Nën akuzë nga UEFA, Siti tjetër skandal me financat. Ja çfarë i pret “qytetarët”








Rikthehen fantazmat e së shkuarës te Mançester Siti dhe nuk janë nga ato që thjesht kalojnë, por të prishin humorin e ditës, ose mund të të cenojnë edhe të ardhmen. Bëhet fjalë gjithnjë për paratë, sepse shumë gjëra vërtiten pikërisht rreth parave…

mancester siti

HETIMI I ANGLEZËVE

Mançester Siti është rikthyer në qendër të polemikave pas ndëshkimeve që mori nga UEFA një vit më parë për shkelje të “Fair Playt”-t financiar. Dënimi i parë ishte përjashtimi nga Liga e Kampioneve, por pas një procesi gjyqësor, u konvertua në një gjobë disa miliona euro. Nuk ka mbaruar me kaq. E përditshmja angleze “Daily Mail” ka vazhduar të hetojë rreth ngjarjes dhe ka mundur të sigurojë email-e, që sipas saj, tregojnë anën e errët të mënyrës se si veprojnë drejtuesit e Sitit sa u përket financave. Kjo media raportonte dje se klubi britanik ka kryer parregullsi të shumta dhe ka mashtruar me bilancin ekonomik të viteve të fundit.

AKUZA PËR MASHTRIM

Akuzat e së përditshmes angleze janë shumë të rënda: “Mançester Siti ka manipuluar kontratat publicitare dhe ato të sponsorizimit me kompani të ndryshme. Në shënjestër të këtij hetimi është marrëveshja me kompaninë “Etihad” në sezonin 2010-2011, e cila sipas “Daily Mail”, është ndryshuar me qëllim që të fryheshin artificialisht të ardhurat nga sponsorët për të justifikuar shpenzimet e çmendura. Për ta thënë më qartë: kontrata është deklaruar për 4 milionë euro, por në fakt në arkat e klubit janë derdhur 14.6 milionë euro.

SKANDALI ME UEFA-n

E përditshmja angleze nuk është ndalur vetëm me këtë detaj. Ajo ka gërmuar më thellë dhe shton dozën e akuzave, duke përfshirë edhe UEFA-n. Sipas kësaj medie, në vitin 2014 UEFA dhe klubi britanik kanë zhvilluar takime sekrete për të paravendosur se çfarë dënimesh do të merrte Mançester Siti edhe për shkelje të tjera të mëparshme. Kujtojmë se për financat e klubit britanik u mor edhe “Football Leaks”, që në vitin 2019 i kishte kushtuar disa dosje edhe skuadrës që sot drejtohet nga Guardiola.

RREZIKU

Nëse vërtetohet se Mançester Siti ka shkelur rregullat e “Fair Play”-t financiar, atëherë mund të ketë sanksione të rënda në adresë të klubit anglez. Por jo vetëm kaq, sepse nëse vërtetohet se janë manipuluar dokumente të tjera, atëherë situata mund të përfundojë shumë më keq. Deri tani “Daily Mail” thotë se nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare nga klubi, ndonëse ua ka kërkuar një të tillë atyre para se të publikohej artikulli.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *