Nisma ligjore për zonat e mbrojtura, Ina Zhupa: Hapi i fundit për t’i mbushur me “investime strategjike’. Syri i Kaltër me tubacione ujore për vendet fqinje

Pas nismës së 12 deputetëve të Partisë Socialiste për të ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura, deputetja Ina Zhupa, thotë se qeveria ka vendosur t’u dhurojë të fuqishmëve, edhe copat e fundit të territorit shqiptar.

Sipas saj, ky projektligj është hapi i fundit që zona si Syri i Kaltër të përdoren për tubacione ujore për vendet fqinje, që zona si Vjosa-Narta të legjitimohen për ndërtime dhe infrastrukturë, që zonat si Butrinti, Velipoja dhe Shkodra të mbushen me resorte me emrin ‘investime strategjike’, duke nënvizuar se ky është përfundimisht shkatërrimi i këtyre zonave.

Reagimi:

Qeveria dhe Parlamenti putinian, ndërkohë që kalojnë buxhetin e vjedhjes së taksave të shqiptarëve, ushqejnë, veç oreksit të tyre edhe atë të oligarkëve. Kanë vendosur t’ju ofrojnë më të pasurve dhe të fuqishmëve, edhe copat e fundit të territorit shqiptar, zonat e mbrojtura, që ata t’i shfrytëzojnë për resorte dhe fitime të reja.

12 deputetë të Partisë Socialiste kërkojnë ndryshimin e ligjit ‘Për zonat e mbrojtura’, me qëllim hapjen rrugë të investimeve në ato territore, aktualisht të ndaluara. Përmes një projektligji të depozituar në Kuvend me datë 20 nëntor, duhen të kthejnë zonat e mbrojtura, në zona të pambrojtura, sipas preferencave të pushtetit.

[embedded content]

Në nenin 42 bëhen ndryshimet:

1. Në shkronjën ‘p’ të pikës 3, pas fjalëve’ ‘veprimtari tradicionale’ shtohen fjalët ‘dhe ekonomike’.

Ligji aktual e ndalon çdo lloj ndërtimi dhe veprimtarie ekonomike për shkak të dëmeve të pakthyeshme që sjellin në mjedis dhe rëndësisë që ka flora dhe fauna në këto zona.

Ky synim t’i hapet rrugë investimeve brenda zonave të mbrojtura, ka nisur me dy VKM të janarit 2022, ku qeveria hoqi mijëra hektarë nga zonat e mbrojtura, duke i reduktuar ato me 20% të sipërfaqes që kishin.

Tashmë kjo çështje është në gjykatë, teksa organizatat e ndryshme kanë argumentuar se ‘vendimet synojnë të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë, duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain, Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro’. Por qeveria nuk ndalet as të pres vendimin e gjykatës, por vazhdon me plane shkatërrimtare.

Ky ndryshim ligjor nuk është gjë tjetër veçse garantimi i mbrojtjes ligjore për ndërtimet e paligjshme që janë bërë deri tani në sytë e qeverisë në zonat e mbrojtura, siç është i denoncuar nga Fiks Fare ky solli pamje të 36 ndërtimeve pa leje të bëra në zonën e mbrojtur të Liqenit të Shkodrës. Sipërfaqja e dëmtuar është me mijëra metra katror.

Ky projektligj është hapi i fundit që zona si Syri i Kaltër të përdoren për tubacione ujore për vendet fqinje, që zona si Vjosa-Narta të legjitimohen për ndërtime dhe infrastrukturë, që zonat si Butrinti, Velipoja dhe Shkodra të mbushen me resorte me emrin ‘investime strategjike’. Ky është përfundimisht shkatërrimi i këtyre zonave.

Ju bëj thirrje 12 kolegëve, që ndoshta nuk e dinë se ç’kanë firmosur, të tërhiqen nga kjo nismë dhe mos bëhen vegla pas të cilave fshihen premtimet e Ramës për qoka kombëtare dhe ndërkombëtare. Në prag të festave kombëtare le t’i thërrasin ndërgjegjes atdhetare mbi atë partiake të interesave të shefit të tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts