Nga transferimet e bujshme tek momentet epike, mësoni ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2021









Pas një pandemie të gjatë të nisur në fund të vitit 2019, e cila ende po vazhdon që të mos lejojë jetën normale në botë dhe një 2020 e cila deri në gjysmën e saj pa globin që të frenonte, viti 2021 gjithsesi u duk sikur i dha pak më shumë shije festive globit. Dhe një meritë të madhe për këtë pati edhe sporti, i cili mbledh rreth vetes qindra miliona të apasionuar, të cilët shijuan mjaft ngjarje si protagonistë, sërish nga shkallët e stadiumeve, ku ato që pushtuan pjesën më të madhe të Europës ishin pikërisht italianët.

viti 2021 sport

INTERI PAS 11 VITESH – Italia e nisi duke parë rikthimin e Interit në fronin e Serisë A, pas 11 vitesh, me ish-juventinin Antonio Konte në stol, i cili shkatërroi diktaturën 9-vjeçare të “Zonjës së Vjetër”.

Madje, zikaltrit arritën ta mbyllin me siguri matematike çështjen e titullit 4 javë përpara fundit, konkretisht më 2 maj 2021.

Ndërkohë, në kampionatet e tjera të mëdha të Europës surprizë ishte triumfi i Lilës ndaj PSG-së në Francë dhe triumfi i Atletikos ndaj Realit në Spanjë, ndërsa në Gjermani Bajerni nuk pati rivalë, ashtu sikurse Mançester Siti në Angli.

inter

TROFETË PËR KLUBE – Përveç kampioneve në vendet respektive, Europa pa Çelsin që të fitonte trofeun më të rëndësishëm për klube, Ligën e Kampioneve, përballë Mançester Sitit të Pep Guardiolës, ndërsa Vijareali triumfoi në Ligën e Europës.

Më pas, blutë do të mundnin spanjollët në finalen e Superkupës së kontinentit, teksa presin të luajnë edhe Botërorin për klube, në program mes datave 3-12 shkurt, në Emiratet Arabe.

TRIUMFI “EURO 2020” – Kaluan më pak se dy muaj nga triumfet në ligat respektive të kontinentit të vjetër, për të shijuar mbrëmjen magjike të 11 korrikut, atë të finales së “Euro 2020”, ku Italia e Roberto Mançinit arriti që të triumfojë në strofkën e “Tre Luanëve”.

Finalja maratonë, e cila kërkoi goditjen e 11-metërshave përballë 90 mijë të pranishmëve përfundoi me festën “Axurre”, ku heroi ishte portierin Xhanluixhi Donaruma me pritjet e tij në kuadratin e portës.

italia

LARGIMET E BUJSHME – Dhe duke mbetur te Donaruma, portieri i Italisë la Milanin për PSG-në, ndonëse në Paris do të kishte shumë afrime të tjera të bujshme, të cilat bënë jo pak tifozë, sidomos spanjollë, që të derdhnin lot. Pa dyshim më i bujshmi ishte ai i largimit të Lionel Mesit nga Barcelona, pas 21 vitesh në Katalunjë, për më tepër me parametër zero.

psg

Në Paris, “Pleshtit” argjentinas iu shtua edhe një prej rivalëve më të frikshëm në La Liga, ish-kapiteni i Realit të Madridit, Serxho Ramos, i cili la “Galaktikët” gjithashtu pas skadencës së kontratës dhe mosrinovimit të saj.

Një tjetër ngjarje e bujshme, sërish duke u rikthyer në Itali ishin edhe largimet e papritura të Kristiano Ronaldos nga Juventusi dhe rikthimi i tij në Mançester, ashtu sikurse kërkesa për t’u rikthyer te Çelsi e njeriut të titullit të Interit, Romelu Lukaku.

ronaldo-mesi

NJË “TOP” ME POLEMIKA – Teksa sezoni 2021-2022 kishte nisur, më 29 nëntor ishte koha për të vlerësuar edhe futbollistin më të mirë të vitit, por në Paris mbrëmja gala u shoqërua me jo pak polemika, duke qenë se fitorja e Lionel Mesit, i cili fitoi të shtatin “Top të Artë” në karrierë nuk u prit edhe aq mirë.

Pavarësisht zgjedhjes së gazetarëve, opinioni i gjerë sportiv mendonte se ky trofe i përkiste Robert Levandovskit, bomberit dhe rekordmenit absolut të Bajernit të Mynihut.

mesi

NJË MBYLLJE NË LOT – Një tjetër ngjarje që nuk mund të mos përmendet, për ta mbyllur me arenën e futbollit, është edhe lamtumira e parakohshme e Serxho Agueros nga futbolli, më 15 dhjetor.

Pak muaj pasi argjentinasi la Mançester Sitin për Barcelonën dhe golin e vetëm me kuqeblutë e realizoi pikërisht në “Klasiken” me Realin, sulmuesi rezultoi me probleme serioze në zemër dhe pas konsultimeve me mjekët vendosi që të varë këpucët në gozhdë.

augero

VOLEJ E BASKET – Italia vazhdoi të pushtojë Europën, pas futbollit edhe në volejboll, ku të dyja kombëtaret, si për femra ashtu sikurse ajo për meshkuj u shpallën kampione të kontinentit, duke thyer edhe në këtë rast shumë parashikime.

Ndërkohë, në basketboll, kampione për femra u shpall kombëtarja e Serbisë (në finale mposhtën Francën), ndërsa për meshkuj turneu do të zhvillohet sivjet mes 1-18 shkurtit.

OLIMPIADA E KALTËR – Pas Europianit të futbollit, bota e kthehu të gjithë vëmendjen tek Olimpiada në Tokio, ku nëse SHBA-të e dominuan atë me 39 medalje ari, 41 argjendi dhe 33 bronzi, Italia la vulën e saj me Marsel Xhejkobs që fitoi medaljen e artë në garën e 100 metrave me kohën 9.80 sekonda apo edhe stafetën 4×100, por duke thyer parashikimet edhe në kërcim së larti, si dhe në karate.

Një verë italiane! TENIS – Në sportin e raketës, 2021-shi ishte thuajse i gjithi i Novak Xhokoviçit. Nëse nuk do të kishte qenë për rusin Danil Medvedev, i cili e mposhti në “US Open”, tenisti serb do të kishte kompletuar “Grand Slamin” e tij të parë në karrierë, pas sukseseve në “Roland Garros”, “Uimbëlldon” dhe “Australian Open”.

MOTOÇIKLIZMI NË LOT Ndoshta për herë të parë në historinë e motoçiklizmit, fundi i Botërorit nuk pati në vitrinë kampionin Fabio Kuartararo, francezin që mposhti këdo në shalën e Dukatit. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë, legjenda Valentino Rosi vendosi që të tërhiqet dhe festa e lotët në fund ishin të gjitha për “Doktorin”.

Piloti italian i dha fund me botën e garave në moshën 42-vjeçare, pas një çerek shekulli mbi dy rrota, gjatë të cilave ai grumbulloi 9 tituj kampion.

rosi

FORMULA “VERSHTAPEN” Ato që mbyllën sezonin sportiv për vitin 2021 ishin njëvendëshet e Formulës 1. Më 12 dhjetor në Abu Dabi, Luis Hamilton dhe Maks Vershtapen kishin arritur në garën e fundit në kuotë të barabartë pikësh dhe një fund më të bukur nuk mund të kishte.

Madje, piloti holandez i skuderisë Red Bull arriti që të përmbysë situatën në favorin e tij, pikërisht në xhiron e fundit, pas një sulmi të ashpër ndaj 7 herë kampionit të botës së Mercedes-Benz, për një mbyllje të denjë jo vetëm të Botërorit të Formulës 1, por edhe të të gjitha ngjarjeve të sportit të vitit 2021, me një skenar hollivudian.

vestapen

Përgatiti: JETON STAMOLLA

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.