“Një televizion në konflikt me qeverinë, mori urdhër për të dalë nga ndërtesa, gazetarët u dhunuan e kërcënuan”, BIRN: 2023, viti më i keq për median

nje televizion ne konflikt me qeverine mori urdher per te dale nga ndertesa gazetaret u dhunuan e kercenuan birn 2023 viti me i keq per median
nje televizion ne konflikt me qeverine mori urdher per te dale nga ndertesa gazetaret u dhunuan e kercenuan birn 2023 viti me i keq per median

Një punëtor u vra në një atentat me armë që vijon të mbetet i pazbardhur ndërsa gazetarët shqiptarë u përballën me dhunë fizike, kërcënime e padi ndërsa mediat kritike u përballën me atë që duket se ishin inspektive selektive tatimore. Njihuni me zhvillimet kryesore mbi lajmësit gjatë vitit 2023.

Më 26 janar të këtij viti, gazetari Elvis Hila dhe bashkëshortja e tij u sulmuan nga dy persona. “Krimi” që Hila kishte bërë për të shkaktuar agresionin ishte se ai kishte raportuar. Hila kishte raportuar mbi një vendim gjyqësor. Dy agresorët u dënuan më vonë nga Gjykata e Lezhës me 5 dhe 4 muaj burg secili për dhunën e ushtruar ndaj Hilës. Rasti i ndëshkimit ligjor të agresorëve është i vetmi i tillë i shënuar këtë vit ndërsa agresioni ndaj lajmësit, jo. Në shkurt, gazetarët e emisionit Fix Fare në Top Channel u sulmuan për shkak se ishin duke xhiruar shfrytëzimin e lumit Zezë në Fushë-Krujë për inerte. Ndërsa në mars, Pal Kola, 60 vjeç, roje sigurie, humbi jetën pas një atentati ende të pazbardhur kundër Top Channel, një prej televizioneve më të rëndësishme të vendit. Ngjarja, e cila përbën agresionin më të rëndë kundër medias në dekada, vijon të mbetet e pazbardhur. Një makinë që u gjet më vonë e djegur është prova nga e cila autoritetet nuk kanë arritur të shkojnë te të dyshuarit.

Në korrik, gazetarja e Syri.tv Marsi Korreshi u përball me presion në Rrogozhinë. “Krimi” i saj ishte prania në një takim elektoral të kryebashkiakut Edison Memolla. Agresorët janë ende nën hetim. Në tetor, gazetarja Afrovita Hysaj mori një kërcënim me jetë. “Krimi” i saj ishte raportimi mbi një rast përdhunimi. Autori i kërcënimit nuk u arrestua nga policia dhe nuk u ndalua, por policia deklaroi se e ka marrë kallëzimin e Hysajt.

Të gjitha rastet e agresionit ndaj gazetarëve, të cilat duket se janë shtuar vitin që po lëmë pas, lidhen me vetëm një gjë: e vërteta është një produkt i padëshirueshëm nga disa persona, të cilët, në rrethana të caktuara, marrin guximin të sulmojnë lajmësin. Në një vend ku qeveria dhe forcat e tjera politike në shumicën e rasteve prodhojnë vetë “lajmet” e veta, të cilat, më pas transmetohen nga media të paetiketuara si produkte jogazetareske, rastet kur gazetarët punojnë për të ofruar informacion të pavarur për publikun i bën ata automatikisht armiq.

Sulmet fizike ndaj gazetarëve janë vetëm njëra anë e problemit që i lë shqiptarët të painformuar dhe në errësirë dhe që, rrjedhimisht, minon aftësinë e tyre për të votuar në zgjedhje kandidatët më të mirë. Organizatat shqiptare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë pasur një vit të mbingarkuar me raportime për dhunime dhe tentativa për shkelje apo kufizime të aftësisë së gazetarëve për të raportuar në mënyrë të pavarur.

Në nëntor, punonjësit e Gardës së Republikës në mënyrë të dhunshme dhe krejtësisht të papranueshme ndaluan gazetarët që raportojnë nga Kuvendi i Shqipërisë të kryejnë punën e tyre bazë, të intervistonin deputetët. Kuvendi bëhet në këtë mënyrë institucioni që në mënyrë të përsëritur synon të ndalojë efektivisht raportimin e pavarur. Në vitin 2021, kuvendi pati miratuar një rregullore, në bazë të së cilës, gazetarët duhej të shoqëroheshin nëpër korridoret e kuvendit nga zyrtarë, siç duket, me qëllim që të ndaloheshin efektivisht të bisedonin pa mbikëqyrje me deputetët apo me punonjës të tjerë.

Kur gazetarët nuk ndalohen dot fizikisht, pushteti përdor mjete të tjera, duke i shënjestruar përmes medias proqeveritare, apo siç duket, duke i sulmuar përmes portaleve anonime ose jo aq anonime, jo për çfarë thonë, por për çfarë janë. Gazetarja Ola Xama u sulmua nga kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj, fillimisht në komunikime personale, duke u cilësuar si “vrasëse me pagesë”, ndërsa një numër mediash vijuan për javë të tëra shënjestrimin e saj, jo për çfarë kishte raportuar, por pse kishte raportuar. “Krimi” i Xamës ishte raportimi mbi aferën shumëmilionëshe të incineratorit të Tiranës dhe konkretisht, raportimi mbi kërkesën që Prokuroria e Posaçme kishte dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisën për heqjen e imunitetit ndaj arrestit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Sipas kronologjisë së ngjarjeve të hartuar nga SPAK, ishte një kërkesë e Bashkisë Tiranë ajo që solli koncesionin famëkeq, i cili i ka kushtuar shqiptarëve deri më sot, 100 milionë euro. Veliaj kundërshton këtë kronologji, por në vend që të japë shpjegime, sulmon lajmësin si “vrasëse me pagesë”.

Kryetari i bashkisë, i cili shfaqet pothuajse çdo ditë në disa televizione njëherësh me kronika të parapërgatitura nga zyra e tij e propagandës, është bërë shqetësim konstant i organizatave të medias. Në mars, shumë organizata vendëse dhe ndërkombëtare u shprehën të lemerisura nga sulmi i tij kundër një gruaje që, sipas tij, është personi pas një faqeje popullore në Facebook të quajtur Lolita. Në të njëjtin sulm, Veliaj shënjoi edhe një drejtues të faqes tjetër popullore Jeta Osh Qef. Veliaj publikoi të dhëna personale të personit dhe të fëmijëve të saj, për të cilin supozon se është autorja e Lolita ndërsa organizatat vunë re se përbën rrezik për jetën e tyre. Sipas Veliajt, “krimi” i këtyre faqeve janë ankesat ndaj cilësisë së shërbimit të tranportit publik në Tiranë.

Shqetësimet mbi lirinë e medias erdhën jo vetëm nga institucionet politike dhe partiake si qeveria, pushteti vendor, apo parlamenti, por edhe nga institucionet e pavarura. Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme shkaktuan shqetësime serioze në dhjetor, kur morën në pyetje për shumë orë gazetarin Elton Qyno. Ndërsa Qyno ishte thirrur si person që ka dijeni për një vepër penale të dyshuar, gjykata lëshoi brenda pak orësh leje për SPAK për të kontrolluar gazetarin, automjetin, zyrën dhe shtëpinë e tij, në kërkim të një burimi.

Ndërsa hetimi i nxjerrjes së sekretit hetimor është një detyrë dhe e drejtë e prokurorisë, kontrolli dhe sekuestrimi i mjeteve të punës të gazetarit në kërkim të burimit sipas ekspertëve të lirisë së shprehjes, mund të lejohet vetëm në raste shumë ekstreme dhe vetëm pasi të gjitha masat e tjera hetimore janë ezauruar pa rezultat. SPAK dyshon se nga zyrat e saj ka rrjedhje informacioni sekret ndërsa masat hetimore të ndërmarra prej saj para se të shkohet te gazetari nuk bëhen të ditura. Aksesimi i mjeteve të punës të gazetarit nga autoritetet publike konsiderohet shumë shqetësues sepse një gazetar komunikon me një numër burimesh, ku që të gjithë ekspozohen nga sekuestrimi i pajisjes përpos çështjes konkrete. Për këtë arsye, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka përcaktuar se masa të tilla mund të ndërmerren vetëm në raste ekstreme, pasi shkaktojnë efekt frikësues për të gjithë njerëzit, zyrtarë apo jo, që flasin dhe furnizojnë me informacion gazetarët.

Në dhjetor, BIRN Albania dhe Regjistri Global i Medias, publikuan rezultatet e Monitorit të Pronësisë së Medias, një analizë e shumëanshme e panoramës mediatike, lidhjeve politike, larmishmërisë ose mungesës së larmishmërisë të informacionit që u ofrohet qytetarëve apo problemë të tjera. Raporti gjeti se tregu mediatik është jashtëzakonisht shumë i përqendruar sa i përket ndarjes së të ardhurave mes operatorëve ndërsa larmishmëria e informacionit të ofruar duket se zvogëlohet edhe më shumë nga praktika e shumicës së institucioneve publike apo partive politike për të prodhuar vetë “lajmet” që më pas transmetohen si raportime të pavarura nga televizionet.

Raporti zbuloi se pronarët e mediave kryesore kanë interesa biznesi shumë më fitimprurës se sa media në sektorë në të cilët, vullneti i qeverisë për të miratuar një vendim, fjala vjen, koncesion apo status investitori strategjik, përbën thelbin e suksesit ekonomik. Raporti vërejti gjithashtu se media online apo ajo e rrjeteve sociale, ndonëse duket më e larmishme se sa media konvencionale si televizionet apo gazetat, në fakt duket se është e përmbytur nga informacione të karakterit dëfryes të prodhuara nga media konvencionale.

Shqiptarët kanë mundësi të ndjekin një mes një dyzine kanalesh televizive, por duket se pavarësisht se cilin kanal zgjedhin të shohin, informacioni që marrin është pak a shumë i njëjtë, kryesisht i prodhuar nga zyrat e propagandës dhe pa input gazetaresk. Raporti vërejti gjithashtu një praktikë të kulaçit dhe kërbaçit të ndjekur nga qeveria përkundrejt mediave kryesore në vend. Një media proqeveritare mori tokë publike falas dhe një ndërtesë përmes një vendimi qeverie që nuk përfshiu proces konkurrues. Një televizion tjetër, që ka rënë në konflikt me qeverinë, mori urdhër për të dalë nga një ndërtesë tjetër nën pronësi shtetërore./Reporter.al

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts