Nga zgjedhjet e 25 prillit te përplasjet brenda PD dhe rikthimi në skenë i Sali Berishës/ “Jeta” e opozitës në një vit! Basha, “katarsisi” pas vendimit të 9 shtatorit









MARIGLEN KUME/ Viti që po lëmë pas mund të konsiderohet si një nga më të vështirët për Partinë Demokratike, por edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

saliberishalulzimbasha

Që nga janari i vitit 2021, PD-ja me partitë e vogla dhe LSInë nisën bisedimet për të gjetur formulën e koalicionit për të maksimalizuar votat përballë PS-së, e cila ishte konsumuar për 8 vite, por që në krye kishte një person kërkon të bjerë në sy në çdo mënyrë.

Pavarësisht muajve të tërë negociatash, PD-ja u bashkua me partitë e vogla, por me LSI-në vetëm se firmosi një marrëveshje aleance dhe garuan me lista më vete. Rezultati u pa më 26 prill, ku PS-ja fitoi mandatin e tretë qeverisë.

Por, sfidat për Lulzim Bashën për vitin 2021 më 26 prill vetëm sapo kishin nisur. Në ditët e para pas humbjes, kryedemokrati nuk i njohu zgjedhjet, duke e pagëzuar 25 prillin masakër elektorale, ndërsa kritikët e tij nisën së kërkuari shkarkimin e tij. Ndërkohë Berisha i vlerësoi zgjedhjet të vjedhura.

Ndërkohë më 19 maj, PD-ja mori një nga shuplakat më të rënda. Lideri historik i saj Sali Berisha u shpall person “non grata”. Sakaq më 13 qershor, Basha u rikonfirmua kryetar i PD-së edhe me mbështetjen e Berishës. Ndërkohë, në fund të qershorit në zyrën e Bashës erdhi zëvendësndihmëssekretari i SHBA-së, Reeker.

Një muaj më pas ambasadorja Kim i la një muaj kohë Bashës për të vendosur nëse do të ndahej nga Berisha apo do qëndronte me të. Një ditë para fillimit të parlamentit Basha vendosi përjashtimin e Berishë.

Kjo lëvizje e Bashës “rilindi” politikisht Berishën i cili në këto muaj ka vijuar përplasjen e fortë me Bashën, ndërsa beteja s’ka mbaruar. Më poshtë, janë të renditura ngjarjet më të rëndësishme në kampin opozitar.

Opozita në 2021

15 janar:

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, takoi kryekomisionerin e Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe nënkomisioneren, Lealba Pelinku. Ambasadorja në një postim në “Twitter” sqaroi se temë diskutimi kishte qenë regjistrimi i kandidatëve të pastër.

25 janar:

Kryetarja e LSI-së shpalosi programin ekonomik me 5 prioritete në 5 muajt e parë. 5 prioritetet fillonin me mbështetjen për familjet e reja dhe stimulimin e shtimit të popullsisë, qëndrimin e tyre në vendin e lindjes, përmirësimi i sistemit arsimorë, punësimi dhe mirëpagimi dhe vijonin me lehtësirat për sektorin e bujqësisë dhe stimulimin e konsumit të produkteve vendase.

27 janar:

Anëtarët e KQZ-së dhe opozita u ankuan tek vëzhguesit e misionit të ODIHR për fenomenin e përfshirjes së personave subjekt të dekriminalizimit në listën e kandidatëve për deputet.

27 janar:

Grupi i punës në Partinë Demokratike përfundoi programin ekonomik Pika kryesore e planit ekonomik ishte ulja e tatimit mbi fitimin nga 15% që është aktualisht në 9%, duke aplikuar atë që njihet ndryshe si taksa e sheshtë. Por, ky nuk ishte lehtësimi i vetëm fiskal që PD-ja planifikonte t’i krijonte qytetarëve dhe bizneseve, nëse i besohet qeverisja e vendit. Basha i premtoi qytetarëve se qeveria e drejtuar prej tij do të ulte detyrimet për kontribute shoqërore nga 24% që është aktualisht në 18%, nga ku 9% do të paguhet nga punëdhënësi dhe 9% nga punëmarrësi.

2 shkurt:

Plotësohet lista me drejtuesit politik të PD-së në të gjitha qarqet. Qarku i fundit ku u caktuan drejtuesit politik ishte Tirana.

4 shkurt:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian u bën thirrje drejtuesve të Partive Politike që të mos përfshinin në listat e kandidatëve persona të përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme.

14 shkurt:

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, kryedemokrati Lulzim Basha tha se taksa e sheshtë është e provuar që ka sukses në Shqipëri, ndaj demokratët janë të bindur se duke u lënë më shumë para në duar qytetarëve dhe biznesit, duke ulur taksat, do të nxjerrin vendin nga kriza. Kreu i PD-së u zotua se të gjitha angazhimet e prezantuara në programin e tij do t’i realizojë brenda 4 viteve, në të kundërt nuk do të kërkojë mandat tjetër.

8 mars:

Kryetarja e LSI-së depozitoi në SPAK padi penale për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Sipas Kryemadhit, në atë aferë ishin të përfshirë, ish-ministri i LSI-së Lefeter Koka.

14 mars:

Mbështetës të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike u përleshën fizikisht në qendër të qytetit të Elbasanit në prani edhe të Kryeministrit Edi Rama. Përplasja nisi pasi disa mbështetës të PD-së thirrën “Rama ik!”.

21 mars:

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk tërhiqet nga projekti për vetingun e politikanëve. Nismën që PS-ja ia rrëzoi me shumicë votash pak vite më parë, kryetari i PD-së u zotua se do ta realizonte pas 25 prillit.

22 mars:

Në ditën e fitores për herë të parë të zgjedhjeve nga Partia Demokratike (22 mars 1992), kryetari i PD-së Lulzim Basha prezantoi librin e tij të parë pikërisht nga vendi ku lindi lëvizja e dhjetorit e vitit ‘90 për rrëzimin e sistemit diktatorial.

25 mars:

Partitë politike nisën zyrtarisht fushatën zgjedhore për Parlamentin e ri dhe zgjedhjet e 25 prillit.

21 prill:

Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, i njohur si mbështetës i Partisë Socialiste dhe ish-drejtori i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u ekzekutua me armë zjarri. Xhuvani mori tre plumba në trup, por ai pranë zemrës i mori jetën dhe e la të vdekur. Ngjarja ndodhi pas një konflikti mes strukturës së mbrojtjes së votës së PD-së dhe mbështetësve të PS-së.

25 prill:

Shqiptarët morën pjesë masivisht në zgjedhjet politike për të caktuar qeverinë e 4 viteve të ardhshme. Në këto zgjedhje u shënua numri më i lartë i votuesve që kanë votuar që nga zgjedhjet e vitit 2001, që mori në analizë gazeta “Panorama”.

27 prill:

Kryedemokrati Lulzim Basha përmes një deklarate për mediat në prani të drejtuesve politik të qarqeve, deklaroi se nuk njeh rezultatet e zgjedhjeve.

28 prill:

Ish-Kryeministri Sali Berisha reagoi duke i krahasuar zgjedhjet e 25 prillit me ato të 20 viteve më parë. Sipas Berishës, votat u blenë nga maxhoranca muaj më përpara sesa qytetarët të shkonin në kutitë e votimit. Një grup anëtarësh dhe ish-anëtarësh të kryesisë së PDsë, mes të cilëve Bujar Nishani, Endira Bushati, Arben Imami e Arben Ristani, kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të kryedemokratit Lulzim Basha nga drejtimi i partisë pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit.

30 prill:

“Open Data” zbardhi transaksionet e urdhëruara nga dega e thesarit të Bashkisë së Durrësit gjatë muajit të fushatës. Nga 1 dhjetori 2019 (muaji i parë pas tërmetit) deri më 25 mars 2021 (dita e parë e fushatës) vlera e ekzekutimeve ishte vetëm 6 637 194 milionë lekë (të rinj). Ndërkohë, gjatë muajit të fushatës zgjedhore, nga 25 marsi 2021 deri më 23 prill, Këshilli i Ministrave mori vendime dhe Bashkia e Durrësit ekzekutoi dëmshpërblimin në vlerën 6 milionë eurove.

9 maj:

Me një furgon Partia Demokratike depozitoi në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ dosjet voluminoze në të cilat gjendeshin emrat e qindra personave të akuzuar për krime zgjedhore.

10 maj:

Sekretari Organizativ i PD-së, Sahit Dollapi, dha dorëheqjen nga funksioni i tij në selinë blu. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare pranë Partisë Demokratike.

16 maj:

Mbledhja e parë e kryesisë deh Këshillit Kombëtar të PD-së. U caktua data për zgjedhjet e parakohshme për kryetarin e PD-së.

17 maj:

Nishani kundërshton zgjedhjet e parakohshme, u caktuan pa kuorum. I leverdisin Bashës për të mbajtur karrigen, ndërsa Kadilli shpalli kandidaturën.

19 maj:

Departamenti Amerikan i Shtetit Shpalli person “non grata” ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij. Sipas deklaratës që u publikua në faqen zyrtare të DASHit, Sali Berisha ka qenë i përfshirë në korrupsion gjatë kohës që ka drejtuar vendin si Kryeministër i Shqipërisë.

20 maj:

Ish-Kryeministri Sali Berisha vendos të padis për shpifje në Francë sekretarin e Shtetit Antony Blinken. “Kam udhëzuar avokatin tim në Francë që të ngrejë një padi personale për shpifje për Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Blinken”, tha Berisha. Ndërsa përjashtoi grupi e PD-së nga çështja e tij.

13 qershor:

Lulzim Basha u konfirmua si kryetar i PD edhe për 4 vitet e ardhshme. Ai ishte kandidati më i votuar ndër 3 kandidatët e tjerë që e sfiduan për të drejtuar Partinë më të madhe në opozitë. Më 13 qershor votuan 40356 demokratë. Nga këto 81.3% të votave i mori kryedemokrati Lulzim Basha me 32825 vota. Berisha rikthehet në PD pas disa muajsh për të votuar Bashën si kryetar të PD-së.

17 qershor:

Basha udhëzoi drejtuesit politikë për të bërë analizën e rezultatit zgjedhor. 23 qershor: Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpërndau mandatet e deputetëve. Pas kërkesës së Partisë Demokratike, kreu i KQZ-së tha se deputetët të cilët kishin qenë në listën e përbashkët të një koalicioni si në rastin e PD-së me aleatët, në krah të emrit të tyre do të kenë të shënjuar edhe logon e partisë që përfaqëson.

30 qershor:

Gjykata Kushtetuese vendosi hapjen e listave 100%. Nëse një vendim i tillë do të ishte marrë më herët, atëherë do të kishim një përbërje të Parlamentit ndryshe.

15 korrik:

Raporti përfundimtar i analizës së zgjedhjeve të 25 prillit krijoi pakënaqësi në mesin e drejtuesve politikë që iu besua të drejtonin fushatën zgjedhore. Më të pakënaqurit ishin dy nënkryetarët e Partisë Demokratike, të cilët nuk mund të fshihnin kundërshtitë

18 korrik:

Rreth 5500 delegatë të Kuvendit Kombëtar zgjodhën të shtunën 300 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.

30 korrik:

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, zbarkoi në selinë blu. Në një takim kok më kokë me kryedemokratin Basha kërkoi që të mos lejonte futjen e Berishës në parlament pasi u shpall nga DASH-i person “non grata”. Takimi ndodhi fiks një muaj nga vizita e ndihmëssekretarit të Shtetit në Detyrë për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, ambasadori Philip T. Reeker. Berisha kundërpërgjigjet. Gaboi rëndë.

30 gusht:

Këshilli Kombëtar i PD-së miratoi unanimisht me ngritjen e dorës, propozimet e kryedemokratit Lulzim Basha për 4 nënkryetarët, 11 sekretarët dhe drejtuesit e departamenteve.

9 shtator:

Në limitet e afatit kohor të përcaktuar nga ambasadorja e Shteteve të Bashkua të Amerikës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vendosi të qëndrojë në krah të SHBA dhe të pezullonte themeluesin e PD-së, Sali Berisha, nga Grupi Parlamentar i PD-së. Vendimi i Bashës për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së, shkaktoi debate të forta në mbledhjen e parë të grupit të PD-së.

10 shtator:

Nisi sesioni parlamentar. Për herë të parë pas 30 vitesh, Sali Berisha hyri në Parlament i mënjanuar nga shumica e deputetëve të Partisë Demokratike.

17 shtator:

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, organizoi mbledhjen e parë të turit të takimeve me mbështetësit pas vendimit të kryedemokratit Basha për ta përjashtuar përkohësisht nga PD-ja. Lajmëroi mbledhjen e Kuvendit të PD-së.

20 shtator:

Kreu i selisë blu mblodhi në mesditë kryesinë e Grupit Parlamentarë të PD-së për të vendosur piketat mbi të cilat do të fokusohet këtë javë aksioni opozitar. Por, Flamur Noka i kërkoi kryedemokratit Lulzim Basha që të mos anashkalojë debatin mbi vendimmarrjen për përjashtimin e përkohshëm të Sali Berishës. Basha tha se nuk do lejonte mbledhjen e një Kuvendi që do gjykonte vendimin e DASH-it. Ish-Kryeministri Sali Berisha reagoi pas debateve në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së për përjashtimin e tij. Me anë të një statusi shkurt në “Facebook”, lideri historik demokrat e quajti Lulzim Bashën ish-kryetar, dhe tha se ka shpallur “non grata” bazën e partisë.

5 tetor:

Kryetari i Partisë Demokratike mori pjesë në samitin e PPE-së se Ballkani Perëndimor. Ai tha se Ballkani është kthyer në kryqëzimin e rrugëve të kriminelëve dhe trafikantëve. Shqetësimi i kreut të opozitës shkon më tej, kur tha se kriminelët ndihmohen nga autokratët e Ballkanit, të cilët më pas shpërndajnë pushtet me ta.

15 tetor:

Kryediplomatja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, sqaroi se vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit që shpall “non grata” një person nuk negociohet më pas për t’u hequr.

18 tetor:

Nis punën komisioni i posaçëm parlamentar për hetimin e shkeljeve të ligjit zgjedhor më 25 prill.

20 tetor:

PD-ja depozitoi në Parlament tri nismat për ndryshimet kushtetuese. Propozimi i parë i PD-së lidhet me zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut të vitit të kaluar. Nisma tjetër e ligjvënësve të PD-së është Reforma Territoriale. Pjesa e tretë dhe më e zgjeruar në propozimin e PD-së është vetingu i politikanëve.

29 tetor:

Ish-kryedemokrati Sali Berisha lajmëroi nga Lezha se Kuvendi Kombëtar i PD-së do të mblidhet më 11 dhjetor.

7 nëntor:

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi takimin e radhës me të rinjtë demokratë. Përballë tyre Berisha tha se nuk do lejojë Bashën që të jap dorëheqje, pasi do ta largojnë. Kryedemokrati Lulzim Basha iu kundërpërgjigj akuzave të Berishës nga “Foltorja” me të rinjtë, përmes një deklarate nga selia blu. Akuzave se është mbyllur në zyrën e tij, Basha u përgjigj jashtë PD-së, duke i thënë Berishës se koha e tij dhe mandateve të skaduara( FRPD dhe LDGSH) ka mbaruar.

10 nëntor:

Selia qendrore e Partisë Demokratike akuzoi ish-Kryeministrin Sali Berisha se nuk i ka mbledhur firmat e nevojshme për të thirrur Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pasi përfaqësuesit e delegatëve të Kuvendit që kanë firmosur dorëzuan dosjen në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka

12 nëntor:

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, sulmoi Lëvizjen Socialiste për Integrim se kjo e fundit nuk kishte pranuar ofertën e PD-së për t’i dhënë 15 mandate me këmbim që të futeshin me listë të përbashkët në zgjedhjet e 25 prillit.

15 nëntor:

Në një debat që zgjati më shumë se 5 orë, kryesia e Partisë Demokratike miratoi propozimin e Lulzim Bashës për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD-së më datë 18 dhjetor.

18 nëntor:

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëroi liderin historik të PD-së, Sali Berisha, se do të përjashtohet nga PD nëse dëmton interesat politike të saj. Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk zgjodhi që t’i përgjigjej drejtpërdrejt kryedemokratit Lulzim Basha, por institucionalizoi “Foltoren”.

19 nëntor:

Nga Librazhdi Berisha akuzoi kreun e PD-së Basha për bashkëpunim me Kryeministrin Rama, duke kthyer sipas tij PD-në në ministri të narko-shtetit.

25 nëntor:

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, foli për herë të parë për marrëdhënien me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve të 25 prillit. Gjatë një interviste për “Real Story” në “News 24”, Kryemadhi tha se synimi i LSI-së në 2021-shin ishte unifikimi i opozitës.

1 dhjetor:

Ish-Kryeministri Sali Berisha u ndal për “Foltoren” e radhës në vendin e lindjes, në Tropojë. Lideri historik i PD-së akuzoi Bashën për bashkëpunim me Ramën, por këtë herë sipas Berishës kjo po bëhet përmes fakteve. Sipas Berishës në ditët e fundit Basha po mbledh firma nga delegatët e Kuvendit për Kuvendin e 18 dhjetorit, duke u premtuar poste zëvendësministrash në kabinetin e Ramës.

2 dhjetor:

Presidenti Ilir Meta iu përgjigj dje akuzave të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, se Presidenti gënjen kur thotë se kreu i opozitës nuk kishte kërkuar anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, por se kishin qenë autoritetet gjermane.

5 dhjetor:

Ish-kryedemokrati zhvilloi “foltore” virtuale me mbështetësit e tij që jetojnë në shtetet e Bashkuara të Amerikës ndonëse është shpallur “non grata”.

8 dhjetor:

Për herë të parë pas 31 vitesh kur edhe u themelua, Partia Demokratike festoi 8 dhjetorin, ditën rinisë, teksa ndodhet në krizën më të thellë që ka kaluar ndonjëherë. Këtë herë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nuk kishte pranë tij në aktivitetin e rastit një nga personat më të afërt deri më 9 shtator, Sali Berishën.

10 dhjetor:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ulen në tryezë me liderin e një partie, i cili është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Zëvendësndihmëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, u shpreh i prerë gjatë një interviste për gazetarin Sokol Balla në “News 24” se nëse demokratët zgjedhin në krye të selisë blu Berishën, Partia Demokratike do të ketë pasoja.

11 dhjetor:

Sali Berisha zhvillon kuvendin kombëtar në stadiumin “Air Albania”. Ish-kryedemokrati tha se kuvendi u mblodh në stadium pasi nuk ka asnjë sallë në Shqipëri që mban të gjithë delegatët. Kuvendi i datës 11 dhjetor shkarkoi Lulzim Bashën si kryetar i PD-së. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi ish-Kryeministrin Sali Berisha se themeloi organizatën antiamerikane me të cilën, sipas tij, po bëhet barrë për demokratët. Po ashtu në mbledhjen e këshillit kombëtar të thirrur nga Basha u vendos të mos njihej asnjë vendim i Kuvendit të thirrur nga Berisha.

18 dhjetor:

Mblidhet kuvendi kombëtar i PD. Përjashtohet Berisha nga grupi parlamentar dhe çdo institucion tjetër drejtues. Ndërkohë Berisha organizoi referendumin për konfirmimin e shkarkimit të Bashës me mbi 44 mijë delegatë

20 dhjetor:

Ish-Kryeministri Sali Berisha zhvilloi protestën e parë kombëtare, të thirrur pak ditë më parë. Krahasuar me pjesëmarrjen e qytetarëve në protestat e organizuara nga PD-ja në vitin 2019 pasi dogjën mandatet, numri i protestuesve ishte i ulët.

21 dhjetor:

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zbarkoi për të tretën herë në selinë blu që nga “ndarja” me kryedemokratin Lulzim Basha. Por këtë herë ndodhi, në fakt, ajo që prej ditësh pritej në PD. Shfaqja e dhunës në ambientet e selisë blu. Një nga mbështetësit shkallmoi me dhunë derën e sallës ku bëhen mbledhjet e kryesisë.

23 dhjetor:

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike zgjodhi 4 sekretarët e rinj dhe 5 anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike. Ata zëvendësuan sekretarët dhe anëtarët e kryesisë që janë pozicionuar krah Berishës.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.