Nga Saranda në Shkodër, demokratët dalin në mbështetje të Lulzim Bashës: Misioni i PD dhe i kryetarit nuk ndalet këtu, por…



MARIGLEN KUME/ Kritikët e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha riaktivizuan edhe një herë shpirtin opozitar ndaj kryedemokratit menjëherë pas përfundimit të numërimit të fletëve të para nga kutitë e votimit.

basha888

Ndërkohë, kundërpërgjigjen e kanë marrë jo nga vetë Basha, por nga degët e Partisë Demokratike. Menjëherë sapo përfundoi numërimi i votave edhe për kandidatët, degët e selisë blu nga Saranda në Shkodër kanë dalë me deklarata falënderuese ndaj mbështetësve dhe në mbështetje të kreut të opozitës. Partia Demokratike dega Vlorë, Sarandë, Selenicë, Delvinë dhe Himarë dhe kandidati i PD-së për qarkun e Vlorës, Bujar Leskaj, kanë dalë në mbështetje të kreut demokrat, Lulzim Basha, përmes një postimi në “Facebook”. Nga takimet që Bujar Leskaj ka zhvilluar me degët e PD-së deklaroi se demokratët e jugut mbështesin 200% Lulzim Bashën. Kujtojmë që Leskaj pati një moment krisje me kryedemokratin në fillim të fushatës, por pasi kaluan fushatën dhe zgjedhjet, Leskaj nuk e sheh problemin e rezultatit në zgjedhje te kryedemokrati.

SHKODËR

Kryetari i Partisë Demokratike të Shkodrës Xhevdet Amuli në një deklaratë për mediat thotë se misioni i kryedemokratit, Lulzim Basha, nuk ndalet këtu, por do të vijojë deri në çrrënjosjen e sistemit të instaluar dhe rikthimin e shpresës. Teksa i falënderon të gjithë qytetarët për përkrahjen në këto zgjedhje, Amuli i siguron se Partia Demokratike Shkodër do të jetë në mbështetje të tyre përherë. “Te dashur bashkëqytetarë, vullneti juaj rikonfirmoi si forcë të parë me diferencë të madhe me kundërshtarin Partinë Demokratike. Kush më mirë se ju e di se kjo e jona ishte një fitore që nuk diskutohej, por që përballë kishte forcat e errëta të krimit të organizuar, struktura të sofistikuara të shitblerjes së votës dhe mekanizmat e intimidimit të qytetarëve me qellim tjetërsimin e vullnetit të tyre. Të dashur Shkodranë, misioni i Partisë Demokratike dhe i kryetarit të saj Lulzim Basha nuk ndalet këtu, por ai vijon deri në çrrënjosjen e sistemit të instaluar dhe rikthimin e shpresës për Shqipërinë dhe shqiptarëve. Partia Demokratike Shkodër vazhdon të jetë në mbështetjen tuaj ashtu sikurse ka qenë gjithmonë. Partia Demokratike mbështet kryetarin Lulzim Basha ne misionin e tij”, shkruante në “Facebook” Amuli.

KANDIDATËT

Në mbështetje të kreut të opozitës kanë dalë edhe kandidatët e PD-së. Kryetari i PDsë në Durrës Ferdinand Xhaferraj konsideron si momentin më të papërshtatshëm kritikat ndaj liderit të PD-së. Sipas Xhafferrajt, në këtë moment PD-ja është duke mbledhur provat për blerjen e votës ndaj aktualisht sipas tij është momenti më i papërshtatshëm për t’i dalë kundër Bashës. “Aktualisht, jemi në proces dokumentimi të vjedhjeve të Rilindjes dhe është detyrë e çdo demokrati të mbështesë Lulzim Bashën në këtë mision të rëndësishëm, i cili do garantojë se Rilindja nuk do të ketë mundësi të mbulojë gjurmët e krimit të kryer, për të cilin Partia Demokratike i ka të gjitha provat dhe do t’ia paraqesë shumë shpejt shqiptarëve”, shkruan Xhaferaj, ndërsa thekson se shqiptarëve iu vodh alternativa europiane, që përfaqësohet pikërisht nga Lulzim Basha. PD-ja pati një rritje të mbështetjes në të gjithë vendin gjatë këtyre zgjedhjeve, ndërsa vetëm në Durrës u shënua një rritje me plus 20 000 vota krahasuar me zgjedhjet e 2017. Ndërkohë, kujtojmë që Lulzim Bashës i mbaron mandati i kryetarit të PD-së në korrik të këtij viti dhe sipas statutit, zgjedhjet bëhen këtë vit.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *