Nga patronazhistët te mësimi në lokal dasme, zbardhet debati i plotë mes opozitës dhe ministres së Arsimit








MARIGLEN KUME/ Rreth 90% e mësuesve të cilët janë në sistemin e shkollave parauniversitare kanë marrë të paktën një dozë vaksine, ndërsa me dy doza janë vaksinuar 70% e mësuesve.

debate2

Këtë lajm e dha dje në Komisionin e Arsimit ministrja Evis Kushi. Ndërkohë, ajo tha se qeveria është përgatitur për të gjithë skenarët në varësi të ecurisë së pandemisë. “Ne kemi përgatitur tre skenarë. Skenarin e mësimit me prezencë fizike, i cili po aplikohet sot; skenarin e kombinuar dhe skenarin e tretë, që është skenari më i vështirë i mësimit online. Unë besoj që ne nuk do të arrijmë në skenarin më të vështirë të mësimit online, ndoshta as të mësimit të kombinuar, edhe për shkak të vaksinimit të mësuesve.

Rreth 90 për qind e mësuesve që sot janë në sistemin tonë parauniversitar janë të vaksinuar, pjesa më e madhe, mbi 70 për qind, me dy doza dhe pjesa tjetër ka bërë dozën e parë dhe presin vaksinën e dytë. Nëse gjendja me COVID-19 përkeqësohet, ne i kemi gati skenarët e mundshëm për mësim fizikisht, me alternim dhe online. Gjithashtu, vijon trajtimi për aftësitë dixhitale të mësuesve nëse kthehemi në mësim online”, tha ministrja Kushi.

Por patronazhistët dhe problematikat me vakancat e mësuesve dhe ambientet e papërshtatshme të mësimdhënies janë bërë objekt debati mes deputetëve të opozitës dhe ministres së Arsimit. Deputeti i Elbasanit Luçiano Boçi dhe më pas deputetja e PD-së në Sarandë, Ina Zhupa, denoncuan raste konkrete të përdorimit të mësuesve si patronazhistë dhe zhvillimin e mësimit në një lokal dasme.

Por nga ana tjetër, ministrja Kushi mohoi akuzën e opozitës dhe i kujtoi Boçit kohën kur në pushtet ishte PD-ja, që sipas ministres, merrte mësuesit dhe i çonte në fushatë më zor. Ndërkohë, sa i përket denoncimit të Zhupës për orën e mësimit që zhvillohej në një lokal dasme, ministrja tha se mund të jetë montazh, por megjithatë tha se do të ngrejë një grup pune për ta verifikuar.

DEBATI

Luçiano Boçi: Prita nga ju të thoshit se çfarë do të bëni për t’u kthyer dinjitetin mësuesve. Prita nga ju që të nginit shqetësimin e mungesës së 10 mijë fëmijëve më pak të regjistruar në klasën e parë. Kam investiguar statistikat dhe kam parë që nuk është efekti i lindshmërisë së ulët. Diferenca e një viti më parë me këtë vit është 1 mijë të lindur më pak. I bie që 9 fëmijë nuk janë regjistruar në klasën e parë për arsye të ndryshme.

Blerina Gjylameti: Në fakt, ne nuk i lamë kohë as që të fliste.

Luçiano Boçi: Blerina më duket se je pa mikrofon dhe sistemi juaj online nuk të lë që të dalësh në kamer. Blerina Gjylameti: Nuk më duhet, s’e kam për demagogji.

Evis Kushi: Më se i është kthyer sot dinjiteti i mësuesve nuk ka qenë kurrë. Nuk e kam për propagandë. Ne i rritëm pagat e mësuesve më shumë se çdo herë tjetër, 40%. Ndërkohë kemi vendosur objektiv që edhe në mandatin e ardhshëm paga të rritet në 40%. Në 4 vite i kemi rritur më shumë se herë tjetër. Për përkushtimin që bëjnë është e pamjaftueshme. Mësuesit nuk merren kurrë më me autobusë e të shkojnë në fushatë elektorale. Unë z. Boçi s’kam marrë asnjë mësues në fushatën time elektorale. Ju duhet të jeni të sinqertë, z. Boçi.

Luçiano Boçi: Nuk mund të sillni këtu fakte të shtrembëruara. Nuk mund të dezinformosh. Mësuesit janë angazhuar si patronazhistë. Drejtuesit e shkollave kanë qenë patronazhistë.

Evis Kushi: Mësuesit kanë qenë në fushatën e PD-së të pashqetësuar.

Luçiano Boçi: I keni detyruar mësuesit që të sjellin kartat e identitetit.

Evis Kushi: Me urdhra politik, asnjëherë.

Luçiano Boçi: E kam denoncuar unë në shkollën “Onufri”, e ke rastin konkret.

Ina Zhupa: Ju thoni në raportin tuaj se zbatimi i projektit shkolla të sigurta ka 144 oficer policie, ndërkohë që ka 1403 shkolla parauniversitar. Pra 1 polic mbulon 10 shkolla! Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor për arsimin. Shqipëria ka shpenzuar 2.3% të GDP-së. Në 2019-ën ka qenë 2.24. Në krahasim me vendet e rajonit, ne jemi të fundit me buxhetin më të ulët për arsimin. Çdo person që gjendjet në burgjet e Shqipërisë shpenzon 9997 euro në vit, ose 27.7 euro në ditë. Ndërsa për arsimin u shpenzua 2 euro në ditë. Qeveria shqiptare shpenzon 14 herë më shumë për një të burgosur sesa për një nxënës.

Ina Zhupa: Vetëm në Tiranë janë 23 vende vakante në shkollat 9-vjeçare. Futen nxënësit me shpresën se do të vijë mësuesi zëvendësues ose futet sanitarja dhe i mban që të mos bëjnë zhurmë. E mendoni ju se me portalin tuaj duhet ta kishit lënë që të fillonte viti shkollor me vakanca? Nuk ka mësues apo nuk janë gjetur ende sekserët e duhur. Evis Kushi: Për herë të parë ne kemi shkollën e drejtorëve. Shumë shpejt, brenda një periudhe të shkurtër, kemi objektiv që të gjithë të jenë me shkollë drejtorësh. Sa i përket portalit të mësuesve që thatë ju që është portali juaj. Në fakt është portali i të gjithëve. Po e dini ju se sa mësues demokratë kanë hyrë në punë. Unë kam parë nëndrejtorët e shkollave që të marrin pjesë në fushatën e PD-së.

Ina Zhupa: Unë po ju tregoj me foto, këta janë nxënësit në Babicë të Vlorës dhe po bëjnë mësim në kafen e fshatit dhe jo në shkollë. Kjo nuk është një situatë normale ku duhet të jetë arsimi. Ka shkolla në shumë zona të cilat nuk funksionojnë.

Evis Kushi: Ajo fotoja e fshatit Babicë më thonë se është montazh, por do ta verifikoj. Edhe me zotin Boçi, më tregon një foto dhe unë duhet ta marr të mirëqenë. Ju keni foto, ne kemi video që mësimi vijon normalisht në shkollë. Unë do të ngre grupin e punës. Verifikim unë quaj të çoj grupin e punës, ky është verifikim.

Petro Koçi: Nuk do ta bëjmë muhabet lagjeje këtu, bëre pyetje, do të përgjigjet ministrja. Me këto ndërhyrje pa rregull nuk do të vazhdohet më. Mos na ngri këtu video me celular. Respekto rregullin dhe respekto këtë komision! Nuk do të tallemi këtu që t’i të flasësh tërë ditën dhe ne të tjerët të dëgjojmë ty. More vesh apo jo!

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *