Nga kaosi i Ronaldos, deri te lëkundjet e papritura të Ten Hag/ Junajtid në krizë, ja 5 arsyet


















Panorama Sport/ Duket se magjia e Kristiano Ronaldos do të zgjaste një sezon e pak ditë te Mançester Junajtid, duke qenë se realiteti i kësaj aventure të dytë në “Old Trafford” është vërtet i hidhur për portugezin, por edhe për të gjithë pjesën tjetër të ekipit. Pritshmëritë dhe besimi se skuadra do e kalonte krizën e viteve të fundit do të mbetej vetëm një hipotezë. Madje, edhe afrimi i Erik Ten Hagut, i cili u pa si “Mesia” në Mançester, pas rezultateve fantastike që ofroi në miqësoret e verës, rezultuan që të ishin një flakë kashte, pasi te Junajtid pak gjëra kanë ndryshuar, për të mos thënë asgjë.

ronaldo meguajer

Madje, duke parë situatën që po përjetohet edhe falë kaosit që ka krijuar Kristiano Ronaldo, duket sikur situata është përkeqësuar nga sezoni i kaluar dhe humbja 4-0 ndaj Brentfordit nxorri në sipërfaqe një mal me probleme e defekte. Dy humbje në dy javët e para, me 6 gola të pësuar dhe vetëm 1 të shënuar, kanë bërë që “Djajtë e kuq” të hyjnë menjëherë në një krizë, e cila po përçan çdo ditë e më shumë skuadrën dhe arsyet janë të ndryshme. Dhe duke iu referuar medias angleze, arsyet që po çojnë në greminë skuadrën e Ten Hagut janë 5.

1) PORTA – David de Gea ishte në mënyrë absolute e vetmja pikë ku Junajtid mund të mburrej gjatë sezonit të kaluar edhe pse vlejtën vetëm për vendin e gjashtë në renditjen përfundimtare. Në sezonin aktual, në dy “prezantimet” e para përveçse e ka nxjerrë topin 6 hera nga porta, ka kryer 3 gabime të pafalshme, të cilat janë të përkthyera në gola me vlerë humbjen e skuadrës. Shkurt, edhe roli që ofronte më shumë garanci e sigurt ka treguar krisjet e para.

2) MBROJTJA – Edhe pse Junajtid ka kryer goditjen më të kushtueshme, duke derdhur në arkat e Ajaksit 57 milionë paund për Lisandro Martinezin, i cili vlerësohet jashtë mase, ose më saktë “vlerësohej” derisa gjërat të nisnin të bëheshin serioze, fakt është se në dy ndeshjet e para ai nuk i ka “rezistuar” dot 90 minutave të plota. Dhe jo për shkak të gjendjes fizike, por për pritshmëritë teknike që nuk i ka respektuar. Duhet thënë se gjatë kohës kur ai luante te “Harkëtarët”, pozicioni natyral ishte mbrojtës krahu.

Në Mançester ky rol i takon Diogo Dalotit dhe Ljuk Shout, me Martinezin që për të pasur një fanellë titullari është vendosur të luajë në qendër të prapavijës. Por edhe pse këtë rol të ri eksperimental ai e zbatoi me nota të kënaqshme gjatë turneve dhe miqësoreve të verës, në provat e vërteta ndaj Brajtonit dhe akoma më shumë ndaj Brentfordit, Martinez bëri paraqitje skarco, për të mos thënë të dështuara. Topa në drejtim “të paditur”, hendeqe në zonën e tij në pozicionimin me shokët e repartit, ngathtësi në reagim, por edhe përgjegjësi konkrete në pësimin e golit të tretë e të katërt ndaj Brentfordit, bënë që menjëherë ndaj blerjes marramendëse të vërshonin kritika të mëdha.

Por Martinez nuk është i vetmi fajtor! Edhe Herri Meguajër që mori një dozë të fortë kurajoje nga ana e trajnerit Ten Hag, i cili jo vetëm e konfirmoi titullar, por edhe kapiten skuadre, pa dyshim që nuk ka bërë ndonjë gjë më mirë, në 6 golat e pësuar në dy ndeshjet e para. Mos harrojmë se është ende sot mbrojtësi më i shtrenjtë i historisë, por edhe ky fillimsezoni e ka gjetur sërish në vendnumëro, duke parë se rivalët që ka pasur përballë kanë qenë të nivelit mesatar, por sërish hijet e fajit nuk mund t’i largojë dot. I njëjti argument edhe për dy qendërmbrojtësit e tjetër, Varan e Lindelëf, që kurrë nuk kanë dhënë garanci, ndonëse në rastin e tyre ata mund të mbrohen me justifikimin se në sytë e Ten Hagut janë vetëm dy zëvendësues luksi dhe të gjesh stimujt e agresivitet pasi hyn për një grusht minuta nga stoli, është diçka jo e lehtë edhe për lojtarë me eksperiencë si ata,

3) MESFUSHA – Problemi i parë dhe më kryesori: Pol Pogba nuk është zëvendësuar ende, ndonëse në Mançester shpesh akuzohej se humbi shkëlqimin e tij. Gjithsesi, sot në përbërje një kampion bote “Djajtë e kuq” nuk e kanë. E dyta dhe jo më pak e rëndësishmja, lideri i mesfushës së sezonit të kaluar, Bruno Fernandesh ka humbur mes skemave dhe ideve të reja të Erik Ten Hagut, duke mos qenë më aspak efikas.

Po, ka mbërritur Kristian Eriksen që për sa i përket kurrikulumit është e kotë të flasësh, por gjithsesi po flasim për një futbollist që shpreson të kthehet në nivelet e tij, pasi pa vdekjen me sy në Europian. Deri tani, ai që ka spikatur më shumë është braziliani Fred, por çfarë mund të presësh nga një lojtar që në pesë sezone numëron 106 prezenca në Premier Ligë, shumë prej të cilave si zëvendësues. Shkurt, mungon një lider, një lojtarë që të dijë të lidhë repartin, por mbi të gjitha edhe digën mes mbrojtjes dhe sulmit, por deri tani, edhe sikur ai të quhet Frenki De Jong, nuk duket se ka ndonjë shenjë apo shpresë akordi mes futbollistit të Barcelonës dhe Junajtid.

4) SULMI – Jemi në stinën më të nxehtë të vitit dhe thatësira e të shënuarit te Mançester Junajtid është e frikshme. Madje, e pashpjegueshme, duke qenë se në emra kanë një si Kristiano Ronaldo që bëhet gati të prekë kuotën e 1000 golave në karrierë… Xhejdën Sanço erdhi me bujë të madhe, por pas breshërisë me të cilën shënonte në Dortmund, nga mbërritja e tij në sezonin e kaluar e deri më sot e ka dërguar vetëm tri herë topin në rrjetë.

Për të mos folur pastaj për Markus Rashford dhe Entoni Marsial, të cilët jo vetëm që nuk duket se kanë uri për të shënuar, por nuk ka lënë gjurmë qoftë edhe me një aksion të vetëm të rëndësishëm. Sigurisht, kaosi që ka ndezur Ronaldo së fundmi lë një gjurmë të madhe në skuadër dhe në kthjellësinë që nevojitet nga Junajtid përpara portës, por sërish ky nuk është një justifikim që mund të mbajë pas 180 minutave të para në Premier Ligë.

5) TRAJNERI – Në kaos skuadra, në kaos edhe Ten Hag, prandaj mban edhe përgjegjësitë më të mëdha. Mbërriti në Mançester si një gjeneral, duke gdhendur rregulla të ashpra nëpër qendrën stërvitore, por ndërkohë duket se duhet t’i vendosë rregulla të pakundërshtueshme, të pakthyeshmë pikësëpari mendjes së tij. Po, të gjithë u mrekulluan nga futbolli që ofroi në miqësore, por në daljen e parë zyrtare në Premier Ligë ofron modulin 4-3-3 me Sanço-Eriksen-Rashford në sulm, një formë për të treguar muskujt edhe ndaj kapriçove të Kristiano Ronaldos.

Por në ndeshjen e dytë, kalon te 4-2- 3-1 me CR7-ën në majën e sulmit, i mbështetur nga një trio ultraofensive si Rashford, Fernandes, Sanço, por rezultati ishte një disfatë 4-0 e turpshme nga një ekip që luan për mbijetesë sui Brentford. Në të njëjtën kohë, duke iu rikthyer blerjes më të madhe këtë verë, Martinezit, argjentinasi është një mbrojtës krahu natyral, i gjatë vetëm 175 centimetra. Ndaj ideja e tij për ta vënë si qendërmbrojtës, në një futboll shumë fizik dhe mbi të gjitha me topa të gjatë si Premier Liga, duket një tjetër zgjedhje e cila lë pak sa për të dëshiruar në vendimet e tij.

Gjithsesi, në fund i pari që paguan është pikërisht trajneri dhe Ten Hag e di mjaft mirë këtë. Por çështja është: a do ta presin edhe shumë kohë tifozët atë nëse vazhdon me këto rezultate apo jo?! Fundja, kur ultrasit gjetën guximin që t’i kërkojnë në kor idhullit Kristiano Ronaldo që të bëjë gati valixhet, për strategun e ardhur nga Ajaksi, ku realitet është krejt tjetër nga ai te Mançester Junajtid, nuk do të jetë aspak e vështirë që ta “keqtrajtojnë”…

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.