Nga Bekam tek Suarez, beteja e radhës Barça-Real për ‘galaktikun’ e fundit








Barcelona dhe Reali i Madridit janë mësuar të garojnë ashpër mes tyre në fushë gjatë gjithë historisë. Por shpesh “betejat” mes dy klubeve më të rëndësishme në Spanjë janë zhvilluar edhe në merkaton e lojtarëve. Në horizont po projektohet një tjetër përplasje e madhe mes dy gjigantëve spanjollë. Objektivi i përbashkët quhet Erling Haland.

haland

Ylli i Dortmundit pëlqehet si nga Laporta, ashtu edhe nga Florentino Perez. Edhe pse situata financiare në klubin e Barcelonës është shumë e ndërlikuar, numri një i Barcelonës, Joan Laporta, e ka vendosur të nënshkruajë me sulmuesin norvegjez.

Për këtë ai ka bërë gati strategjinë, ku mes të tjerash, përfshihet edhe një hua nga banka amerikane “JP Morgan”. Por Florentino Perez, nga ana tjetër, nuk dëshiron të humbasë asnjë duel me Laportën jashtë fushe.

Por protagonistë janë edhe palë të treta, me Sitin e Çelsin në Premier dhe PSG-në në Francë, që mund të prishin “pazaret”. Me shumë interes pritet reagimi i PSG-së, që vazhdon të shtrëngojë fort Mbapenë.

Në këtë mënyrë, Haland i ka dhënë jetë një tjetër përplasjeje të madhe mes Barcelonës dhe Realit, që në histori ka parë shumë të tilla.

Gazeta “Marca” ka bërë një analizë, duke iu referuar edhe të tjerë emrave shumë të rëndësishëm të së kaluarës së afërt që kanë shkaktuar përplasje të forta mes dy klubeve spanjolle që kur ato drejtohen nga Joan Laporta dhe Florentino Perez.

BEKAM REFUZOI BARÇËN PËR REALIN

Dueli i parë mes Laportës dhe Perezit do të vinte në verën e vitit 2003. Ishte viti kur Laporta merrte për herë të parë drejtimin e Barcelonës dhe i duhej një lëvizje e rëndësishme në merkato për të ngrohur tifozët dhe për të treguar se vinte me synime të qarta në “Camp Nou”. Në lojë ishte emri i ishyllit të Mançester Junajtidit dhe kombëtares angleze, Devid Bekam.

“Djajtë e kuq” bënin me dije në faqen e tyre në internet se do të arrinin një marrëveshje me Barcelonën nëse Laporta do të fitonte zgjedhjet për president. Siç do të tregonte më vonë presidenti i Barcelonës gjatë një interviste në “Marca”, Junajtidi bëri lojën e tij, duke përdorur Barcelonën si shkëndijë për të ndezur reagimin e Realit.

Vetë Bekam asokohe deklaronte se me të mësuar se Mançesteri dhe Barcelona kishin rënë dakord për kalimin e tij në “Camp Nou”, ka shkuar në klub për t’u komunikuar “Djajve të kuq” se e shihte veten vetëm te Reali.

E vërteta doli më vonë, kur u mësua se Bekam kishte firmosur muaj më parë me Realin. Më 18 qershor 2003 Reali njoftonte firmën me Bekam për katër sezone, duke i paguar 25 milionë euro Mançester Junajtidit.

RONALDINJO
Jemi sërish në verën e vitit 2003. Lufta bëhej për Ronaldinjon. Reali e dëshironte brazilianin në skuadër, por mbërritja e Devid Bekam ndryshoi disi planet.

Barcelona përfitoi nga situata e krijuar në Madrid dhe falë punës së ish-presidentit Sandro Rosell, një muaj pas firmës së Realit me Bekamin, zyrtarizonte transferimin e Ronaldinjos nga PSG-ja. Laportës i duhej patjetër një afrim shumë i rëndësishëm për të mbajtur premtimin elektoral.

Për Ronaldinjon Barcelona i pagoi 25 milionë euro PSG-së, plus 5 milionë të tjera në formë banusesh.

NEJMAR, TELENOVELA PA FUND

Ndoshta ka qenë edhe dueli më i madh mes Madridit dhe Barcelonës që nga ajo e kohës së Di Stefanos. Përplasjet mes Bartomeut dhe Perezit për brazilian shkuan deri në gjykatë.

Agjenti i tij, Ribeiro Vagner, gjatë një interviste për gazeta “L’Equipe” deklaronte se Perez ishte i bindur për afrimin e Nejmarit te Reali për 40 milionë euro nga Santosi.

Mirëpo babai i lojtarit kishte kërkuar më shumë kohë, pasi vetë Nejmar dëshironte Barçën. Reali nuk hoqi dorë deri në fund, duke dërguar tri misione të ndryshme. Ndërsa Barcelona kishte futur në lojë Pikenë dhe Mesin.

Pas një beteje për muaj me radhë, më 26 maj 2013 Barcelona jepte lajmin për transferimin e Nejmarit nga Santosi për 54 milionë euro. Po atë verë, Reali përgjigjej me Garet Bejlin. Siç e tregoi koha më vonë, Barcelona në fakt ka paguar më shumë se dyfishin e shumës së deklaruar.

REAL DYSHOI PËR LUIS SUAREZIN, BARÇA JO

Një tjetër emër i rëndësishëm ishte ai i Luis Suarezit. Reali e dinte fare mirë se uruguaiani ishte 9-ta ideale, por hezitimi i klubit madrilen dhe disa rrethana të papërshtatshme i dhanë përparësi Barcelonës, që shpejtoi për të bërë të vetin yllin e Liverpulit asokohe.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.