Nga 7 epitetet e Ramës te gafa e Jenisherit dhe debatet për shkarkimin e Metës/ Çfarë ndodhi dje në seancë






Në seancën e posaçme për shkarkimin e Presidentit  Ilir Meta për shkelje të rënda të Kushtetutës Kryeministri Edi Rama sulmoi kreun e shtetit. Rama përdori në adresë të Metës 7 epitete për të treguar sjelljen dhe veprimet e tij si President. Për kreun e qeverisë, Meta tradhtoi misionin e Presidentit, poshtëroi Kushtetutën, shembi institucionin, dhunoi kufirin e ndarjes së pushtetit, turpëroi vendin, shkarraviti fytyrën e shtetit dhe u  bë gazi i botës, megjithëse u shpreh “Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir”. 

seanca

Pandeli Majko që u rikthye në seancë për herë të parë pas zgjedhjeve të 25  prillit, u shpreh se megjithëse e ka të vështirë, do të votojë pro shkarkimit të Presidentit Meta, pasi sipas tij ka shkelur Kushtetutën. Majko shpjegoi se vota pro shkarkimit në thelb i ka raportet me të vërtetën.

EDI RAMA 

“Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin  shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me SHBA-në. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe  përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht në  mënyrë të përsëritur për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz  Ilir Metën duke u bërë gazi i botës në sy të miqve të saj dhe  vetë qytetarëve të saj. Prandaj, ky Parlament duhet të ushtrojë pa ngurrim vullnetin e më shumë se 90 për qind të  popullit shqiptar për ta shkarkuar Ilir Metën nga detyra. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotëm nuk mund të ketë kurrsesi më statusin e lartë që i ka dhënë Parlamenti. Ilir Meta ka mbaruar punë me rolin që mori nga Parlamenti dhe fjalët për të si President kanë mbaruar. Tani të flasë Parlamenti me votë.”

PANDELI MAJKO

“Presidenti i Republikës është një individ i burgosur nga privilegjet e veta, por jo e kundërta. Presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën, ka shkelur betimin e tij. Arsyeja pse kam dalë sot është për të nënvizuar pozitën time të vështirë. Kryetari i grupit parlamentar e di shumë mirë që unë e kam refuzuar ta firmos për herë të parë kur u iniciua shkarkimi i Presidentit Meta, arsyet janë të shumta. Por tanimë mendoj që Presidenti Meta është bërë promotor i mos seriozitetit të shtetit shqiptar edhe karshi të tjerëve. Është e pafalshme në çdo rast, por në marrëdhënie me procesin zgjedhor, në marrëdhëniet me faktorët strategjikë ndërkombëtar, sidomos me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës askush në Shqipëri nuk i ka askujt borxh lidhur me këtë çështje, prandaj shkurt e qartë mendoj se këshillat që në përgjithësi jepen në politikë se më mirë të të urrejnë për atë që je, se sa të të duan për atë që nuk je, qëndron për rastin në fjalë që po diskutojmë sot.

Një votë, e cila sigurisht që më rëndon shumë, por është një votë e cila në thelb ka raportet me të vërtetën. Një e vërtetë, e cila në thelb fton çdo deputet të ballafaqohet me të. Ilir Meta ka qenë pjesë e jona dhe është votuar nga kjo masë votuesish. Kjo që po diskutojmë sot dhe do të marrim  vendim me votë të fshehtë do të gjykohet në Gjykatën Kushtetuese. Në thelb ne prodhojmë një akt, i cili do të kalojë në  filtrat e juristëve më me përvojë të Gjykatës Kushtetuese. Por, mendoj që raporti ynë me të vërtetën duhet të jetë i qartë. E qarta është e shkruar e zeza mbi të bardhë, ndaj do të votoj pro shkarkimit të Presidentit të Republikës, për të tjerat do të na gjykojë koha dhe ajo që do të vijë”.

TAULANT BALLA

“Jam krenar që në krye të këtij grupi parlamentar, asnjëherë grupi i PS-së nuk ka çeduar në aspektin e korrektësisë. Një  vendimmarrje që kemi marrë sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe natyrshëm që ky grup do të votojë pro shkarkimi  të zotit Meta. Për të cilin i bashkohem asaj që tha zoti Majko, edhe për shkak të viteve të gjata të njohjes dhe punës së përbashkët. Jam i keqardhur që Ilir Meta nuk u soll dot si President Republike dhe pse unë jam një prej deputetëve që në 28  prill të 2017-ës e kemi mbështetur zgjedhjen e tij. U zgjodh President, por që për fat të keq, por ai nuk përfaqëson më as unitetin e popullit dhe as unitetin e opozitës pas 25 prillit.

Ish-FRESH-isti jonë sot në procedurën e shkarkimit u mbrojt me  votë hapur nga dy ballistë. Ky është zhvillim pozitiv për historinë politike të Ilir Metës. E nisi rrugën politike si antifashist  i betuar dhe përfundoi duke mbrojtur nga kreu i grupit të Ballit Kombëtar dhe të Balli Demokrat. E thash me keqardhje që PDja dhe lidershipi i saj nuk ditën të mbajë një qëndrim të saj që i bën dëm Shqipërisë. Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qenë prej sot e tutje President i Republikës. Dua ta them me  bindje se askush më parë në historinë e vendit se ka përdhunuar më shume se kaq institucionin e Presidencës, se sa Ilir Meta.  E kemi marrë këtë vendim me bindjen e thellë se ne PS nuk  kemi asnjë synim për të marrë postin e presidentit të Republikës.

Është një moment shumë i rëndësishëm për kuvendin. Hera e parë në 30 vite që çon deri në fund procesin për shkarkimin e presidentit. Këshilla e Venecias në rastin e hetimit  të parë, është e respektuar, në këtë rast Presidenti i Republikës s’mund të jetë më presidenti ynë. Bie dakord me shumë propozime kolegësh, Shqipëria ka tani nevojë për një klimë të re  politike, shpresojmë ta shtensionojmë në kuvendin e ardhshëm. Kuvendi shkarkoi Presidentin Ilir Meta. Dhuratë e bukur Shqipërisë në prag të ditëlindjes së 30-të të Partisë Socialiste”.

Selami Jenisheri: “Koalicion ynë, i drejtuar nga deputeti Kujtim Gjuzi, i është drejtuar Komisionit të Zgjedhjeve për mos të pasur pasoja të tilla për vjedhjet dhe është anashkaluar.  Nuk është dhënë përgjigje. Ne do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese. Do iu dalim zot, nipërve dhe mbesave tona pensionistë, të cilët iu është mohuar e drejta e votimit. Emigrantëve  nuk mund t’u blihen votat”.

Myslim Murrizi: “Kanë thënë se Meta ka bërë shkelje të rëndë. Kushtetuesja do e përcaktojë sesa e rëndë është shkelja e Presidentit. Metën e kanë akuzuar si hajdut për florinjtë e Kërrabës. Më 2009, nisët ta kallëzonit për videon me Priftin, ndërsa ata thanë se Meta është i pastër. Më 2013, ju e morët në krahë. Basha thoshte se Meta është streha e fundit e maskarenjve. Shkarkimi do jetë limonadë para ngjarjeve që do ndodhin në Shqipëri”.

Adriatik Alimadhi: “Do mbahet mend gjatë për sjelljen tuaj kjo seancë. Kjo parti e madhe, PS-ja, sot vazhdon të tregojë  egërsinë e saj, të veprojë me të njëjtën mënyrë sjellje për të demaskuar dhe futur në urrejtje shqiptarët. Nuk flitet këtu për  presidentin Ilir Meta. Shqipërisë i vjen diçka shumë e rëndë në këto momente. Komisioni nuk është në përputhje me ligjin. Ju kam thënë disa herë, në Kushtetutë e keni të qartë; Presidenti  mund të shkarkohet për shkelje të rënda. Kush nga ju përcakton këtë shkelje të rëndë?! Mos u përdorni politikisht. E kam më shumë me ju kolegët e opozitës. Ndaj votoj kundër raportit, por dhe kundër shkarkimit të presidentit të Republikës”.

Fatjona Dhimitri: “Dëshiroj ta nis diskutimin tim me një pyetje: A ka ky Kuvend detyrën që të marrë vendim të tille. Është truk. Dora juaj merr hak ndaj çdo kujt që nuk bën kompromis me krimin. Kërcënimi është i vetmi që ushqen pushtetin tuaj. Fundi juaj është i afërt”.

Artur Roshi: “Sikur maxhoranca të vepronte kaq shumë sa po bë për shkarkimin e Presidentit, vendi nuk do ishte kështu. Ku është shkelja e Presidentit Meta? Thonë se është treguar i njëanshëm. Po, është treguar i njëanshëm, por ka ruajtur balancën. Po ju a jeni duke cenuar simbolin e unitetit?! Iniciativa  e shkarkimit të parë të Metës kishte elemente më serioze, këtë herë jo”.

Halit Valteri: “Kam një problem të madh sot, me veten në radhë të parët pastaj të tjerët. Çfarë do t’i thuash Ilir që harron  Presidentin, del si kryetar partie. Është njeriu simbol i korrupsionit të vendit tonë. Ka forcën të kërcënojë dhe të denigrojë  disa prej nesh por nuk do ketë kurrë forcën të na frikësojë. Një  votë pro shkarkimit të Metës është votë pro së ardhmes europiane të vendit tonë. Me dënimin e Metës mbaron epoka e elefantëve të korrupsionit”.

Kujtim Gjuzi: “Më mirë vonë se kurrë, thonë shkodranët. Disa herë i është kërkuar Metës që të tërhiqet. Pse fut hundët  në zgjedhje, pse bën ndasi, pse mbështetet vetëm bashkëshorten tuaj dhe partinë që ajo drejton. E ke bërë borxh shkarkimin.  Dorëheqja të rikthen në qytetërim. Mirëpo, ke bërë nder në demokraci, sepse nuk e ke lënë Berishën të drejtojë për 12 vjet. Ti do ikësh përmes Gjykatës Kushtetuese dhe jo me votën e Parlamentit”.

Lefter Maliqi: “Jeni kryetradhtarë për masakrën elektorale, drogën dhe krimet. Sot është një fletë-rrufe e dytë e Komisionit Hetimor. Vota ime është kundër shkarkimit të Presidentit. Meta iu dha qeverinë dhe do e keni edhe së paku 30 vjet në politikë. Votimi do jetë monist si më 2019, sepse parlamenti ka dy vjet që është i kapur, ka punuar kundër interesave të shqiptarëve, kjo qeveri ka përdorur kriminelët në zgjedhje”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *