Nga ulja e taksës së qarkullimit, te dyfishimi ndihmës ekonomike/ PS rrëzon draft-rezolutën e PD






Maxhoranca përdori forcën e kartonëve për të rrëzuar draftrezolutën e Partisë Demokratike me 10 pika për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në situatën e krijuar nga kriza ekonomike.

kuvendi

Projekt-rezoluta e propozuar nga opozita në Kuvend u rrëzua me 74 vota kundër, ndërkohë që pro saj votuan 27 deputetë. Në prezantimin që i bëri Enkelejd Alibeaj tha se çmimet për produktet e shportës duhet të ulen me 6%, ndërsa kërkoi heqjen e taksës së qarkullimit. Alibeaj u shpreh se duhet eliminuar taksa Rama për karburantet. Ai kërkoi raportim nga institucioni i Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me masat e marra për krizën në vend. Rrëzimi i nismës së PD-së u paralajmërua nga kreu i Grupit të PSsë, Taulant Balla, i cili tha se shuma që përbën masat e PDsë është më e ulët se ajo që ka parashikuar PS. Balla tha se qeveria bëri një llogari për propozimet e opozitës, ndërkohë që tha se shifra që propozohet është shumë herë më e ulët se ajo që ka miratuar Këshilli i Ministrave, që sipas tij, kap vlerën e 350 milionë dollarëve.

“Është rast unikal në botë që paketa që propozuar nga opozita është shumë larg dhe shumë më e vogël se paketa e qeverisë. Paketa e qeverisë është 350 milionë dollarë, kurse ju nuk dhatë një shifër për ato që propozoni në projekt-rezolutë. Këtu kishte një propozim që të hiqet taksa e qarkullimit. Jo mor zoti Alibeaj. Unë dhe ti do t[ vazhdojmë të paguajmë taksën. Ndërsa të gjithë qytetarët shqiptarë që lëvizin me urban ne do t’ua ruajmë tarifën e biletës. Ne kemi marrë masa për ata që udhëtojmë me autobus, që të mos u preket tarifa. Unë dhe ti do të vazhdojmë të paguajmë çmimin sipas tregut”, tha Balla.

ÇFARË PËRMBANTE DRAFT-REZOLUTA E PD

1. Uljen në 6% të TVSH për mallrat e shportës bazë, propozim konsistent i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike; Pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe kthimin e saj në nivelet e 8 viteve më parë, në masën 7 lekë për litër, nga 27 lekë/litër aktualisht, duke eliminuar taksën Rama mbi karburantin; shkurtimin e menjëhershëm të shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore me të paktën 25% të buxhetit të planifikuar për këtë zë për vitin buxhetor 2022; dyfishimin e menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë dhe jo thjesht trajtimin financiar të tyre për një periudhë afatshkurtër 3-mujore; rritjen e menjëhershme të pensioneve me dyfishin e indeksimit të parashikuar nga vetë qeveria, duke filluar nga 1 prilli 2022; rritjen e pagës minimale në masën 36 000 (tridhjetë e gjashtë mijë) lekë në muaj, duke filluar nga 1 prilli 2022; pezullimin e menjëhershëm të pagesave buxhetore për PPP-të dhe koncesionet, veçanërisht ato të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprimtari korruptive; rritjen e subvencionimit ndaj fermerëve në masën 100 milionë euro/vit me qëllim rritjen e prodhimit dhe uljen e kostove të tyre, për t’i bërë produktet shqiptare konkurruese në rajon”, propozohej në draft-rezolutën e rrëzuar. Ndërkohë, përmes një postimi në “Facebook”, kryetari i komanduar i PD-së shprehu keqardhje që deputetët e maxhorancës nuk u ngritën përtej politikës për të ndihmuar qytetarët e tyre. “Qeveria nuk u ngrit dot përtej politikës, duke mos ndihmuar shqiptarët në përballimin e krizës. Fatkeqësi që qeveria nuk u ngrit dot përtej politikës për të ndihmuar në përballimin e krizës së rëndë ekonomike”, tha Alibeaj.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.