Nga parregullsitë në zgjedhje, te dialogu me kundërshtarin dhe çështja “Berisha”/ Basha: Detyrim një Kod Zgjedhor që garanton votën e fshehtë e të lirë








LBMARIGLEN KUME/ Raporti përfundimtar i vëzhguesve të OSBE/ODIHR për kryedemokratin Lulzim Basha, i cili doli në një konferencë 3 muaj pas zgjedhjeve të 25 prillit, ishte vula që certifikon se zgjedhjet e parlamentare u vodhën dhe se vullneti i shqiptarëve u ndryshua.

Disa nga gjetjet që kryedemokrati i përmendi edhe dje në konferencë si vjedhja e votave, presioni në administratën lokale apo përdorimi i burimeve shtetërore ishin sipas tij faktorët që nuk lejuan ndryshimin e pushtetit. Megjithatë, teksa PD-ja ka bërë edhe analizën e zgjedhjeve, kryedemokrati Basha nuk është në gjendje të thotë se sa ka qenë ndikimi në mandate i secilës parregullsi të evidentuar nga raporti. Por në fjalën e tij, lideri demokrat tha se nuk do të njoh  ligjshmërinë e zgjedhjeve të 25 prillit, por do bëjë çmos shkurtimin e mandatit.

Ndërsa konfirmoi se në Parlament do duhet të ulet në tryezë me kundërshtarin politik për një reformë të re zgjedhore. Ndërsa përkundër shqetësimit të ngritur nga vëzhguesit e ODIHR-it për strukturën e mbrojtjes  së votës, kryedemokrati Basha tha se, PD-ja do ta perfeksionojë atë. Në këto tri muaj që kreu i PD-së nuk ka dalë në  konferencë për mediat, kanë qenë të shumta zhvillimet politike. E megjithatë, edhe në daljen e djeshme kreu i selisë blu nuk preferoi t’i përgjigjej pyetjeve të tjera veç gjetjeve të raportit.

KREU I PD PËR PARREGULLSITË NË ZGJEDHJE

“Ky raport ka konfirmuar atë që shumica dërrmuese e shqiptarëve e dinë tashmë që 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në fakt, raporti konfirmon atë që ne kemi thënë prej fillimit se 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Këtë e kemi thënë prej ditës së parë, këtë e kanë parë me sytë e tyre shqiptarët që kërkonin ndryshimin i cili u pengua paligjshmërisht me hile me dhunë, me shantazh. Këtë tashmë e di e gjithë bota demokratike, sepse ky raport për fat të keq është vula e turpit  mbi vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit, blerjen masive të votave dhe presion ndaj votuesve, e  kemi thënë ne, e thotë edhe raporti. Shkrirja në një e partisë  në pushtet dhe e shtetit. E kemi thënë ne, e thotë edhe raporti.

Keqpërdorimi i aseteve publike në avantazh të partisë në  pushtet, abuzimi me pushtetin dhe funksionet publike, e kemi thënë ne, e thotë dhe raporti. Rritje fiktive e punësimit në administratën publike për qëllime elektorale, presion mbi punonjësit e administratës publike për të votuar partinë në pushtet, e kemi thënë ne e konstaton edhe raporti. Përdori- mi i fondeve të rindërtimit për të ndikuar në mënyrë të  paligjshme votën, legalizime në këmbim të votës, e kemi thënë ne, e kemi denoncuar, e konstaton edhe raporti.

Vjedhja e të dhënave private dhe personale të shqiptarëve nga partia në pushtet dhe ngritja e sistemit kriminal të patronazhistëve duke ushtruar përmes këtij sistemi presione dhe shantazhe  ndaj qytetarëve, e kemi thënë ne, e ka zbuluar media, e konstaton edhe raporti dhe vazhdon të thellohet kjo dramë siç ishte edhe rasti i patronazhistit, trafikant droge, të punësuarit të Bashkisë së Tiranës. Përdorimi i grupeve kriminale për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve, e kemi thënë  ne e thotë dhe raporti. Ndryshimet të njëanshme kushtetuese në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të  Venecias, e kemi thënë ne, e konstaton edhe raporti. Ndry- shimi i fletës së votimit, që solli mes të tjerash dhe një numër rekord votash të pavlefshme, mbyllja e kufijve dhe mohimi i së drejtës së votimit për qindra mijëra emigrantë”.

PËR DIALOGUN ME KUNDËRSHTARIN POLITIK PËR REFORMËN ZGJEDHORE 

“Detyra para nesh është shumë më e madhe se sa ribërja në mënyrë gjithëpërfshirëse të një reforme zgjedhore të standardeve demokratike. Detyra është që duke kuptuar dhe pranuar nisur edhe nga konkluzionet e këtij raporti,  krizën e thellë demokratike në të cilën ndodhet sot Shqipëria, krizën e demokracisë, të bëjmë gjithçka që aspiratat e shumicës së shqiptarëve të gjejnë shprehje te çdo  akt dhe çdo veprim, te çdo aksion i opozitës, i Partisë Demokratike brenda dhe jashtë Parlamentit. Natyrisht këtu përfshihet edhe detyrimi i të gjithë palëve për t’i dhënë shqiptarëve një infrastrukturë ligjore, pra një Kod Zgjedhor i cili të garantojë fshehtësinë e votës dhe votën e lirë”.

Për betejën në Parlament dhe jashtë Parlamentit: “Në asnjë rast që prej 2015, në fakt që prej blerjes së votave në zgjedhjet e pjesshme në Korçë, në nëntor të 2013-ës Partia Demokratike nuk ka ndenjur duarkryq. Të pakta janë familjet politike në Europë, forcat politike në Europë  që kanë sakrifikuar kaq shumë në kuptimin njerëzor, politik dhe elektoralisht të fjalës. Se kanë paguar një çmim kaq  të lartë për vlerat në të cilat besojmë. Ne besojmë se Shqipëria nuk mund të eci përpara pa konsoliduar  demokracinë, pa një shtet që i shërben shumicës dhe mbron interesin publik të çdo shqiptari dhe jo një shtet të kapur që i shërben pakicës, duke goditur interesin publik dhe interesin e shumicës së shqiptarëve. Prandaj ne jo vetëm do të vazhdojmë, po do të intensifikojmë betejën tonë në të gjitha frontet, në të gjitha forumet. Do ta bëjmë këtë me vetëdije që kjo është sot një betejë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo thjesht për identitetin tonë, për atë që jemi,  për ato vlera që mbrojmë që prej ditës së parë kur jemi themeluar.

Por, siç ju thash kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë dhe  as një rrugë që Partia Demokratike mund ta përshkojë e vetme, ndaj siç kam deklaruar besoj e keni ndjekur dhe gjatë Kuvendit tonë Kombëtar, ne do të hedhim të gjitha hapat e nevojshëm për një bashkëpunim intensiv me të gjitha forcat  e gjalla të shoqërisë. Pra, ajo që na pret është betejë. Një betejë që do të zhvillohet në të gjitha frontet, me të gjitha mënyrat dhe nuk do të jetë e lehtë. Ne do të jemi të hapur që jo vetëm  të kontribuojmë dhe të tregojmë sipas nesh rrugën për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë, por edhe të bashkëveprojmë të dëgjojmë dhe të bëhemi zëri i të gjithë atyre që  ndihen sot të pa përfaqësuar, të dhunuar, të zhgënjyer nga ajo që ky regjim i ka bërë vendit të tyre, familjeve të tyre dhe atyre vetë si individë”.

PËR STRUKTURËN E MBROJTJES SË VOTËS, KREU I PD-SË THA SE DO T’I PERFEKSIONOJË

“Paligjshmëria ka të bëjë me blerjen e votës, paligjshmëria ka të bëjë me kërcënimin e qytetarëve. E paligjshme është të shkelësh Kodin Zgjedhor, e ne veçanti ato ndryshime që ju bënë Kodit Zgjedhor pikërisht nisur nga rekomandimet e OSBE-ODHIR sa i përket shkrirjes së shtetit me partinë në pushtet. Ndërsa mbrojtja e votës nuk është vetëm detyrë e Partisë Demokratike, por është detyrë e çdo qytetari në  demokraci dhe pa diskutim ky është një aspekt, të cilin Partia Demokratike do ta zhvillojë, përmirësojë dhe shtrijë kudo. Do ta forcojë si një detyrë të lartë patriotike, demokratike, qytetare dhe ligjore.

E kundërta përbën paligjshmëri madje dhe krim. Të shikosh një krim zgjedhor dhe mos bësh minimumin për ta parandaluar apo denoncuar atë është në vetvete një vepër penale edhe sipas kodit penal të republikës së Shqipërisë tani në fuqi. Po përtej ligjeve, kuptohet qartë që  paligjshmëria qëndron në njërën anë dhe Partia Demokratike me të gjithë instrumentet e saj është në krah të ligjit është  në krah të së drejtës, është në krah të së vërtetës, është në krah të shqiptarëve dhe do të vazhdojë të jetë”.

ÇFARË QËNDRIMI DO TË MBAJË PD-JA LIDHUR ME ISH-KRYEDEMOKRATIN SALI BERISHA?

“Ne jemi krenarë për ligjin për dekriminalizimin. Ne  nuk harrojmë se megjithëse nuk i kishim numrat në Parlament detyruam maxhorancën në vitin 2014 dhe më vonë  në vitin 2015 të pranonte plagën e rëndë të kriminalizimit të politikës përmes futjes së personave me rekorde të tmerrshme kriminale si deputetë, si kryetarë bashkish dhe  drejtues të lartë politikë të Partisë Socialiste në strukturat  partiake dhe shtetërore të kësaj partie. Kriminalizimi i politikës është kryekëput një vepër e mirëmenduar e kreut të  kësaj partie. Ajo është kthyer tashmë në një problem jo  thjesht për Partinë Socialiste dhe vendin, por edhe për ekonominë e cila po vuan pasojat e rënda të kriminalizimit të sektorëve të veçantë të saj që shoqërohen me papunësi, me probleme të rënda sociale dhe pastaj me shkallën më të lartë të kapjes së shtetit që janë ligjet speciale që miratohen për oligarkët dhe për krimin e organizuar.

Pra, me fjalë të tjera vënien e shtetit në funksion të një pakice absolute dhe  e gjitha kjo bie mbi kurrizin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve pa dallime politike. Beteja jonë për dekriminalizimin do të vazhdojë me gjithë fuqinë. Nuk kam për të komentuar asnjë çështje që del jashtë këtij raporti dhe do të  mbetem i hapur për çdo koment tjetër në çdo takim tjetër sepse besoj me të drejtë, mendoj unë, ky është mendimi im që çdo reflektim nga raporti, çdo shmangie nga vëmendja publike e raportit nuk i shërben interesit publik. Kemi kohe për të diskutuar gjithçka tjetër, sepse siç e dini kurrë nuk keni qenë përballë meje me censurën në mes dhe nuk do të jetë tani.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *