Nga porta tek furra, rrëfimi unik i Tatarushanos: Milan, do të të jap titullin








Një penallti e pritur në derbi nga një portier i Milanit nuk shihej prej më shumë se 40 vitesh e në këtë aspekt Siprian Tatarushanu sapo ka regjistruar një rekord me fanellën kuqezi të cilën e mban prej dy sezonesh. I katapultuar në rolin e titullarit, rumuni ka folur për përvojën e tij duke zbuluar edhe pasione të tjera përveç futbollit.

tatarushanu

Tifozët ishin të shqetësuar pas dëmtimit të Menjasë, por tani kanë ndryshuar mendje…
Unë kam bërë gjithmonë detyrën për t’u paraqitur në nivelin e duhur kur të më jepej mundësia. Jam në një nga klubet më të mëdha në botë e për t’iu përkushtuar Milanit hoqa dorë edhe nga kombëtarja e cila vijon të më kërkojë.

Jeni dakord që kthesa ndodhi në derbi?
Në karrierë kam pritur shpesh penallti, por ndaj Lautaros ishte më e bukura. Ishim përgatitur me trajnerët për një rast të tillë. E bëjmë gjithmonë dhe me Kesin e kam më të vështirë kur stërvitemi. Ka një zakon që e ndryshon drejtimin në çastin e fundit, ndërsa Lautaro ishte i parashikueshëm.

Po thoni që barazimi ndaj Interit vlen më tepër?
Ne mundohemi të marrim sa më shumë pikë e se sa vlejnë do ta kuptojmë në fund të kampionatit. Derbi ishte një ndeshje e bukur dhe pritja e penalltisë më bëri ta shijoja më shumë.

Besoni vërtet te titulli?
Historia e Milanit flet qartë edhe pse kemi rivalë të fortë si Napoli apo Interi. Duhet synuar gjithmonë maksimumi, ndaj edhe unë mundohem të bëj më të mirën. Më erdhi keq për dëmtimin e Menjasë dhe i uroj të shërohet sa më shpejt. Unë mendoj të jem sa më në formë e të mos dëmtohem.

Për fizikun ju ndjek dietologu apo vazhdoni me vesin tuaj?
E di ku e ke fjalën (qesh). Kur ndodhi pandemia, gjeta një mënyrë për të kaluar kohën nëpërmjet bërjes së bukës. Mund të them se tashmë jam i specializuar për bukën, brioshët e kruasantët, por dieta ime ka edhe shumë aspekte të tjera që ndikojnë te forma.

Të ardhmen e shikoni ende si kuqezi?
Kam një kontratë deri në vitin 2023 dhe me moshën që kam nuk duhet të shqetësohem për këto gjëra. Dua të jap më të mirën dhe nuk kam nxitim për rinovime, pavarësisht se do të më pëlqente që të vazhdoja te Milani.

Të shtunën riktheheni në Firence ku keni kaluar tri vite…
Jam shumë i lumtur sa herë kthehem, por këtë herë dua të fitoj. Kemi një sulmues si Ibra që mund të na ndihmojë shumë sepse është lideri ynë dhe një nga pikat më të forta të skuadrës.

I druheni Vlahoviçit?
Golat e tij flasin qartë, por unë në Itali i druhem vetëm Kualjarelës. Është më i forti që kam pasur përballë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.