Nis “lufta” juridike për votat! PD ka gati 10 ankimime dhe librin me 500 faqe të shkeljeve. Ja plani i opozitës



MARIGLEN KUME/ Partia Demokratike nis sot betejën ligjore për procesin zgjedhor të 25 prillit.

selia-pd-kqz-votime

Burime për gazetën “Panorama.al” nga ekipi i ngritur në selinë blu për dokumentimin e parregullsive zgjedhore thanë se sot depozitohen në KQZ ankesat e para, ndërsa deri në fundjavë do të depozitohen gjithsej 10 ankimime. Ekipi prej më shumë se 30 vetash që është ngritur në selinë blu pas 25 prillit mësohet se ka përgatitur një material me 500 faqe, në të cilin, sipas burimeve, janë dokumentuar të gjitha rastet e ndikimit në zgjedhje në mënyrë të jashtëligjshme.

Vëmendja e grupit të punës është fokusuar në shkeljet që janë bërë sipas demokratëve në qarkun e Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Elbasanit dhe Fierit. Të njëjtat burime pohuan se nuk përjashtohet që brenda 5 ditëve të së drejtës së depozitimit të ankesës të depozitohen ankesa edhe për ndonjë qark tjetër.

Ndërkohë, në brendësi të dokumentit që do të depozitohet sot dhe nesër në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë fakte që sipas burimeve dokumentojnë rastet e shitblerjes së votës, përdorimit të administratës shtetërore për zgjedhjet, përfshirja e njerëzve me rekorde kriminale në fushatë, përdorimi i paligjshëm i të dhënave personale, dhënia e lejeve të legalizimit, ndryshimi i gjendjes civile etj. Në analizë nga juristët e PD-së që drejtohen nga Eduart Halimi janë marrë edhe kallëzimet penale që ka bërë PDja në SPAK, ku janë 50 të tilla dhe 130 kallëzimet penale që janë bërë nga PD-ja në prokuroritë e rretheve. Nga 180 kallëzimet e bëra nga PD-ja gjatë fushatës dhe më pas, sipas burimeve nga selia blu, nuk ka asnjë procedim të nisur.

PROCESI

Menjëherë pas ditës së zgjedhjeve të 25 prillit, kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi një takim me juristët e PD-së të drejtuar nga Eduart Halimi dhe këshilltarët në PD. Kur ende nuk kishte përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave në kuti, ekipi ligjor pranë PD-së i kërkoi KQZ-së një numër të madh dokumentosh, videosh dhe kryqëzim të dhënash.

Ndërsa hapi tjetër që ndërmori selia blu përmes grupit të punës ishte porositja e strukturës së PD-së që të dorëzonin çdo material filmik dhe të çdo formati të mundshëm të veprimeve të paligjshme zgjedhore gjatë fushatës, gjatë ditës së votimit dhe në procesin e numërimit. Grupi i punës që nisi me juristët u përforcua në PD edhe nga IT-ja dhe profesionist të fushave të ndryshme. Ata filluan të rivlerësojnë gjithçka kishte ndodhur. Pak ditë më parë kryedemokrati Basha tha se ekipi ligjor po punon për “Librin e zi” në tri drejtime, pa dhënë detaje të tjera. Ndërkohë mësohet se ekspertët fillimisht po bëjnë kryqëzimin e informacioneve, krehjen e videove të siguruara dhe hartimin e dosjeve.

Ndërkohë, përpos ankesave në Komisionin e Ankesave, mësohet se do të depozitohen padi penale të tjera në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion dhe dorëzimi i “Librit të zi” në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ajo që dihet deri tani pasi u bë e ditur nga kryedemokrati Basha është fakti se ekipet po punojnë 24 orë dhe duke filluar nga sot PD-ja nis betejën ligjore për procesin zgjedhor. Ky është rasti i parë në 10 vitet e fundit që në selinë e një partie të ngrihet një grup i madh pune i përbërë nga juristë, IT dhe të fushave të ndryshme për të përgatitur librin me shkeljet ligjore në zgjedhjet.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *