Nga aksesi i lirë në tregun e punës, te skema e identifikimit elektronik të qytetarëve, çfarë u dakordësua dje në takimin e “Ballkanit të Hapur”









KELMENT BAÇI/ Krerët e tre vendeve që janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” firmosën dje në takimin që u mbajt në Elbasan 5 marrëveshje të përbashkëta me qëllim avancimin e marrëdhënieve mes vendeve tona, duke premtuar një të ardhme më të mirë në rajon.

Kryeministri Edi Rama së bashku me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin maqedonas Zoran Zaev firmosën marrëveshjen për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

Sipas krerëve të qeverive, ky bashkëpunim iu jep mundësi qytetarëve të tyre të punojnë në vendet që janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, duke krijuar kështu më shumë mundësi punësimi në rajonin e Ballkanit. Një tjetër marrëveshje me shumë rëndësi ishte ajo për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar më shumë lehtësi lëvizje mes qytetarëve. Po ashtu, dy kryeministrat dhe Presidenti i Serb arritën dakordësinë dhe firmosën edhe për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Rama firmosi marrëveshje edhe për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar, siguri dhe siguri (AEOS) me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kujtojmë që në nisje të këtij samiti, Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje edhe vendeve të tjera të rajonit që të bashkohen me këtë nismë. Për Presidentin e Dhomës së Bizneseve dhe Tregtisë së Serbisë, Marko Cadez, iniciativa “Open Balkan” është shtyrë nga bizneset dhe problemet reale të njerëzve në rajon. Sipas tij, marrëveshjet e arritura mes krerëve të tre vendeve do përshpejtojë “Procesin e Berlinit” për të krijuar një treg të përbashkët rajonal dhe më konkurrues në ekonominë globale. “Open Balkan” vjen si shtysë nga bizneset dhe jo politika.

CEFTA ishte një marrëveshje e mirë për fillimvitet 2000, por ai mekanizëm nuk po funksionon më, është shumë i avashtë. Prandaj, na duhej një shtysë e re dhe hapa realë. Qëkur filluam bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Serbisë 8 vite më parë në Nish, volumi i tregtisë ishte gati zero, ndërsa tani është dyfishuar. Vetëm vitin e shkuar kemi një rritje me 27% të volumit të përgjithshëm tregtar.

Është interesant edhe fakti se rritja e eksporteve shqiptare në Serbi çdo vit është 30% më e lartë, një përqindje jo e vogël. Ky bashkëpunim mund të zgjerohet. T’ju jap një shembull, ju keni nevojë për punëtorë gjatë sezonit veror, ndërsa ne i pëlqejmë shumë perimet që ju eksportoni dhe do donim më shumë nga to”, thotë ai. Sipas, Ramës, Vuçiç e Zaev, “Ballkani i Hapur” është vazhdim i iniciativës së Kancelares gjermane Angela Merkel për të jetësuar krijimin e komunitetit ekonomik të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, nga i cili pritet të përfitojnë bizneset dhe qytetarët e vendeve të rajonit. Ky plan ka të bëjë me heqjen e barrierave tregtare, bashkërendimi i politikave në investime, njohja e diplomave dhe përvojave profesionale në mënyrë të ndërsjellë nga vendet e rajonit dhe inkurajim i marrëdhënieve tregtare online dhe marrëveshjet e nënshkruara dje në Elbasan.

marreveshjet

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.