Niko Peleshi, Elisa Spiropali, Mimi Kodheli dhe Luan Duzha në listën e “Memex”! Ja çfarë thotë policia për të dhënat e publikuara nga hakerat












Janë qindra mijëra të dhëna për njerëz me rekorde kriminale, të dyshuar apo të hetuara më herët që janë hakëruar dhe janë hedhur për publikun.

-640-0-1664808091xministrat-te-dhanrt-225

Publikimi ka ndodhur ditën e djeshme nga “Homeland Justice”, të cilët pretendohet se kanë shtirë tashmë në duar të dhëna sensitive dhe që pritet të publikohet ditët në vijim. Në databazën e hedhur dje janë të shënuar mbi 100 mijë emra, mes të cilëve gjenden emra vrasësish, personash që gjenden në burg për akte të rënda kriminale, të kërkuar, por edhe persona tërësisht të panjohur. Por, ajo që bie në sy në të gjithë atë mori të dhënash personale për shtetas shqiptar, të dhëna që dyshohet që janë marrë nga sistemet e Policisë së Shtetit, janë emra deputetësh dhe ministrash.

PUBLIKIMI

Kështu në listën e publikuar nga hakerat, për të cilët vetë qeveria dhe autoritetet përgjegjëse thonë se janë iranianë, të nxjerrë nga sistemi i Policisë së Shtetit bashkë me email-et e ish-kryepolicit Gledis Nano, ndodhen edhe emrat e 2 ministrave, Elisa Spiropali, Niko Peleshi, ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe deputeti Luan Duzha. Por në një reagim, Policia e Shtetit tha se asnjëri prej 2 ministrave dhe ish-ministres nuk janë të dyshuar, duke sqaruar se janë duke hetuar për origjinën e rrjedhjes se këtyre informacioneve.

“Kategorikisht nuk janë të përfshirë në veprimtari kriminale apo në hetime për ngjarje kriminale, as dy ministrat dhe as ish-ministrja, po ashtu edhe shumë emra të tjerë të publikuar nga hakerat, në këto lista”, tha Policia pas publikimit të të dhënave. Për këtë çështje, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili mohoi të ishte e vërtetë. Ai tha se tabelat janë fotomontazh dhe jo databaza që pretendohet nga hakerat. Burimet zyrtare policore insistojnë që lista “MEMEX” që hakerat pretendojnë të kenë publikuar dhe zyrtarisht duhet të ketë emrat e të dyshuarve, nuk është origjinale, duke saktësuar se të dhënat e nxjerra nuk kanë lidhje me databazën e sistemit policor “MEMEX”.

Në fakt, në listën e publikuar nga hakerat iranianë, nuk kuptohet se ku e ka origjinën kjo databazë. Ka dhe një element të dukshëm në krye të çdo faqeje me fotot e të pretenduarve qytetarë të dyshuar, ku shkruhet në anglisht: “Albanian suspects” (Shqiptarët e dyshuar). Nëse databaza do të ishte e Policisë Shqiptare dhe në të janë emra të shqiptarëve të dyshuar, përse dokumenti duhej të ishte në gjuhën angleze. Por, emrat janë aty dhe disa prej tyre janë emra të njohur dhe të lakuar edhe nëpër media për vite e vite me radhë.

REAGIMI ZYRTAR I POLICISË

Menjëherë pas publikimit të databazës me qindra mijëra emra, foto, numra pasaporte dhe datëlindje personash, në shumë prej tyre edhe vendlindjet, ka reaguar Policia e Shtetit, duke iu kërkuar mediave që mos të publikohen të dhëna prej atyre faqeve. Policia në reagimin e saj nuk harroi të iu kujtonte mediave edhe urdhrin e Prokurorisë lëshuar pak ditë më parë që lidhej konkretisht me moslejimin e publikimit të të dhënave që janë hakëruar dhe hedhur nëpërmjet një rrjeti social që me gjasë menaxhohet nga rusët. Bëhet fjalë për Telegram-in, aty ku edhe anëtarët e “Homeland Justice” publikojnë databazat tona. Policia në reagimin e saj tha:

“Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor “MEMEX”. Policia e Shtetit njofton se, deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore”! Por në fakt prej shumë ditësh policia e shtetit në disa sektorë nuk ka mundësinë të ndërhyjë në sistemet e veta. Kjo në fakt, sipas tyre, është bërë për të moslejuar cenimin e këtyre sistemeve, por hakërruesit herë pas here publikojnë mesazhe që tregojnë se bëhet fjalë se ata kanë mundur të marrin thuajse të gjitha sistemet e policisë!

Berisha: Është bërë nga qeveria për të fshirë lidhjet me kriminelët

Ish-Kryeministri Sali Berisha pretendon se veç sulmeve që janë bërë nga hakerat iranianë ndaj sistemeve të Policisë, ka pasur edhe sulme të tjerë nga ana e qeverisë në mënyrë që sipas tij të fshihen lidhjet apo udhëtimet e anëtarëve të qeverisë me kriminelët. “Është ky një moment në të cilin Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë, pasi paralajmëron kështu kontingjentet e delikuentëve të saj se janë në ndjekje policore dhe ata për të shpëtuar duhet të largohen.

Unë informoj se nga data 15 korrik nuk është marrë asnjë masë për mbrojtjen e sistemeve. Të gjitha të tjerat janë mashtrime. Sistemet janë në mëshirën e atyre që po i sulmojnë dhe shkatërrojnë. Sistemi TIMS sipas burimeve serioze është sulmuar nga hakerat qeveritarë për të zhdukur të gjitha gjurmët e lidhjeve të qeveritarëve, deputetëve me grupet kriminale, udhëtimet e tyre të përbashkëta, të cilat janë një provë e pakontestueshme e bashkëpunimit të krimit me politikën. Kurse nxjerrja e të dhënave të kartotekës përbën shkallën më ekstreme të dekonspirimit dhe dorëzimit të këtij shteti mafioz tërësisht në duart e krimit.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë veprimtari kriminale, shtetërore. E kam të qartë se hakerat iranianë sulmuan portalin ‘e-Albania’. Por absolutisht, të dhënat faktojnë se ata nuk janë të vetëm. Se sistemet digjitale shqiptare u shkatërruan nga kombinime hakerash qeveritarë”, u shpreh Berisha. Sakaq, Berisha shtoi se vendi ndodhet në një moment të rrezikshëm sa i takon sigurisë, pasi hakerat iranianë kanë publikuar të dhëna nga sistemi “MEMEX” i Policisë së Shtetit, ku mbahen të dhëna për persona në hetim apo në vëzhgim si të dyshuar për vepra kriminale.

“Siç kisha denoncuar para jush, vendosjen nën kontroll të plotë nga krimi shtetëror i të gjitha të dhënave të këtij vendi, me gjithë mohimet e papërgjegjshme të kreut të këtij shteti që funksionon si një shtet i mafies, njoftimi i mëparshëm rezulton 100% i vërtetë. Sot, nga sistemi ‘MEMEX’ që përbën kartotekën e punës 30 vjeçare të Policisë së Shtetit janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh të dyshuar, të hetuar nga Policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet”, tha Berisha.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *