Nga mekanikë e magazinierë deri te punonjës të Kuvendit të punësuar fiktivisht. Lefter Koka “kërkon” kantinën e verës në Gjykatën e Lartë









NIKOLETA KOVAÇI/ Ndërkohë që është i vënë nën dy masa arresti, për aferat në dy inceneratorët, atë të Elbasanit dhe të Fierit, Lefter Koka iu ka drejtuar sërish Gjykatës së lartë.

kantina e pijeve lefterkoka

Kësaj here kërkon që me anë të rekursit të hiqet sekuestroja e biznesit të pijeve. Sipas të dhënave, bëhet me dije se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i ka kërkuar Gjykatës së Lartë heqjen nga sekuestroja të kantinës së verës, ku rezulton të jetë pronar me 88.19% të aksioneve. Rekursi vjen pasi Koka humbi dy beteja të tjera në dy shkallë të gjyqësorit.

Biznesi i tij i njohur u vu në sekuestro pas hetimeve për inceneratorin e Elbasanit, kohë më parë. Ndaj tij rëndojnë akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, “Pastrimit të parave” dhe “Korrupsionit”, ku SPAK e akuzon Kokën se ka përfituar ryshfet në vlerën e 3.7 milionë eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij.

Hetimet disamujore zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit. Më poshtë sjellim detaje nga e njëjta praktikë e ndjekur edhe me rastin e inceneratorit të Fierit. Është dosja e GJKKO-së që sjell të dhëna, emra, kompani dhe transferta të gjitha të dyshimta sipas SPAK.

DOSJA E GJYKATËS

Nga të dhënat bankare të administruara rezulton se shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. ka bërë pagesa për fatura fiktive në drejtim të shoqërive “Pivot 04” në shumën 124, 147, 090 lekë, “Sili” sh.p.k. në shumën 14, 484, 931, si dhe në drejtim të shoqërisë “J.P.Y” sh.p.k. në shumën prej 7.451,050 në vlerën totale prej 146, 083, 071, vlerë monetare kaluar më pas nëpërmjet faturave fiktive, të cilat citohen në përmbajtje të rrethanave të faktit në hyrje të vendimit, pa kaluar të shoqëria “Sucralba” sh.p.k. me administrator shtetasin Ilir Koka, i cili rezulton të jetë vëllai i ministri Lefter Koka. Nga ekstrakti historik i QKB-së për operatorin ekonomik në fjalë, rezulton se kjo shoqëri është themeluar me datë 11.01.1999 nga shtetasi Lefter Koka dhe Alberto Caciaguerra.

Po ashtu, rezulton se shtetasi Lefter Koka ka qenë ortak i kësaj shoqërie nga data 10.04.2009 deri me datë 01.06.2011 në vlerën 5 për qind dhe 95 për qind vëllai i tij Ilir Koka. Ky i fundit, pas kësaj periudhe, ka vazhduar si ortak i vetëm në këtë shoqëri në vlerën 100 për qind. Rezulton se shoqëria “Pivot-04” sh.p.k., me seli në Durrës, është krijuar në datën 28.09.2016 me ortak dhe administrator shtetasin Arbër Denizi. Adresa e selisë është Lagjja nr.15, rruga “Aleksandër Goga”, objekti nr.785.

Në datën 25.05.2018 shoqëria ka pezulluar aktivitetin e saj dhe ka rifilluar në vitin 2020. Rezulton se nga shoqëria “Pivot-04” sh.p.k., është deklaruar si punonjës shtetasi Klement Oketa në vitin 2017. I pyetur për këtë fakt, shtetasi Klement Oketa ka deklaruar se ai nuk ka punuar ndonjëherë në shoqërinë “Pivot04” sh.p.k. dhe se nuk e njeh personin me emrin Arbër Denizi.

Nuk i njeh as edhe punonjësit e tjerë të regjistruar në këtë shoqëri. Të pyetur për rrethana hetimi edhe  punonjësit e tjerë të regjistruar në këtë shoqëri, Genert Baçi dhe Ymer Çyrbja, ata nuk i njohin punonjësit e tjerë që kanë qenë të regjistruar në të njëjtën periudhë, përveç Genert Baçit që njeh njërin prej tyre, Juxhin Schafer, por nuk di nëse ka punuar në të njëjtin vend pune.

I pyetur për këtë fakt, shtetasi Arbër Denizi ka deklaruar se në lidhje me makineritë e punës, ai nuk ka pa mjete në pronësi, por i ka marrë ato nga banorët e zonës, nuk është në gjendje të kujtojë ndonjë emër firme apo personi. Ai ka deklaruar se deklarimet në organet tatimore për librat e shitjeve dhe blerjeve i ka bërë personalisht në Drejtorinë Rajonale Tatimore Durrës, ndërkohë që këto deklarime bëhen online në faqen elektronike të Drejtorisë së Tatimeve.

Nuk ka qenë në gjendje që të shpjegonte emrat e ndonjë prej ekonomistëve me të cilët ka punuar. Ai ka shpjeguar se nuk i njeh punëtorët Genert Baçi dhe Klement Oketa, të cilët kanë qenë të siguruar te shoqëria e tij. Në lidhje me mallrat e blera te shoqëria “Sucralba”, ai ka deklaruar se i ka blerë për t’i tregtuar me pas, por për disa blerje ka kërkuar shkatërrimin e produktit, se ishte prishur dhe nuk mund të tregtohej. Nga aktet e administruara, rezulton se shtetasi Arbër Denizi, në periudhën nga data 21.03.2014 deri në datën 29.07.2018, ka punuar “magazinier” në shoqërinë “Hekurudha Shqiptare”, me pagë mujore 28.000 lekë.

Në kohën që pretendohet se shoqëria “Pivot 04” sh.p.k., ushtronte aktivitet tregtar dhe në kohën që shoqëritë tregtare “Integrated Technology Best Treatment Fier” sh.p.k. dhe “ITS” sh.p.k. transferonin shuma monetare të konsiderueshme në drejtim të shoqërisë “Pivot 04” sh.p.k, si dhe në kohën që shoqëria “Pivot-04” kryente blerje nga shoqëria “Sucralba”, shtetasi Arbër vazhdonte të ushtronte detyrën e magazinierit.

Në lidhje me praktikën e pajisjes me kasë fiskale dhe blerjen e programit të fiskalizimit për shoqërinë “Pivot 04”, rezulton se ky subjekt ka paraqitur aplikim për blerjen e programit në datë 29.07.2021.

Në pjesën e aplikimit mbi të dhënat e klientit është shënuar nr. i telefonit, i cili është përdorur nga shtetasja Olgerta Osmani, me detyrë ekonomiste në shoqërinë “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti”, me aksioner kryesor shtetasin Lefter Koka.

Nga aktet rezulton se shoqëria “Sili” sh.p.k., me seli në lagjen nr.18, “Aleksandër Goga”, godina nr.8556, Durrës, është krijuar në datën 23.09.2016 me ortak dhe administrator shtetasin Silvester Driza.

Me kontratën e datës 28.06.2018, shtetasi Silvester Driza i ka shitur aksionet e shoqërisë shtetasit Agim Seferi. Rezulton se nga shoqëria “Sili” sh.p.k është deklaruar si punonjës shtetasi Dashamir Driza, Rigers Plaku, Zenel Hoxha, Shaban Jaupllari, Xhersi Karaj. I pyetur për këtë fakt, shtetasi Dashamir Driza ka deklaruar se ai nuk njeh ndonjë nga personat e mësipërm të regjistruar si punonjës te kjo shoqëri.

Ai ka punuar te shoqëria “Sili” sh.p.k. për të bërë punën e mekanikut për automjetet e firmës, ai nuk ka dijeni për ndonjë aktivitet tjetër të kësaj shoqërie, përveç shitjes së sheqerit.

I pyetur për rrethanat e hetimit, shtetasi Rigers Plaku ka deklaruar se ka punuar për shtetasin Silvester Driza në një pikë shumice, ai nuk i njeh shtetasit Shaban Jaupllari, Xhersi Karaj dhe Dashamir Driza, si dhe nuk ka punuar në ndonjë vend tjetër, përveç magazinës që kishte në përdorim shtetasi Silvester Driza. I pyetur për këtë fakt, shtetasi Silvester Driza, ka deklaruar se nuk e njeh shtetasin Shaban Jaupllari që ka qenë i regjistruar si punonjës i shoqërisë “Sili” sh.p.k.

Nga aktet e administruara rezulton se shtetasi Dashamir Driza, babai i shtetasit Silvester Driza, është i punësuar si shofer autobusi, në periudhën kohore më parë, në vitet 2011- 2012 ai ka qenë i punësuar në shoqërinë “Sucralba” sh.p.k.

Ndërsa për periudhën kohore prill 2014-prill 2016, ai ka qenë i punësuar në shoqërinë “Hekurudha Shqiptare” sh.a., me pagë mujore 20.000 lekë. Në muajin shkurt të vitit 2017, duke përfshirë edhe kohën që ka qenë ortak dhe administrator i shoqërisë “Sili” sh.p.k, shtetasi Silvester Driza ka qenë i punësuar pranë Autoritetit Portual Durrës, deri në muajin shtator të vitit 2021. Po ashtu, rezulton se shtetasi Agim Seferi ka qenë i punësuar në Kuvendin e Shqipërisë, specialist në Qarkun e Durrësit për deputetet e opozitës për periudhën 28.06.2019-17.09.202l, i cili rezulton të ketë njohje me shtetasin Lefter Koka. Rezulton se shtetasit Silvester Driza dhe Agim Seferi, nga llogaria e tyre personale kanë bërë pagesa qiraje për shtetasin Lefter Koka. Gjate hetimit, janë bërë verifikime në lidhje me praktikën e pajisjes me kasë fiskale dhe blerjen e programit të fiskalizimit për shoqërinë “Sili” sh.p.k. Rezulton se ky subjekt ka paraqitur aplikim për blerjen e programit të fiskalizimit në datën 29.07.2021 (kohë aplikimi e njëjtë me shoqërinë “Pivot 04” sh.p.k.). Në pjesën e aplikimit mbi të dhënat e k1ientit është vendosur numri i telefonit, që rezulton të jetë përdorur nga shtetasja Olgerta Osmani, e punësuar me detyrë ekonomiste në shoqërinë “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti” sh. a., me aksioner kryesor shtetasin Lefter Koka. Nga aktet rezulton se shoqëria “JPY” sh.p.k., me seli në lagjen nr.18, “Aleksandër Goga”, në Durrës, është krijuar në datë 28.04.2016 me ortak dhe administrator shtetasin Juri Ymeraj. Me kontratën e datës 25.05.2018, shtetasi Juri Ymeraj i ka shitur aksionet e shoqërisë te shtetasit Ferdinant Kokalari, ndërsa ky i fundit në datë 27.12.2018 i ka shitur aksionet shtetasit Mateo Rustani.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.