Nga zgjedhjet te Becchetti, loja e PS-së me komisionet hetimore që kërkon opozita/ PD mund të bllokojë punimet e seancës parlamentare








MARIGLEN KUME/ Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur që të votoj pro kërkesës së opozitës për të ngritur komision hetimor për zgjedhjet e 25 prillit dhe për inceneratorët, por jo për çështjen Becchetti.

tre trre

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha dje se maxhoranca do të votojë kundër ngritjes së komisionit hetimor për çështjen “Becchetti”, sepse bie ndesh me interesat e Shqipërisë. Ndërkohë, për dy komisionet e tjera të kërkuara nga Partia Demokratike do të kërkohet që të riformulohet objekti i punës së komisionit. “Lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore, dua t’ju bëj me dije se nga PD kanë ardhur 3 kërkesa. Njëra prej kërkesave bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Është e vërtetë që pakica ka të drejtë të ngrejë një komision hetimor, por kur kërkesa bie në kundërshtim me Kushtetutën… Unë besoj që bie në kundërshtim me interesat e Shqipërisë. Shpresoj që PD të kuptojë që në këtë fazë të arbitrazhit, interesi që duhet të prevalojë është interesi i Shqipërisë.

Ky ka qenë edhe sugjerimi i Avokatit të Shtetit dhe ne mund ta ngremë këtë çështje në një moment të dytë. Do të mbaj qëndrimin e plotë të maxhorancës në seancë lidhur me këtë çështje. Investimi i Kuvendit të Shqipërisë mund të vendosë në pikëpyetje ecurinë e procesit. Procesi gjyqësor i arbitrazhit ka qenë një proces konfidencial. Mund ta dëmtonte palën, në këtë rast Shqipëria. Jemi njoftuar që ka një proces edhe në Gjykatën Europianë të të Drejtave të Njeriut, që ka kërkuar që informacioni për këtë çështje të jetë konfidencial. Në dy komisionet e tjera mjafton të ketë disponibilitet nga Grupi i PD-së dhe jemi pranë gjetjes së një formulimi, që në radhë të parë duhet të respektojë prezumimin e pafajësisë. Nëse PD pretendon se ka pasur masakër zgjedhore, këtë nuk mund ta pranoj edhe unë. Duhet të shkojmë drejt një formulimi që bazohet te prezumimi i pafajësisë dhe shton ‘pretendimet’. Por duhet të prevalojë parimi i pafajësisë dhe të hetohen pretendimet”, tha Balla.

PARALAJMËRIMI

Menjëherë pas vendimmarrjes së Grupit të PS-së, kryedemokrati Basha thirri në selinë blu Grupin Parlamentar të PD-së. Burime nga brenda mbledhjes së PD-së bënë me dije për gazetën “Panorama” se Basha ka paralajmëruar se nëse PS do të bllokojë komisionin hetimor, atëherë PD mund të bllokojë punimet e seancës parlamentare. Sipas burimeve brenda mbledhjes së Grupit të PD-së, pohuan se kreu i PD-së është shprehur në mbledhje se ngritja e komisioneve hetimore është një e drejtë që ia cakton Kushtetuta opozitës. Argumenti i përdorur nga PS-ja, sipas Bashës, se nuk ka përfunduar akoma procesi gjyqësor me Becchetti-n, nuk qëndron, pasi ka filluar ekzekutimi i gjobës për Shqipërinë.

Më tej burimet thanë se Basha ka deklaruar se PD-ja do të ndërmarrë çdo hap që parashikon Kushtetuta për të ngritur komisionin hetimor. Ndërsa nuk kanë munguar paralajmërimet për në seancat plenare ku kreu i opozitës është shprehur se në frontin e parë do të jenë burrat dhe më pas gratë për të bllokuar seancën. Ndërkohë, në deklaratën e tij jashtë selisë, kreu i PD-së ka akuzuar Kryeministrin Rama se kërkon të fshehë skandalin me biznesmenin italian Francesko Becchetti. “Kushtetuta është e qartë sa u përket komisioneve hetimore.

Të fshihesh dhe të fshehësh dosjen ndoshta më të madhe korruptive të këtyre viteve, dosjen ‘Becchetti’, nuk është në interes të Shqipërisë, është në interes të Edi Ramës, Erion Veliajt, Ëngjëll Agaçit dhe Alma Hiçkës. Dhe disa tjerëve, por të paktën këtyre të katërve të cilët janë drejtpërdrejt të implikuar në një rast ku shqiptarëve tani po iu merren, kanë filluar t’iu merren 120 milionë euro për të dëmshpërblyer Becchettin, për shkak të luftës personale që Edi Rama dhe këta të tre si instrumente të tij i shpallën.

Prandaj, ta harrojnë që do t’i lejojmë apo do të pranojmë në heshtje shkeljen e Kushtetutës dhe mosaprovimin e një komisioni hetimor, i cili jo vetëm nuk e dëmton Shqipërinë, por është e vetmja mënyrë për të nxjerrë para përgjegjësisë dhe për të mundësuar që çfarëdo dëmi në përputhje me legjislacionin shqiptar, mos të bjerë mbi xhepat e varfëruar dhe tavolinat e zbrazura të shqiptarëve, po të bjerë mbi sarajet, pasuritë dhe llogaritë off shore të zyrtarëve të korruptuar, të cilët janë shkaku i kësaj fature dhe i këtij korrupsioni në rastin Becchetti”, tha Lulzim Basha.

Apeli i ambasadores Kim: Autoritetet të veprojnë sipas rekomandimeve të OSBE

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, u bëri thirrje autoriteteve se duhet të veprojnë sipas rekomandimeve të OSBE/ ODIHR në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit. Me postimin e kryekomisionerit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ku theksohet se Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve, ajo nënvizon se e drejta e qytetarëve të votojnë pa frikë është themelore për demokracinë.

Në profilin e saj zyrtar në “Twitter”, Kim deklaron se e drejta e qytetarëve për të votuar lirshëm – pa frikë ose presion apo joshje të paligjshme – është themelore për demokracinë. “Ne i nxisim autoritetet të veprojnë sipas këtij dhe rekomandimeve të tjera të OSBE-ODHIR në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit. E drejta e qytetarëve për të votuar lirshëm – pa frikë ose presion apo joshje të paligjshme – është themelore për demokracinë”, shkruan Kim në “Twitter”.

Celibashi bën thirrje që institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe të sanksionojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor. “Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe të sanksionojnë plotësisht çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor”, shkruan Celibashi. Sakaq, kujtojmë që kryekomisioneri Ilirjan Celibashi prej disa ditësh ka ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese në rrjetet sociale, ku publikon me foto dhe mbishkrime të gjitha rekomandimet që ka bërë OSBE/ODIHR për përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *