Nisma e Berishës për mbledhjen e Kuvendit të PD/ Basha takon drejtuesit e Beratit dhe Gjirokastrës, dy orë diskutime në selinë blu





MARIGLEN KUME/ Përplasja mes liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryedemokratit aktual, Lulzim Basha, është fokusuar te çështjet statutore.

Ish kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PD Lulzim Basha, gjate homazheve ne Pallatin e Kongreseve, per nder te Heroit te Demokracise, Azem Hajdari, me rastin e 15 vjetorit te vdekjes dhe rivarrimit te eshtrave ne varrezat Deshmoret e Kombit.

Ish-Kryeministri Sali Berisha iu kundërpërgjigj menjëherë paralajmërimeve të kryedemokratit Basha, i cili tha se nuk do të mblidhet asnjë kuvend i Partisë Demokratike për të marrë në shqyrtim vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Përmes një njoftimi për shtyp, Berisha njoftoi se Kuvendi i PD-së do të mblidhet, sipas Statutit, pasi të mblidhen 1500 firma nga delegatët e PD-së dhe organi më i lartë vendimmarrës i selisë blu, sipas Berishës, nuk do të shqyrtojë vendimin e asnjë qeverie, por vendimin e kryedemokratit Basha që e përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Në vijim të deklaratës së tij, Berisha e akuzoi Bashën se është në pazar me Kryeministrin Rama dhe se interesi i tij nuk është që të sjellë PD-në në pushtet, por të qëndrojë në opozitë. “Për 8 vjet Edi Rama vazhdon të qëndrojë në pushtet, sepse është në pazar me dikë që është shumë i kënaqur të qëndrojë edhe 80 vjet në opozitë. Kuvendi i PD-së do të mblidhet në përputhje me Statutin e PD-së dhe askush që tmerrohet prej tij nuk mund ta pengojë. Ai nuk do të mblidhet për të shqyrtuar vendimet e asnjë qeverie, por vetëm vendimet e pengut të Edi Ramës.

Kuvendi do të mblidhet gjithashtu për të shpëtuar PD-në nga pazaret e peng Bashës me Edi Ramën dhe për t’u rikthyer dinjitetin dhe shpresën demokrateve pas 4 humbjesh radhazi përballë regjimit më të korruptuar dhe inkriminuar të Europës. PD-së nuk i duhet një lider i kapur peng që bën pazar me Ramën dhe shpall ‘non grata’ bazën e partisë i tmerruar prej saj”, reagoi Berisha në “Facebook”.

KËRKESA

Dy ditë më parë, nga qyteti i Fierit ku zhvilloi takimin e dytë me simpatizantët, Berisha i kërkoi Lulzim Bashës që të dorëzonte mandatin e deputetit dhe të kryetarit të PD-së dhe të largohej nga kishte ardhur. Sipas Berishës, kreu i selisë blu nuk e mori vendimin për ta përjashtuar atë nga Grupi Parlamentar në interes të demokratëve, por për të ruajtur pozicionin e tij në krye të PD-së. “Lul Basha, ‘peng’, Basha do të jetë mirë të shkojë andej nga erdhi. Nuk ia ka bërë askush partisë atë që ia ka bërë ai. Nuk ma merrte mendja që do të ishte kaq amoral dhe i pabesë. Ne jemi komb i besës. Ne e kemi një veçanti, atë nuk mund ta bëjë. Çfarë do të thoshte nëse do të mblidhte forumin, nuk fitonte, jep dorëheqjen pra. Kur të kanë peng, nuk të lejojnë të japësh dorëheqjen. Njeriu i lirë është i lirë në vendimet e tij, gabimet dhe korrigjimet e tij. Ai uroj që ta dorëzojë edhe mandatin dhe të shkojë nga erdhi”, tha Berisha dy ditë më parë teksa dha disa indicie, sipas tij, se përse Basha dhe Rama janë në pazar bashkë.

“Tani do t’ju flas pak për gjuhën e kodit. Del një ditë ish-kryetari opozitës dhe zotohet se do të ndryshojë Kushtetutën. Por çfarë do ndryshosh ti? Gjykatën Kushtetuese? Ku i ke votat ti? Ti 44 vota ke. Por, para dy ditësh, Edi Rama krijon grupin për ndryshimin e Kushtetutës. Pra, kjo është gjuhë kodi. Thuaje ti që të ndjek unë, se është imja. Po çfarë do ndryshosh ti Kushtetutën kur s’ke vota. Çfarë ndryshimesh do t’i bësh ti? Je ti kryetar opozite? Atëherë zgjedhjet po vijnë, kërko reformë territoriale. Ngreje gjithë Shqipërinë në këmbë për të bërë Reformën Territoriale. Ajo është opozitarizëm. Dhe jo të qeshësh në sintoni me Ramën kur deputeti yt flet me fjalë zemre”, tha Berisha.

Dy orë diskutime në selinë blu s’mjaftojnë për të bindur Shehun e Alikon

Kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme takimet me drejtuesit e PD-së në qarqe. Kreu i selisë blu ka pritur dje në zyrën e tij deputetët e Beratit dhe kryetarët e PD-së në atë qark, si dhe të qarkut të Gjirokastrës. Fokusi kryesor i takimit mësohet se ka qenë turi i takimeve që ka nisur lideri historik i PD-së, Sali Berisha. Burimet konfirmuan për gazetën “Panorama” se lideri i PD-së ka porositur kryetarët e degëve dhe deputetët e qarkut të Beratit që të informojnë bazën në lidhje me arsyet e vendimmarrjes dhe negociatat që janë bërë në tri muaj me SHBA-në për çështjen Berisha.

Duket se në Berat kreu i PD-së e ka situatën më në kontroll sa u përket të mërziturve për shkak të vendimit të përjashtimit të Berishës. Por e njëjta gjë nuk ka ndodhur kur në zyrë Basha thirri drejtuesit e qarkut të Gjirokastrës. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mësohet se ka ndenjur më shumë se dy orë në zyrë me deputetin Tritan Shehu, Dashnor Alikon, por ka qenë mision i pamundur për të bindur ata në lidhje me vendimmarrjen.

Edhe drejtuesit e qarkut të Gjirokastrës kreu i PD-së i ka informuar se pas shpalljes “non grata” kërkesa e SHBA-së ka qenë që Berisha të mos futej në Parlament, por kanë qenë negociatat e vazhdueshme për tri muaj të kryedemokratit Basha për të arritur në atë që vetë kreu i PD-së e ka cilësuar si një të mesme të artë derisa Berisha të sqarojë çështjen në gjykatë. Po kështu, Basha i ka sqaruar ata se Berisha nuk është përjashtuar nga asnjë strukturë e PD-së, por do të jetë përkohësisht jashtë Grupi Parlamentar.

Megjithatë, negociatat kanë rezultuar të pasuksesshme dhe si deputeti Shehu, ashtu edhe Aliko, kanë mbajtur qëndrimin pro Berishës dhe se nisma që ka marrë lideri historik i PD-së ndihmon Partinë Demokratike për ta demokratizuar, duke nënkuptuar se do ta mbështesin edhe në takimet që ka nisur Berisha. Kujtojmë që deputeti i Gjirokastrës Tritan Shehu ka dalë që ditën e parë të vendimmarrjes së Bashës në krah të Sali Berishës, ndërsa në mbledhjen e fundit të këshillit kombëtar kreu i PD-së ka hyrë në mbledhje i shoqëruar nga Shehu dhe Aliko.

Takimet e Bashës me drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike, ndër të tjera, kanë pasur në fokus konsultimet për Reformën Territoriale, që është një nga prioritetet e PD-së në këtë sezon të ri politik. Sipas PD-së, ndryshimet e vitit 2014, të bëra për llogari elektorale, rezultuan një dështim, kostot e të cilit i paguajnë qytetarët.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *