Nga pandemia te mungesa e laptopëve, përse vonoi vetingu! Zbardhet relacioni i draftit të PS për zgjatjen e mandatit








Deputetët e Partisë Socialiste, të cilët kanë propozuar zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut me 2 vite kanë dhe arsyet se përse procesi i rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk përfundoi brenda mandatit 5-vjeçar.

vettingu

Në relacionin që shoqëron propozimin për ndryshimin kushtetues që disponon gazeta “Panorama”, thuhet se arsyeja kryesore ka qenë pandemia e Covid-19, ndalimi dhe ngadalësimi i punës në këto organe, por dhe mungesa e laptopëve për këshilltarët që do të ndihmonte aktivitetin e vetingut online.

“Pavarësisht kësaj, aksesimi dhe analizimi i dokumenteve të klasifikuar mund të kryhej vetëm fizikisht pranë ambienteve të përcaktuara me ligj”, thuhet në relacion. Duke argumentuar se përse nuk është efektive vazhdimi i vetingut nga KLP-ja dhe KLGJ-ja, apo edhe SPAK-u, siç e përcakton Kushtetuta aktualisht, propozuesit e ndryshimit kushtetues, theksojnë se “rrezikon të vonojë më tej procesin e verifikimit dhe të pengojë Këshillave në funksionimin e tyre”.

Sipas socialistëve, “anëtarëve të Këshillave dhe SPAK-ut u mungon përvoja përkatëse në procesin e rivlerësimit dhe do duhet të familjarizohen me këtë proces për konsolidimin e procedurave të hetimit administrativ dhe garantimin e një procesi të rregullt ligjor. Në këto kushte, ekziston dhe rreziku i krijimit të mospërputhjeve, pra standarde të ndryshme për vlerësime të ndryshme”.

relacioni ps

RELACIONI I PS

Problematikat e hasura

Nga analiza sa më sipër rezulton se në përfundim të mandatit 5-vjeçar të KPK-së do të mbeten pa u përmbyllur rreth 1/3 e totalit të çështjeve të verifikimit.

Një prej problemeve thelbësore që ndikoi në përmbushjen e detyrave nga organet e rivlerësimit, KPK dhe KP, brenda afatit të caktuar në Kushtetutë është padyshim pandemia COVID-19 që pati impakt të drejtpërdrejt në veprimtarinë e Komisionit, si në çdo sektor tjetër, duke shkaktuar vonesa serioze. Për 4 muaj veprimtaria u ndërpre, ndërsa për rreth një vit funksionet u ngadalësuan.

Një nga vështirësitë më të mëdha gjatë pandemisë ka qenë mungesa e infrastrukturës logjistike, mungesa e pajisjeve elektronike (laptop) për çdo këshilltar, që ngadalësoi ritmet e punës, edhe pse KPK-ja vijoi me veprimtarinë online. Pavarësisht kësaj, aksesimi dhe analizimi i dokumenteve të klasifikuar mund të kryhej vetëm fizikisht pranë ambienteve të përcaktuara me ligj. Një tjetër vështirësi ka qenë mospërgjigjja në kohë e institucioneve shtetërore e kërkesave të KPK-së për arsye të ndryshme gjatë pandemisë.

Ndërsa, fillimi i procesit të rivlerësimit 8 muaj pas funksionimit të KPK dhe KP varet nga disa faktorë. Përmendim këtu hartimin dhe miratimin e akteve të brendshme rregullatorë, organizimin e punës, rekrutimin e stafit në institucione që ngriheshin prej së pari. Procesi i rivlerësimit është sui generis, për rrjedhojë, fitimi i përvojës dhe familjarizimi me procesin e rivlerësimit mori një kohë të konsiderueshme, por të nevojshme për konsolidimin e procedurave të hetimit administrativ dhe garantimin e një procesi të rregullt ligjor.

Transferimi i detyrave nga ish organet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme të Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë solli vonesa në kohë lidhur me përgatitjen e raporteve profesionale të subjekteve të rivlerësimit, që janë pjesë e shqyrtimit gjatë procesit të rivlerësimit.

i) Përmbledhje e arsyeve për propozimin e nismës Nisur nga numri i lartë i çështjeve që supozohen të mbeten të pazgjidhura nga KPK në përfundim të mandatit kushtetues 5 vjeçar zgjidhja më optimale sugjerohet të jetë zgjatja e mandatit të KPK dhe KP deri në 31.12.2024, për arsyet e mëposhtme:

1. Skenari i parazgjedhur kushtetues (vazhdimi i rasteve të mbetura nga Këshillat – Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë) mbart rrezikun që Këshillave do t’u duhen afërsisht një vit për të vendosur rregullat dhe procedurat e tyre të brendshme dhe për të ndërtuar kapacitetin për marrjen përsipër të këtyre detyrave, ndërkohë që kanë detyra të rëndësishme për të kryer në menaxhimin e gjykatave dhe zyrave të prokurorisë gjatë tranzicionit, ndërsa verifikimi/procesi i vetting-ut është në vazhdim. Prandaj, rrezikon të vonojë më tej procesin e verifikimit dhe të pengojë Këshillat në funksionimin e tyre. Parashikimet e bazuara në rezultatet e prodhuara deri më tani tregojnë se verifikimi nga KPK mund të përfundojë deri në Dhjetor 2024 (skenari më pozitiv).

Pra, nëse sipas projeksioneve procesi i rivlerësimit në KPK mendohet të përfundohet në vitin 2024, dhe nëse marrim në konsideratë dhe kohën që do u duhet Këshillave të krijojnë bazën rregullatore, strukturat përkatëse dhe mënyrën e operimit për realizimin e këtij procesi rivlerësimi, Këshillave do u duheshin 3 vjet e gjysmë të realizonin këtë proces. Pra, afati në këtë rast do ishte më i gjatë se sa afati që u duhet KPK-së dhe KP-së të përmbyllin procesin e rivlerësimit sipas parashikimeve më sipër. Në këtë rast, zgjatja e afatit të mandatit të KPK-së dhe KP-së sipas propozimit të nismës ligjore do ishte dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në opinionin CDL-AD(2016)009 në situatën aktuale; ndërsa vazhdimi i rasteve nga Këshillat do binte ndesh me këtë opinion pasi afati i përfundimit të procesit është më i gjatë se zgjidhja e propozuar nëpërmjet nismës.

2. Ligjvënësi kishte parashikuar që pak raste, kryesisht raste që lidhen me këshilltarët ligjorë, të mbeteshin për t’u përfunduar nga Këshillat, pra me një rrezik të ulët të korporatizmit dhe konfliktit të interesit. Kjo është arsyeja pse Ligji i Vetting-ut parashikon që anëtarët e organeve të rivlerësimit nuk mund të kishin qenë magjistratë në 2 vitet e fundit para emërimit të tyre në këto detyra. Ndërkohë, Këshillave do u duhet të trajtojnë një numër të konsiderueshëm çështjesh për subjekte rivlerësimi që janë gjyqtarë dhe prokurorë.

3. Anëtarëve të Këshillave dhe SPAK u mungon përvoja përkatëse në procesin e rivlerësimit dhe do duhet të familjarizohen me këtë proces për konsolidimin e procedurave të hetimit administrativ dhe garantimin e një procesi të rregullt ligjor. Në këto kushte, ekziston dhe rreziku i krijimit të mospërputhjeve, pra standarde të ndryshme për vlerësime të ndryshme. Nga ana tjetër, ekziston rreziku që Këshillat të gjenden në një situatë konflikti interesi pasi ato duhet të sigurojnë funksionimin e gjykatave/prokurorive si funksion parësor dhe thelbësor dhe në të njëjtën kohë të mbajnë një standard të lartë të rivlerësimit në procesin e vettingut.

I. HARTIMI I PROJEKTLIGJIT

Ky projektligj është hartuar nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste. Në procesin e shqyrtimit të nismës ligjore kërkohet asistenca e ekspertizës së partnerëve ndërkombëtarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian që kanë mbështetur Shqipërinë në procesin e Reformës në Drejtësi dhe në zbatimin e saj.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *