“Një Parlament pa zë”, Berisha reagon për ndryshimin e Rregullores: Rama është i aftë të propozojë çdo masë në Kuvend, mosbindja civile do të vazhdojë

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi pas seancës së sotme parlamentare, duke theksuar se kryeministri Edi Rama është i gatshëm të marrë çdo masë.

Lidhur me propozimin për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, Berisha tha se Rama është i gatshëm të marrë kompetencat e parlamentit vetë në dorë.

Reagimi:

Siç konstatoni, parlamenti nuk ekziston. Kur them nuk ekziston, ai si ndërtesë ekziston, si klub monist ekziston, por si parlament që funksionon mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës, nuk ekziston. Mosbindja civile e grupit të deputetëve të PD, u dëshmua mjeti më efiçent apo ndër më efiçentët në histori, de facto përmbysi Parlamentin e drogës, krimit dhe korrupsionit.

Dëshmoi para gjithë botës se çfarë përfaqëson regjimi aktual i Tiranës, por mbi të gjitha se çfarë përfaqëson vetë Edi Rama, një njeri i cili, i shndërruar në kreun e Meduzës të sistemit më korruptiv që ekziston kund sot, i shndërruar në kreun e Meduzës të qeverisë më të lidhur me krimin e drogës në ndonjë vend që ekziston sot, është i aftë në një puç antikushtetues të marrë në dorë edhe pushtetin e parlamentit, de facto ta asgjësojë atë.

Pra, ky përbën në historinë e revolucioneve demokratike, ky përbën një nga sukseset më të mëdha. Është e vështirë të gjeni ju, për të mos thënë të pamundur, 43 vetë që me lëvizjen e tyre të përmbysin parlamentin e drogës, krimit dhe narkoshtetit. Nuk ekziston në politologji, në histori. Jo. Ndodhi vetëm në Shqipëri kjo.

Do thoni ju, çfarë fakti ke për këtë ti? Imagjino sikur ata deputetë të mos ishin në mosbindje civile në parlament, por të kishin bojkotuar parlamentin? Do dëgjonin qytetarët kakarisjet e deputetëve socialistë nga mëngjesi gjer në darkë për suksese imagjinare, për mashtrime, falsifikime, çdo gjë tjetër. Iku tani.

Tani kohërat i kanë të shkurtra, maksimumi 7 minuta, pa zë. Një parlament pa zë. Një parlament automatësh, që ngrenë dhe ulin kartonat.

Këtë krahasim duhet ta bëjnë qytetarët. Nëse demokratët nuk do ishin në betejë të mosbindjes civile gjer në mesnatë do vazhdonin diskutimet koprolalike me në krye Edi Ramën. Të paktën nuk ndodhi më se ai nuk ekziston më ai parlament.

Atëherë lidhur me masat që propozon ai, ai kur ka bërë grusht shteti brenda shtetit dhe merr kompetencat e parlamentit vetë në dorë, ai është i aftë të propozojë çdo ligj dhe çdo masë. Problemi është se mosbindja civile do të vazhdojë qoftë edhe me një deputet të vetëm të PD që do mbetet aty. Ai do marrë përgjigjen që meriton.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts