Nënpresidentja Harris viziton kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara: Do kemi një ditë produktive

Nënpresidentja Kamala Harris mbërrit në kufirin SHBA-Meksikë, të premten në kuadrin e përpjekjeve të administratës së Presidentit Biden për të frenuar rritjen e emigrantëve që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa po shqyrtohen shkaqet kryesore të emigrimit nga Amerika Qendrore. Kjo është vizita e saj e parë në kufi si nënpresidente.

Zonja Harris bëri një vizitë të paparalajmëruar në Pikën e Hyrjes në Paso del Norte, ku ajo vizitoi një zonë pritjeje për emigrantët, përfshirë një zonë për fëmijë të pashoqëruar. Ajo foli me një agjent të patrullës kufitare e cila tha se kushtet e saj janë përmirësuar në këtë objekt gjatë dy viteve të fundit. Nënpresidentja u shoqërua nga kreu i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas, të cilin ajo e vlerësoi për “bërjen e një pune të shkëlqyer”. Para se të vizitonte kufirin, Nënpresidentja Harris bëri një ndalesë në një objekt të Doganave dhe Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara (CBP) dhe u takua me Përfaqësuesen Veronica Escobar në El Paso, Teksas.

“Jam e lumtur që jam këtu. Ishte gjithmonë plani për të ardhur këtu dhe unë mendoj se do të kemi një ditë të mirë produktive”, tha ajo pasi mbërriti në El Paso. Nënpresidentja Kamala Harris përballet ndoshta me momentin më sfidues politik gjatë vizitës të premten në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, si pjesë e rolit të saj në drejtimin e përgjigjes së administratës së Presidentit Biden ndaj një rritjeje të madhe të emigracionit.

Gjatë qëndrimit në El Paso, Teksas, ajo takohet edhe me aktivistët e organizatave me orientim fetar, si dhe me ofruesit e shërbimeve ligjore dhe të strehimit, si dhe do të mbajë një fjalim. Nënpresidentja është përballur me muaj të tërë kritikash nga pjesëtarë të të dyja palëve politike, për refuzimin deri më tani për ta bërë udhëtimin dhe për shpjegimet e saj të paqarta për arsyen.

Republikanët kanë shfrytëzuar mungesën në kufi të Nënpresidentes Harris dhe Presidentit Joe Biden për ta kritikuar administratën si të dobët në sigurinë e kufirit, duke u përpjekur kështu të ringjallin një armë të fuqishme politike kundër demokratëve, në kohën e duhur për zgjedhjet e vitit 2022 për në Kongres. Me ish-Presidentin Donald Trump që pritet të vizitojë kufirin, më pak se një javë pas Nënpresidentes Harris, republikanët do ta vëzhgojnë nga afër vizitën e saj për material për sulme të mëtejshme.

Ndërsa zyrtarë të ndryshëm të administratës kanë bërë vizita të shumta në kufi, mungesa e Presidentit Biden dhe Nënpresidentes Harris ka bërë që disa demokratë të shqetësohen se dëmi tashmë është bërë.

“Administrata po i bën demokratët të duken të dobët”, tha Ligjvënësi demokrat i Teksasit, Henry Cuellar në një intervistë për agjensinë e lajmeve The Associated Press. “Kam dëgjuar, nga demokratët dhe republikanët në zonën time, (të pyesin se) çfarë dreqin po ndodh me këtë administratë?”

Distrikti i zotit Cuellar shtrihet nga jugu i San Antonios deri në kufirin SHBA-Meksikë, dhe vitin e kaluar ai fitoi rizgjedhjen me diferencën më të vogël të karrierës së tij gati dy dekadëshe. Ndërsa ai thotë se nuk është i shqetësuar për betejën e tij për t’u rizgjedhur, ai shton se, “shqetësohem për kolegët e mi”. Komentet e zotit Cuellar pasqyrojnë një shqetësim më të gjerë mes disa demokratëve dhe aktivistëve të emigracionit se administrata e Presidentit Biden ua ka dorëzuar republikanëve debatin për sigurinë kufitare.

Muajt e parë në detyrë të Presidentit Biden kanë patur një numër rekord të emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin. Agjensia për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare të Shteteve të Bashkuara regjistroi më shumë se 180’000 raste në kufirin meksikan në maj, shifra më e lartë që nga marsi i vitit 2000. Këto numra u rritën nga një masë që ndaloi aplikimin për azil për shkak të pandemisë së koronavirusit; kjo inkurajoi përpjekjet e përsëritura për të kaluar kufirin sepse nuk kishte pasoja ligjore nëse kapeshin.

Republikanët po i shfrytëzojnë këto shifra për t’i sulmuar Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Harris si të dobët për sa i përket sigurisë së kufirit, një mesazh që Partia Republikane e përdori me sukses gjatë fushatës së vitit 2020.

Zyrtarët e administratës, përfshirë Nënpresidenten Harris, janë përpjekur t’i kundërvihen këtij perceptimi. Gjatë vizitës së saj të fundit në Guatemalë, Nënpresidentja Harris u dërgonte emigrantëve vazhdimisht mesazhin: “Mos ejani”. Por këto komente tërhoqën kritika nga disa progresistë, veçanërisht nga Ligjvënësja e Nju Jorkut, Alexandria Ocasio Cortez, e cila e quajti mesazhin “zhgënjyes”.

Ishte një incident që nënvizoi situatën politike pa ndonjë fitore të mundshme, në të cilën ndodhet Nënpresidentja Harris, duke u përballur me një problem të pakontrollueshëm për disa nga administrata e kaluara dhe që është përdorur nga të dyja palët për të siguruar pjesëmarrjen gjatë sezonit të fushatës. Nëse Presidenti Biden zgjedh të mos kandidojë për një mandat të dytë, Nënpresidentja Harris do të shihet si pretendentja kryesore për ta zëvendësuar atë, dhe çështja e emigracionit mund të bëhet një shans që ajo të tregojë arritjet e saj, ose e kundërta.

Në të vërtetë, republikanët e sulmuan paraprakisht Nënpresidenten Harris për vizitën e saj në kufi, me ish-Presidentin Trump që pretendon meritën për vendimin e saj për të shkuar. Këshilltarët e Nënpresidentes Harris kanë theksuar se fokusi i saj kryesor në lidhje me emigracionin është adresimi i shkaqeve rrënjësore të emigrimit. Ajo ka kërkuar zgjidhje ekonomike dhe humanitare për të përmirësuar kushtet për banorët e vendeve të Amerikës Qendrore dhe Veriore që largohen drejt Shteteve të Bashkuara. Ndihmësit e saj e paraqitën udhëtimin e saj në kufi si pjesë e një përpjekjeje për të kuptuar më mirë se si duhet zgjidhur problemi.

“Ajo që ndodh në kufi ka rëndësi dhe është e lidhur drejtpërdrejt me atë që po ndodh në Guatemalë, El Salvador dhe Honduras”, tha zëdhënësja e Nënpresidentes Harris, Symone Sanders. “Kjo lidhet drejtpërdrejt me punën e bërë për të trajtuar shkaqet themelore të emigrimit”. Nëpresidentja Harris shoqërohet në udhëtim nga Sekretari i Sigurisë Alejandro Mayorkas, senatori demokrat i shtetit Illinois Dik Durbin dhe Ligjvënësja demokrate Veronica Escobar, e cila përfaqëson distriktin e atjeshëm

Nënpresidentja Harris nuk kishte në plan të vizitonte qendrën e ndalimit të emigrantëve në bazën ushtarake Fort Bliss, e cila ka tërhequr kritika nga aktivistët të cilët kanë folur për kushte të pasigurta dhe akuza për abuzim ndaj disa prej mijëra fëmijëve të strehuar atje. Ligjvënësi Cuellar e quajti vendimin e saj për të vizituar El Pason “politikisht të sigurt”, sepse, tha ai, shumica e aktivitetit në kufi ndodh më larg në jug. Domingo Garcia, president i Lidhjes së Qytetarëve të Bashkuar të Amerikës Latine, një organizatë latine e të drejtave civile, shprehu shqetësimin se vizita e Nënpresidentes Harris ishte “një ditë me vonesë dhe me një dollar mangët”.

“Pothuajse të jep ndjesinë sikur i kanë detyruar bashkësitë lokale, si dhe sulmet politike të republikanëve nga e djathta”, tha zoti Garcia. Por, gjithsesi, zoti Garcia tha se ishte i lumtur që po ajo po shkonte dhe shprehu optimizëm se vizita e saj mund të ndihmojë administratën e Presidentit Biden të korrigjojë kursin e saj mbi çështjen e emigracionit dhe të tregojë një kontrast me qëndrimin e ashpër të administratës së ish-Presidentit Trump për sigurinë e kufirit. “Ata duhet ta zotërojnë këtë dhe duhet ta zgjidhin, sepse ka nevojë për një zgjidhje dypartiake”, tha ai./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *