Nisma në kuadër të Procesit të Berlinit/ Ballkani Perëndimor drejt ndalimit të trafikut ilegal të armëve të zjarrit

Viti 2022, që është në prag, pritet ta sjellë Ballkanin Perëndimor (BP) më pranë shndërrimit të tij në një rajon të sigurt, ku ndalohet tregtia dhe trafikimi ilegal i armëve të lehta dhe të vogla të zjarrit.

Në sajë të vazhdimit të nismës, në kuadër të Procesit të Berlinit, për çarmatosjen e popullsive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) nga këto lloj armësh, që drejtohet nga Gjermania dhe Franca, viti 2022 pritet ta sjellë BP më pranë shndërrimit të tij në një rajon të sigurt, ku parandalohet tregtia dhe trafikimi ilegal i armëve të lehta dhe të vogla të zjarrit. Nisma në fjalë në janar 2022 hyn në vitin e katërt të zbatimit të saj. Ajo synon që në vitin 2024, BP të ketë një legjislacionin, juridiksion dhe kapacitete administrative dhe institucionale në harmoni të plotë me kuadrin rregullator të Bashkimit Europian (BE) për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta të zjarrit, ndalimin e posedimit, keqpërdorimin dhe trafikun e tyre ilegal. Sipas të dhënave nga SEESAC, (South Eastern Europe and Eastern Europe Clearing House for the Control of Small and Light Weapons – Zyra për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Europën Jug – Lindore dhe Lindore ) me seli në Beograd, në vitin 2018, kur filloi zbatimi i kësaj nisme, në duart e popullsisë civile në vendet e BP kishte 4 – 6 milion armë të tilla, të mbajtura ilegalisht. Me fjalë të tjera 1/3 e popullsisë prej 18 milion banorësh në BP zotëronte armë të vogla dhe të lehta zjarri që i mbante ilegalisht! Një sasi e tillë armësh zjarri ilegale në duart e popullsisë civile ka ushqyer perceptimin e publikut në vendet anëtare të BE për BP si një rajon me një siguri problematike apo që trafikon drejt tyre armë, gjë që nuk ka qenë dhe as është në favor të përpjekjeve të rajonit për të ndryshuar situatën dhe ardhur kështu më pranë BE-në.

Arritje dhe sfida
Bojana Balon, Drejtore Ekzekutive e SEESAC, në një intervistë on-line për DW, mbi ecurinë e deritanishme të nismës vë në dukje që gjashtë vendet e BP po zbatojnë “Udhërrëfyesin për një zgjidhje të qëndrueshme të kontrollit të armëve deri në vitin 2024,” të hartuar nga autoritetet e BP, nën kujdesin e Gjermanisë dhe Francës, në konsultim me aktorë të tjerë të rëndësishëm. Ky udhërrëfyes, thekson ajo, është përfshirë edhe në Planin e Veprimit të BE kundër Trafikimit të Armëve të Zjarrit, 2020-2025. ” Në 6 vendet e BP, në periudhën 2018-2020, janë sekuestruar 14.747 armë zjarri, 409.074 copë municione, janë shkatërruar 25.571 armë zjarri dhe 2.612.331 ton municione. Brenda së njëjtës periudhë janë raportuar të dorëzuara vullnetarisht 117.196 armë zjarri, 52.880 copë municione, janë legalizuar 4.108 armë zjarri dhe janë çaktivizuar 1.293″, thotë për DW, Bojana Balon. Gjithsesi, çarmatosja e popullsive civile në BP mbetet punë e pambaruar, një sfidë për t’u fituar. Vrasje, vetëvrasje, plagosje, grabitje të armatosura të shkaktuara nga armët e vogla dhe të lehta të zjarrit që popullsia civile mban ilegalisht janë të pranishme në të gjashtë vendet e BP. “Platforma e SEESAC për Monitorimin e Dhunës së Armatosur, zbulon se në vitin 2020, në Ballkanin Perëndimor janë regjistruar më shumë se 2.700 incidente me armë zjarri, ku rreth 42% e tyre lidhen me konfiskim armësh. Janë regjistruar 500 incidente të lidhura me aktivitet kriminal, përfshirë grabitje të armatosura dhe krim të organizuar. Incidentet, e lidhura me armët e zjarrit, në BP, në vitin 2020, rezultuan në 145 vdekje, 59 vetëvrasje, 436 persona të kërcënuar dhe 369 persona të plagosur. Gratë përbëjnë 20 përqind të viktimave dhe 2 përqind të autorëve të krimit”, thotë për DW, Bojana Balon.

Mënyra të reja trafikimi
Përdorimi i armëve me origjinë nga BP në sulmin terrorist, në sallën e koncerteve në teatrin Bataclan më 2015 në Paris e stigmatizoi rajonin si hapësirë trafiqesh armësh ilegale. A ka të dhëna që gjashtë vjet pas ngjarjes tragjike në Bataclan nga BP trafikohen armë ilegale? “Nuk kemi të dhëna për trafik armësh nga vendet e BP. E vetmja e dhënë që kemi në dispozicion dhe që mund të tregojë, në një farë mase, qarkullimin e paligjshëm të armëve përtej kufijve të BP, është numri i armëve të sekuestruara”, thotë për DW, Bojana Balon. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, thotë për DW se në ndryshimin për mirë të situatës lidhur me parandalimin e trafikimit të armëve ilegale të zjarrit dhe adresimin e sfidave të rajonit dhe BE, një ndihmesë të rëndësishme ka dhëne bashkëpunimi me FRONTEX, (Agjensia e Rojes Kufitare dhe Bregdetare të BE). FRONTEX jep mbështetje të rëndësishme në parandalimin e trafikut të armëve përmes shërbimit postar, kolipostave që nisen nga Shqipëria dhe vende të tjera të BP drejt vendeve të BE-së apo atyre që hyjnë nga Europa në rajon. Teknologjia e armëve evoluon me shpejtësi. Armët e vogla dhe të lehta të zjarrit që grupet kriminale tentojnë të trafikojnë përmes kolipostës janë të teknologjive të kohës”, thotë për DW, ministri i Brendshëm Çuçi.

Në Shqipëri FRONTEX vendosi operacionin e parë të përbashkët në territorin e një vendi jashtë BE-së. Marrëveshje bashkëpunimi me FRONTEX kanë nënshkruar edhe Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia Çarmatimi i popullsive dhe afrimi i BP me BE. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi thotë për DW, se në raport me BE-në çarmatosja e popullsisë civile nga armët ilegale trajtohet si një çështje rajonale, që „lidhet me integrimin, me ardhjen e rajonit më pranë BE dhe hyrjen e tij në BE” “Kjo çështje po trajtohet si një kontratë rajonale. Jemi në sinkron me kërkesat e BE-së. Çdo hap është bërë me vizionin e një të tëre rajonale. Edhe statistikat për situatën aktuale BE i mbledh, i analizon dhe i formulon në nivel rajonal”, thotë për DW, ministri i Brendshëm i Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Bojana Balon në dukje që “deri në vitin 2024 politikat dhe praktikat e kontrollit të armëve në Ballkanin Perëndimor duhet të bazohen në fakte, flukset e paligjshme të armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve brenda dhe jashtë Ballkanit Perëndimor dhe keqpërdorimet e armëve të zjarrit duhet të reduktohen ndjeshëm përmes rritjes së ndërgjegjësimit, edukimit, shtrirjes dhe advokimit”. Ajo vlerëson si një sfidë të rëndësishme për t’u fituar harmonzimin e legjislacionit të vendeve të BP me atë të BE-së lidhur me shenjat paralajmëruese të lëndëve plasëse/eksplozive. “Kjo është një fushë shumë komplekse duke pasur parasysh numrin e palëve të interesuara që kanë nevojë të përfshihen si edhe kapacitetet që duhen ngritur. Deri tani asnjë nga juridiksionet e të gjashtë vendeve të BP nuk ka ligje lidhur me kontrollin e shenjave paralajmëruese për lëndët shpërthyese. Mbushja e këtij boshllëku do të jetë në fokusin kryesor në dy vitet e ardhshme” thotë për DW, Bojana Balon.

Në deklaratën e samitit BE-BP, në Brdo, Slloveni, të zhvilluar në tetor 2021, drejtuesit e vendeve anëtare të BE zotuan, se “BE do të vazhdojë të mbështesë BP në parandalimin e tregtisë dhe trafikimit të paligjshëm të armëve të vogla dhe municioneve të tyre”./DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *