Nga vizita e ‘92 në SHBA e pritja e Bush në Tiranë, te debati në ‘97 dhe reforma! 30 vitet e “luftës dhe paqes” së Sali Berishës me Uashingtonin






Marrëdhëniet e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga 1991 kanë pësuar luhatje në varësi të zhvillimeve politike.

berisha-amerika

Sali Berisha ka qenë politikani më i mbështetur nga SHBA që nga nisja e lëvizjeve demokratike në Shqipëri, ndërsa pa marrë ende votëbesimin e shqiptarëve në 1992, ai u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti amerikan i kohës, Xhorxh Bush, plaku. Kreu i Shtëpisë së Bardhë do ta presë përsëri në Shtëpinë e Bardhë Sali Berishën në 1992, përmes një ceremonie zyrtare nën batarenë e topave, tashmë si President i shqiptarëve, pas zgjedhjeve të para pluraliste.

Një ngjarje e rrallë kjo për një politikan shqiptar që të shkelë dy herë Shtëpinë e Bardhë brenda një viti. Më pas marrëdhëniet në Shqipëri rrodhën vrullshëm, ku ambasadori amerikan Rajerson, i cili adhuronte antikomunizmin e Sali Berishës, nuk do t’i ndahej për asnjë hap Presidentit Berisha në çdo vendimmarrje dhe aktivitet që organizonte. Në bashkëpunimin me Rajerson, Berisha përmbysi në Shqipëri kastën e vjetër të drejtësisë, të trashëguar nga regjimi komunist, për të prodhuar “gjyqtarët e së ardhmes” përmes kurseve 6-mujore në jurisprudencë.

PRESIDENTI KLINTON, 1995

Edhe pasardhësi i Xhoxh Bushit, demokrati Bill Klinton, do të priste në 1995-ën Presidentin Berisha në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Temë kryesore e bisedës ishte situata në ish-Jugosllavi, ndërsa i ftuari i rajonit përfaqësonte kombin më pro-amerikan në Ballkanin që kalonte konflikte luftërash. Në takimin me Klintonin, Presidenti Berisha e nxiti atë për më shumë vëmendje ndaj Kosovës.

“Kosova është nën pushtim të plotë. Fola me Sekretarin e Shtetit dhe pyeta nëse Shtetet e Bashkuara mund të marrin rolin e ndërmjetësit në negociata për të rivendosur autonominë atje. Sigurisht, që do të më pyesnin shqiptarët nëse duhet të kërkojmë më shumë. Por unë them ‘Jo’, sepse duke kërkuar shumë, do të thotë luftë. Paralajmërimet e Administratës së Bushit (paralajmërimet e Krishtlindjeve në lidhje me Kosovën) dhe prania e trupave amerikane në Maqedoni ishin vendimtare për të parandaluar një përhapje të konfliktit boshnjak në Jug”, ka cituar vetë Berisha pjesë nga biseda me Presidentin amerikan.

TRAZIRAT E 1997-1998

Uashingtoni kishte besuar se Presidenti Berisha do t’i dëgjonte këshillat dhe sugjerimet e administratës amerikane gjatë trazirave të 1997-ës dhe grushtit të shtetit të 1998- ës. Krisja e parë në këto marrëdhënie daton me zgjedhjet e 1996-ës, kur administrata amerikane nuk pranoi rezultatin e atyre zgjedhjeve dhe dhunën e ushtruar ndaj opozitës.

Ndërsa dy vite më vonë, ambasadorja amerikane në Tiranë në 1998-ën, Marisa Lino, dënoi grushtin e shtetit të opozitës, e cila sulmoi institucionet shtetërore. Përmes një deklarate, ambasada bënte thirrje që “vdekja e Hajdarit nuk duhet të shfrytëzohet”, deklaratë që çoi në ftohjen e raporteve të ishkreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Pasuan disa vite marrëdhëniesh të ngrira mes PD-së, Sali Berishës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

VIZITA E XHORXH BUSH I RIU NË TIRANË, 2007

Por fitorja plebishitare e zgjedhjeve parlamentare të 2005- ës nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj dhe zgjedhja e Sali Berishës Kryeministër i vendit, riktheu marrëdhënien e dikurshme institucionale të tij me SHBA-në. Amerika te shqiptarët kishte zënë një tjetër vend pas çlirimit të Kosovës nga NATO me vendim të Presidentit amerikan Bill Klinton.

Në 2007-ën ndodhi ngjarja më e rëndësishme në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, për herë të parë Presidenti amerikan do të vizitonte Tiranën në një vizitë njëditore shumë mbresëlënëse. Sali Berisha, Kryeministër i vendit, ishte mikpritësi i madh, ndërsa mori mesazhin nga Presidenti Xhorxh Bush i riu për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Ky vendim rriti edhe praninë e kompanive amerikane në Kosovë dhe në Shqipëri, ndërsa pati si produkt dhe Rrugën e Kombit, që lidh Prishtinën me Durrësin.

SHQIPËRIA NË NATO, 2009

Ishte Kryeministri Berisha i cili mori në dorë në 2009-ën marrëveshjen e pranimit të Shqipërisë në NATO, falë këtyre marrëdhënieve shumë të mira me Uashingtonin dhe Presidentin Xhorxh Bush i riu edhe pse shpërthimi tragjik i Gërdecit, ku humbën jetën 26 qytetarë, kishte ngritur ca pikëpyetje tek aleatët strategjikë (SHBA) për influencën e Kryeministrit Berisha dhe aleatëve të tij në këtë ngjarje.

“Wikileaks” do të zbulonte kabllogramet që ambasadori amerikan në Tiranë në 2008-ën, John Withers, do t’i raportonte qeverisë së tij mbi rolin e Berishës në tragjedinë e Gërdecit dhe hetimet për këtë ngjarje. “Të marra së bashku, përpjekjet e Berishës për të ushtruar një kontroll më të madh mbi sistemin juridik, median dhe shërbimet e inteligjencës, plus përpjekjet e tij për të minuar hetimin e Gërdecit, zbulojnë një prirje të pagabueshme dhe shqetësuese; objektivat e tij më të afërt duket se janë kontrolli i hetimit mbi Gërdecin, ndaj SHISH, gjykatave, Prokurorisë së Përgjithshme dhe medias.

Të gjitha këto luajnë një rol të madh në ekspozimin e bizneseve të dyshimta dhe korrupsionin që çoi në shpërthimin e marsit, si dhe çka është më e rëndësishme, lidhjet e mundshme të djalit të Berishës, që thuhet se ka pasur interes biznesi në Gërdec. Një motivim i dytë është padyshim motivimi i Berishës për të kontrolluar zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që janë caktuar në qershor të vitit 2009.

Sulmi është përpjekja e fundit për të devijuar hetimet në vazhdim, i pari ai i Gërdecit, i dyti ai i akuzave serioze të korrupsionit kundër ministrit të Jashtëm Basha dhe projektit Durrës-Kukës, ku abuzimi financiar shkon afërsisht në 200 milionë euro. Duke iu referuar natyrës shpërthyese të këtyre hetimeve, Kryeministri ka arsye të mëdha të vazhdojë, e madje të shtojë presionin ndaj zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm”, zbulon “Wikileaks” kabllogramin e Withers.

REFORMA NË DREJTËSI, 2016

Sali Berisha sulmoi Reformën në Drejtësi në 2016-ën, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama se po tenton ta kapë atë përmes filantropistit Xhorxh Sorros dhe me mbështetjen e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. “Menjëherë reformën e mori Edi Rama në dorë dhe përjashtoi opozitën.

Çuditërisht në krah të Edi Ramës u rreshtuan edhe guvernatorja e BE-së dhe më pak ambasadori Lu. E bënë draftin me specialistë të huaj, natyrisht të paguar nga Xhorxh Soros, ky kryekorruptor në botën e lirë”, është shprehur Berisha. Por zoti Berisha e sulmoi ambasadorin Lu edhe ndaj akuzave në adresë të Prokurorit të Përgjithshëm. “Zoti Lu është në konflikt interesi, ka dy probleme. Lu do që Adriatik Llalla me çdo kusht të ikë. Se Llalla e ka akuzuar për korrupsion. Lu duhet t’u përgjigjet akuzave. Ai e ka akuzuar se i ka shkuar në zyrë dhe i ka kërkuar ndërprerje hetimi për një dosje. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Kryeprokurori të akuzojë një ambasador”, është shprehur Berisha.

DEKLARATA E RAMËS

Dy vjet më parë, nga salla e Parlamentit Kryeministri Rama lajmëroi se Sali Berisha e ka të pamundur të udhëtojë drejt SHBA-së. “Tani kam një pyetje për ty: ti Sali e kapërcen dot oqeanin me dash? Më bëre një pyetje të drejtpërdrejtë dhe ta dhashë përgjigjen dhe po të bëj unë një pyetje të drejtpërdrejtë. Nëse do të isha ai që përshkruani ju, të jeni i sigurt se nuk do ta kapërceja dot oqeanin, e jo më të komunikojë me Shtëpinë e Bardhë me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, se unë nuk kam mundësi”, deklaroi Rama në janar të 2019-ës.

SHKËMBIMI I TERRITOREVE KOSOVË-SERBI

Sali Berisha ka qenë ndër të vetmit politikanë që ka denoncuar hapur tezën e shkëmbimit të territoreve, duke e cilësuar atë produkt të Fondacionit Sorros në Beograd, ndërsa ka bërë si autorë të këtij projekti Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Kryeministrin Edi Rama edhe ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *