoritur mesazhe kundër kryeministrit të Victoria-s, Daniel Andrews, një ditë pasi 215 persona u arrestuan pas një konflikti disa orësh në vend.

Gjithashtu, të paktën 62 persona u arrestuan të martën pasi përleshjet midis protestuesve dhe policisë në qytetin e dytë më të madh të Australisë lanë 4 persona të plagosur, përfshirë një gazetar.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, i cili është në SHBA, i quajti protestat “të turpshme” dhe “mosrespektuese”.

“Sjellja e tyre ishte e turpshme. Kjo ishte pa respekt dhe i çnderoi ata australianë që kanë bërë sakrificën e fundit dhe unë shpresoj që të gjithë ata që ishin në to do të kenë turp”, u citua të ketë thënë ai nga ABC News.

Dislokimi i policisë u rrit në zyrat e Unionit të Ndërtimit, Pylltarisë, Detarisë, Minierave dhe Energjisë (CFMEU), e cila është vënë në shënjestër nga protestuesit për mbështetjen e vendimeve të qeverisë së shtetit.

John Setka, shefi i CFMEU, ka fajësuar neonazistët dhe ekstremistët e ekstremit të djathtë për demonstratat e dhunshme.

Autoritetet u detyruan të mbyllin sot një klinikë dhe një qendër vaksinimi në Melburn sepse disa anëtarë të stafit u abuzuan verbalisht dhe fizikisht, përfshirë këtu edhe pështyrjet e shumta, derisa vinin në punë.

– Infeksionet shënojnë rekord të ri

Rritja e vazhdueshme e nxitur nga varianti shumë infektiv Delta i çoi rastet ditore në Victoria në një rekord të lartë sot.

Gjatë ditës së kaluar u regjistruan 766 raste të reja në shtet, duke e rritur numrin e përgjithshëm në 30.961.

Sipas të dhënave të fundit, aktualisht në Victoria ka 6.666 raste aktive me COVID-19, me 257 pacientë në spitale dhe 60 në repartin e kujdesit intensiv.

Katër viktima të tjera u regjistruan gjithashtu në shtet, duke e çuar numrin e vdekjeve në 840.

Numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Australi tani qëndron në 90.372, përfshirë 1.186 viktima, tregojnë të dhënat e fundit.

Po ashtu janë 19.500 raste aktive në vend dhe të paktën 1.518 persona aktualisht janë hospitalizuar.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *