Nga blerja e votave te sherri në Elbasan, ODIHR tregon si do vëzhgohen zgjedhjet, KQZ: Ka tension

MARIGLEN KUME/ Misioni i Vëzhgimit të OSBE/ODIHR do të raportojë për atmosferën politike në Shqipëri para zgjedhjeve të 25 prillit, por dhe mënyrën se si do të zhvillohet votimi.

Kryesuesja e Misionit, Ursula Gacek, tha se OSBE/ ODIHR ka mbajtur, do të dalë me një opinion pasi të ketë marrë çdo informacion të mundshëm në lidhje me incidentet në Elbasan me sfond politik e elektoral.

Ajo u shpreh se Misioni i OSBE/ ODIHR do të qëndrojë në Shqipëri deri në 17 maj dhe pritet të dalë me tri raporte për 25 prillin.

“Jemi shumë të kujdesshëm për idetë që do të japim. Ne duam që të marrim çdo informacion të mundshëm lidhur me atë që ka ndodhur që të japim opinionin tonë. Kemi njerëz të ndryshëm që do të jenë në terren dhe do të merren me çdo çështje dhe problematikë që do të dalë. Vendet e nxehta nuk i dimë ende, por do të jemi kudo. Do të përpiqemi të mbulojmë zonat. Nuk do të jemi vetëm në Tiranë, por kudo që do të jetë e mundur”, u shpreh drejtuesja e misionit ndërkombëtar të vëzhguesve.

VOTIMI

Zonja Gacek tha se ishte informuar nga Komisioneri për Zgjedhjet lidhur me përgatitjet që ky institucion ka bërë për zgjedhjet.

Ursula Gacek

“Dje u takova me Komisionerin e Zgjedhjeve. Ka qenë një takim prezantues. Shpresoj që ekspertët e teknologjisë të jenë në bashkëpunim të afërt me KQZ-në. Kemi pasur edhe një mision vlerësimi. Do të shohim çdo pajisje të procesit. Do të ketë një mënyrë të re votimi, që do të jetë sfidë për votuesit. Patjetër që do ta shohim nga afër këtë çështje. Do të ketë program të veçantë për të mësuar mbi votimin. Është pak herët për përfundime”, tha kryesuesja e Misionit, Ursula Gacek.

Sipas saj, do të monitorohet fushata, votuesi, procesi zgjedhor dhe sfidat me të cilat do të përballet kësaj radhe Shqipëria në zgjedhje.

“Do të trajtojmë çështjen e zgjedhjeve, që siç e dini, do të jenë më 25 prill. Do të jemi një skuadër ekspertësh ndërkombëtarë që do të merremi me të gjitha problematikat e zgjedhjeve. Së bashku me ekspertët e skuadrës, shpresojmë të dalim edhe nga Tirana. Do të shohim ç’ndodh në gjithë Shqipërinë, pasi dhe kushtet e pandemisë nuk na lejojnë të veprojmë siç duam. Ky është prezantimi ynë, dhe pse jemi vendosur këtu. Jemi me ftesë të autoriteteve shqiptare. Jemi të ftuar nga Shqipëria. OSBE është e përkushtuar për këto zgjedhje dhe shpreson për zgjedhje të lira e transparente. OSBE duhet të lejohet t’i vëzhgojë këto zgjedhje, edhe Shqipëria është pjesë e OSBE-së”, tha zonja Gacek.

STANDARDET

“Jemi këtu për të vlerësuar si do të shkojnë zgjedhjet. Do të shohim sa do të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ka pasur Reforma, do të kemi shumë gjëra për të parë. Edhe për votuesit do të ketë sfida të reja. Do të shohin shumë aspekte. Do të shohim sa do të jetë në gjendje Shqipëria t’i mbajë. Të gjitha standardet që do të aplikohen në Shqipëri, do të shihen dhe me vendet e tjera. Si një skuadër ndërkombëtare, jemi të paanshëm në mënyrë strikte. Kemi përfaqësues nga Polonia, Britania, Italia, Estonia, Bosnja, Armenia, Taxhikistani.

Jemi këtu shumë kohë para zgjedhjeve, kemi vëzhguar situatën. Patjetër që vëzhgimi i zgjedhjeve do të jetë edhe më i gjerë. Do të shohim se si zhvillohet fushata, por edhe shumë elemente të tjera. Do të kemi vëzhgues nga media.

Ditën e zgjedhjeve jemi këtu si vëzhgues, nuk jemi për të ndërhyrë në zgjedhje. Thjesht jemi si vëzhgues. Nuk jemi të interesuar për rezultatin politik. Jemi të interesuar si do të shkojë procesi, a do të jetë transparent, standardet ndërkombëtare, në krahasim dhe me vendet e tjera. Që ta bëjmë punën siç duhet. Do të flasim me shumë njerëz këtu”, tha Ursula Gacek.

Përplasjet elektorale, KQZ apel politikës

Pas përplasjeve të ditëve të fundit mes partive politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar përmes një deklarate për mediat, ku u bën apel aktorëve politikë për vetëpërmbajtje dhe maturi në sjelljet dhe mesazhet politike dhe elektorale.

“Duke marrë në konsideratë retorikën politike të ditëve të fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbushje të përgjegjësive të veta dhe me qëllimin për të përgatitur, zhvilluar dhe administruar zgjedhjet e datës 25 prill, në përputhje me standardet më të mira për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme, u bën apel të gjithë aktorëve politikë për vetëpërmbajtje dhe maturi në sjelljen dhe mesazhet politike dhe elektorale të tyre. Duhet mbajtur në vëmendje se sjellja dhe retorika e udhëheqësve dhe përfaqësuesve politikë ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë te mbështetësit e tyre, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në cenimin e standardeve të zgjedhjeve në vendin tonë.

Partitë politike janë një element themelor i sistemit demokratik të vendit dhe janë një mjet thelbësor i shprehjes së vullnetit politik të qytetarëve dhe si të tilla kanë përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj qytetarëve që të sillen me përgjegjshmëri dhe maturi. Gjuha e ashpër dhe sjellja konfliktuale nuk i shërben interesit të qytetarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, kusht për integrimin europian të vendit. Jemi në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, ndaj kandidatët dhe partitë politike duhet të respektojnë konkurrentët e tyre.

Zgjedhjet janë për qytetarët dhe fushata zgjedhore është faktori kryesor/qendror në formimin e opinionit të zgjedhësve, ndaj duhet respektuar e drejta e qytetarëve për të krijuar opinionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, si dhe të drejtën e tyre për të pasur zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike.

Gjithashtu, në respekt të standardeve të zgjedhjeve të ndershme, KQZ u bën apel edhe zyrtarëve të angazhuar si garues në zgjedhjet e datës 25 prill, që të ndajnë angazhimin e tyre si kandidatë për deputetë me atë të drejtuesit të entit shtetëror përkatës. Zhvillimi i një gare të ndershme, në kushte të barabarta dhe duke respektuar standardet e kërkuara zgjedhore, i shërben zhvillimit demokratik të vendit”, thuhet në deklaratën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *