Nga themelues i grupit të parë rock, te lobimi pro shqiptarëve me personalitete të larta amerikane, Haxhi Dauti rrëfen punën për çështjen kombëtare: Deri sa të marr frymë…

nga themelues i grupit te pare rock te lobimi pro shqiptareve me personalitete te larta amerikane haxhi dauti rrefen punen per ceshtjen kombetare deri sa te marr fryme
nga themelues i grupit te pare rock te lobimi pro shqiptareve me personalitete te larta amerikane haxhi dauti rrefen punen per ceshtjen kombetare deri sa te marr fryme

Haxhi Dauti, një shqiptar nga Struga që gjithë jetën e tij ia ka kushtuar çështjes kombëtare në mbrojtjen e interesave shqiptare ka rrëfyer në një intervistë për News24 dhe BalkanWeb punën e tij dhe veprimtarinë lobuese me personalitete të larta amerikane.

Ai ka treguar jetën e tij të hershme që nisi si një muzikant, themelues i grupit të parë rock në Maqedoni dhe më pas emigrimi drejt SHBA-ve.

Për ata që nuk ju njohin: kush është Haxhi Dauti?
Jam fëmija i 10-të nga 11 fëmijë. Babai, Ukë Dauti ka qenë nga fshati Frengov,  nëna Lutfije Dauti nga fshati Ladorisht. Prindërit e mi kanë pasur 11 fëmijë, vetëm 4 fëmijë mbijetuan; Motra e madhe Ike, Demiran, vëllai Demiri dhe unë.

Por tani prej 4 kemi mbetur vetëm unë dhe motra Demiran. Motra Ike ndërroi jetë para 9 vitesh, kurse vëllai Demiri ndërroi jetë në fund të dhjetorit. Unë kam lindur në Strugë të vitit 1960. Fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kalova dhe u shkollova në Strugë deri në vitin 1978 ku në 2 gusht të vitit 1978 emigrova në SHBA dhe nuk u ktheva më.

Dikush që ju njeh, tregon se krahas zyrës për takime të Albanian American Council ju keni dhe një studio regjistrimi muzike. Sa vend zë muzika në jetën tuaj ende?
Po, kam studion, zyrat e Këshillit Shqiptaro-Amerikan dhe zyrat e ndërtimtarisë.

Muzika është një element që më jep oksigjen në jetën e përditshme ku m’i mban gjallë kujtimet e fëmijërisë, rinisë, gjimnazin, shoqërisë, dashurinë ndaj atdheut, dashuria ndaj familjes. Muzikën e kam pjesë e jetës time ku me kitarën time gjej paqen dhe dashurinë ndaj jetës.

Ju jeni marrë me muzikë në SHBA, por dhe me lobim për interesat kombëtarë. Nga se kjo nxitje?
Me këto veti kam lindur. Kam lindur në një familje me probleme anti-shtetëror dhe probleme ekonomike. Prindërit e mi ishin të moshuar në kohën time për shkak nuk u rronin fëmijët. Pra të rritesh në një familje të burgosur pa mure dhe të varfër për shumë arsye? Atëherë patjetër do rritesh me një ambicie të madhe duke ëndërruar që dhe dita jonë do të vijë.

Shkollimet fillore dhe atë deri në vitin e 3-të gjimnaz i mbarova në Strugë. Ishte një gjë e çuditshme shkonim në gjimnaz pa libra! Disa profesorë na lejonin të merrnim shënime dhe disa jo. Ende dhe sot nuk mund ta kuptoj se sa e pa interesuar ishte shoqëria në arsim, në thelbin e jetës, që të krijojë të gjitha kushtet për një brez pasardhës. Por ishte e kundërta, ishte shumë vështirë të mësoje pa libra, profesorët mburreshin kur të linin në provim, duhej me mik të merrje notë kaluese.

Pra kjo ishte një dhimbje e madhe për mua që e dija nuk do mund të depërtoja me këto kushte në Strugë. Muzikën e desha si fëmijë, merrja pjesë në orkestrën e shkollës fillore ku notat e para të kitarës i kam mësuar nga z. Kaim Murtishi. Pra me shokun tim të fëmijërisë Bashkim Zendeli themeluam grupin e parë rock në Strugë në vitin 1974 – “Grupa Struga 5”, mandej grupi mori një emër tjetër “Rock coffee” dhe kështu vazhduam me evente muzikore në gjimnaz dhe në lokalet e qytetit.

Mirëpo në atë kohë ishte shumë vështirë të depërtosh në zemrat e rinisë shqiptare me rock-un shqip se nuk pëlqehej shumë nga rinia shqiptare se kënga popullore sundonte në shoqëri. I vetmi vend në atë kohë rock-u shqiptar evoluonte në Prishtinë. Prishtina për ne ishte shumë larg, Shqipëria e mbyllur. Grupi për shkak të fondeve dhe pajisjeve u prish dhe kështu unë me shokun tim Bashkim Zendeli u ndamë. Unë vajta në një grup në Ohër, quhej “Stroh” dhe kështu i pakënaqur me jetën dhe situatën në Strugë në vitin 1978 emigrova në Amerikë me atë ëndërr të madhe që të vazhdojë shkollimet dhe muzikën.

Padrejtësia, diskriminimi, përbuzja e kombit tonë nga ana e pushtetarëve maqedonas dhe populli maqedonas, ishte shumë e madhe dhe nuk desha më të jetoj me njerëz primitiv siç ishin maqedonasit. Policia maqedonase ishte pjesë e jetës sime. Policia i gjuante bashkëkombësit e mi pa mëshirë në prani të fëmijëve dhe grave. Silleshin si kafshë të para epokës sonë dhe kështu desha të largohem. Pra Amerika m’i dha këto, më dha qetësinë, shkollimin, muzikën dhe mundësi të themeloj Këshillin Shqiptaro Amerikan pa kushte që vendi im nuk mi jepte.

Ju jeni shqiptar i Maqedonisë, të cilët qëndrojnë brenda kombit si ura lidhëse mes Kosovës dhe Shqipërisë zyrtare (ndonëse Shqipëria kombëtare është një e vetme). Si arrini të përfaqësoni të gjithë ndjeshmëritë e kombit pranë institucioneve amerikane?
Eh nuk është e lehtë? Unë jam nga Struga e “Shqipërisë Lindore” se pushteti i  Jugosllavisë në atë kohë, kurrë nuk na konsideruan si vendas, por antishtetëror! Ishte një polic e quanin Klime, gjithnjë në mëngjes duke shkuar në gjimnaz dhe duhej të kaloja urën në qendër për të shkuar në shkollë, po të isha vetëm do më afrohej dhe do më thërriste me emrin e babës, ‘Ukë pse shkon në shkollë’? Ti e di se nuk është koha e babës tënd? Nuk është koha e Shqipërisë, largohu, shko te vëllai jot në Amerikë, shkolla jote këtu nuk vlen. Përgjigjja ime ishte gjithnjë se nuk e kam emrin Ukë, por Haxhi. Por kur isha me shoqëri nuk më afrohej ky polic. Pra për mua nuk ekzistojnë kufijtë shqiptarë, as fetë, as dialekti. Këto elemente që i kemi trashëgimi nga armiqtë tanë na përçajnë pa masë duke mos e kuptuar që i bëjmë dëm vetes duke u bërë lokalistë. Me lobizmin merrem prej viteve 1990, është punë e vështirë shumë.

Në një anë të lufton ekonomia se duhet shumë para të lobosh, në anën tjetër të luftojnë grupime të ndryshme. Por nuk ka problem, unë deri sa të jetoj do luftoj për drejtësitë tona pa cenuar dhe dëmtuar drejtësitë e kombit tjetër.

Unë nuk përkrah luftën. Lufta për mua është pika e fundit. Dua paqen, dua që pasardhësit tanë ta kenë më mirë jetën se ne.

Sot në jetën e përditshme do përballen me shumë preditorë ose me një fjalë më shumë luanë që duan t’i shfrytëzojnë dhe t’i përdorin. Dhe kjo më jep fuqi të mos ndalem vetëm të punoj deri sa të marrë frymë.

Cila është mënyra e lobimit tuaj pranë këtyre institucioneve? Domethënë çfarë bëni në punën tuaj të përditshme/organizim takimesh, dokumente për ndërgjegjësim çfarë?
Është shumë me rëndësi që miqtë që i ke bërë duhet të jesh në kontakt gjithnjë se një ditë do të duhen. Unë miqtë që i njoftova në vitet 1990, të shumtët në atë kohë ishin të rinj, kurse tani kanë mbërritur në pozicione të larta dhe më ndihmojnë shumë. Sa i përket lobimit varet momenti, kërkesa, takimet, korrespodenca luan një rol të madh në jetën amerikane po ashtu dhe në politikë. Organizimi i takimeve të opozitës së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë të Veriut me zyrtar të lartë të SD, Senatit dhe kongresit. Po ashtu merremi dhe me ndihma humanitare për familjet në nevojë në Atdhe.

Cilat janë momentet që veçoni si më emocionalet apo më të rëndësishmet në veprimtarinë tuaj të lobimit? Cilët janë personalitetet e larta amerikane dhe botërore me të cilët keni komunikuar me letra apo fizikisht? Me kë komunikoni më shpesh?
Kam shumë  momente, por do ju cek disa. Në vitet 1991 kur isha kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik për Amerikë dhe Kanada. Kur e bëra të mundshme, organizimin e takimeve në Ëashington për Kryetarin e PPD, Nevzat Halilin dhe Deputetin Mersin Pollozhani ku patën takim 3-ditor me senatorë, kongresistë, personalitete të larta të Departamentit e Shtetit, Amnesty International dhe shumë të tjerë. Ishte hera e parë që organizoja një gjë të tillë. Se vetëm Joe Dioguardi ishte i vetmi që kishte aftësinë t’i organizonte këto takime. Momenti tjetër në të njëjtin vit 1991, por kësaj radhe isha si përfaqësuesi i Këshillit Shqiptaro-Amerikan.

Kongresi Amerikan në krye me z. David Philips organizonin një drekë për Ministrin e Punëve të Jashtme Denko Malevskin dhe Kryepeshkopin e kishës maqedonase Gagov. Ishin të pranishëm senatorë, kongresistë dhe organizata jonë ku pata rastin t’i dal ballë kombit tonë, përpara ministrit që fabrikonte gënjeshtra ndaj të drejtave tona shqiptare në Maqedoni, në të njëjtën kohë Ministri kishte ardhur ne Ëashington të kërkonte të drejtat e maqedonasve në Shqipëri dhe Greqi?

Tjetri moment ishte puna vullnetare e Këshillit në fushatën presidenciale të Guvernorit Bill Clinton, fitorja për President dhe ishte kënaqësi të marrësh ftesën në darkën e inaugurimit të President Clinton.

Ishte dhe një moment interesant me ndërmjetësimin e një takimi të Ambasadores të Shqipërisë në Washington, Ambasadores Floreta Faber me Ndërsekretaren e Shtetit për siguri dhe tregti zonjën Mira Ricardel, takimi ishte shumë miqësor. Mira Ricardel mandej ndërroi pozitën dhe shkoi në Shtëpinë e Bardhë në administratën e Presidentit Trump, mori pozitën deputy assistant of security, ndër John Bolton. Ambasadorja e kishte mikeshën e fortë në Shtëpinë e Bardhë. Mira Ricardell është mikeshë e shqiptarëve, me origjinë kroate, e do shumë popullin tonë.

Po ashtu ndërmjetësimi dhe organizimi i Ambasadorit Ëalker me Partitë shqiptare të Maqedonisë në Tetovë. Pritja e Presidentit Ilir Meta nga Këshilli në NY.

Kam shumë momente, por momentin aktual e kam ftesën nga Departamenti i Shtetit për të takuar njeriun special i Shtëpisë të Bardhë për Ballkanin Perëndimor? Për mua ishte një nder i madh të takoja zotin Gabriel Escobar për një bisedë rreth paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Më kërkoi të bisedoja me Kryeministrin Kurti dhe Presidenten Osmani rreth marrëveshjes dhe paqes. Po ashtu dhe në Shqipëri rreth situatës së Partisë Demokratike. Kërkoi të ndihmoja dhe atë e bëra, por politikanët tanë janë pak emocional dhe me pasoja të trashëguar nga komunizmi e kanë Hygon të madh. Merr ca kohë kur e shohin se nuk kanë arrirë asgjë dhe pendohen duke menduar se është vonë. Asnjëherë nuk është vonë të përmirësosh veten se nuk është personale, politikanët shqiptarë harrojnë që përfaqësojnë popullin.

Unë për çdo problem që ndodh në trojet tona. Për herë të parë trokas në dyert e Departamentit të Shtetit të cilit i shkruaj dhe i kërkoj ndihmë z. Escobar i cili më përgjigjet me gjëra pozitive çdoherë dhe mandej thërras miqtë e shqiptarëve senatorë dhe kongresmenë.

Shqipëria bëri një punë të madhe brenda këtyre dy viteve, iu mbështet aleatëve tanë që luftuan bashkë me UÇK dhe sollën lirinë Kosovës dhe përkrahja e Shqipërisë ndaj Ukrainës e vuri Shqipërinë në një anë të mirë me aleatët. Ambasadori Ferit Hoxha i misionit shqiptar pranë OKB-së ka bërë një punë të madhe duke ndihmuar dhe Kosovën. Të dy ambasadorët si ambasadori Ferit Hoxha i Shqipërisë dhe ambasadori i Kosovës Blerim Reka janë njerëz me  kulturë dhe punëtorë. Respektojnë diasporën dhe i kanë dyert e hapura për diasporën. Çfarë të them me tepër vetëm fjalë të mira, janë shembullor.

Kush ju ndihmon në veprimtarinë tuaj të përditshme? Si Këshill, apo dhe në familje?
Po në Këshill kemi shumë vullnetarë që na ndihmojnë shumë. Në Shqipëri kemi Arben Tafili, Ëngjëll Ndocaj dhe Jona Barjaba.

Në Kosovë kemi Bedri Veliun.
Në Maqedoni kemi Ariton Murtishi. Kurse këto kemi Kalosh Selën, Beqir Sinën, Faton Arifin, Valon Dervishin. Kurse me administrimin merret vajza ime Valbona Alla. Në familje tani me biznesin merret djali Ukë Dauti.

Ju jetoni në SHBA prej 1978. A ndiheni të realizuar individualisht, në muzikë, me sukseset e fëmijëve, etj?
Jo të realizuar, se deri sa të jetosh jeta ka sfida pa realizuar që dëshiron t’i realizosh dhe sfida të reja që duhet t’i përballosh. Po i bëj shumë vite në Amerikë, por shyqyr Zotit shpesh vij në atdhe dhe fëmijët për çdo vit vizitojnë atdheun. Është mjaft me kaq të vizitosh atdheun, gjë normale që jo se dëshira ime është të jetoj në vendlindje mirëpo ky është fati që ma ka shkruar Zoti.

Faleminderit shumë për intervistën dhe u dëshiroj gjithë të mirat në jetë!

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts