Një vizitë lamtumire? Presidenti Biden pret sot Kancelaren Merkel në Shtëpinë e Bardhë

WASHINGTON

Presidenti Joe Biden pret të enjten Kancelaren gjermane Angela Merkel në Shtëpinë e Bardhë për një vizitë zyrtare që ka të ngjarë të jetë e fundit e zonjës Merkel në detyrë.

Kancelarja gjermane pritet të parashtrojë një numër çështjesh në bisedime si dhe mesazhin se Gjermania është një aleate e ngjushtë e Shteteve të Bashkuara.

Udhëheqësja gjermane pritet të diskutojë mbi pandeminë e koronavirusit, fuqizimin e Kinës dhe një gazsjellës rus që Uashingtoni e kundërshton. Ajo do të takohet me presidentin Biden, nënpresidenten Kamala Harris dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.

“Kjo është pjesërisht një vizitë lamtumire. Ajo sinjalizon një vazhdimësi dhe stabilitet në marrëdhëniet Gjermani-SHBA”, tha Johannes Thimm, një ekspert në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Berlin.

Pas një marrëdhënieje 16-vjeçare me kancelaren Merkel, shumë zyrtarë në Uashington dhe kryeqytete të tjera janë të pasigurtë se çfarë kursi mund të ndjekë Gjermania pas zgjedhjeve të ardhshme. Kancelarja – të cilës i është dashur të punojë me katër presidentë amerikanë gjatë mandateve të saj – do të përpiqet t’i sigurojë zyrtarët amerikanë se nuk do të ketë një ndryshim të madh, tha zoti Thimm.

Partia e zonjës Merkel po kryeson në sondazhet përpara zgjedhjeve të Gjermanisë më 26 shtator, por partia e Gjelbërt dhe Social Demokratët e qendrës së majtë po konkurrojnë gjithashtu për të udhëhequr qeverinë e ardhshme. Ndërsa të tre palët ndryshojnë në shumë fusha të politikave, të gjitha janë të përkushtuara për një marrëdhënie të fortë trans-Atlantike.

Një çështje e mprehtë trashëguar që nga periudha e ish-Presidentit Donald Trump në mosmarrëveshjet diplomatike me Uashingtonin ka qenë një tubacion i ri që çon gazin natyror nga Rusia në Gjermani.

Shtetet e Bashkuara kanë argumentuar prej kohësh se gazsjellësi Nord Stream 2 do të kërcënojë sigurinë energjitike evropiane duke rritur mbështetjen e kontinentit tek gazi rus dhe duke lejuar Rusinë të ushtrojë presion politik mbi vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore. Por Presidenti Biden pezulloi kohët e fundit sanksionet kundër kompanive gjermane të përfshira në projekt, një veprim që zemëroi shumë ligjvënës demokratë dhe republikanë.

Presidenti Biden pritet të ngrejë shqetësimet e tij në lidhje me projektin kur të dy udhëheqësit të flasin privatisht, por sipas një zyrtari të lartë të administrates, Shtëpia e Bardhë nuk pritet të bëjë ndonjë njoftim zyrtar për çështjen.

Merkel u përpoq këtë javë të zbuste pritshmëritë për një përparim të afërt, por ajo ka të ngjarë të kërkojë të zgjidhë çështjen përpara se të largohet nga detyra.

Zëdhënësi i zonjës Merkel konfirmoi të mërkurën se Kina është gjithashtu një çështje që do të diskutohet në bisedime. “Kjo mund të thuhet relativisht me siguri”, u tha zëdhënësi Steffen Seibert gazetarëve. “Kjo temë ishte gjithashtu e rëndësishme në samitin e G7-ës, ku kancelarja dhe presidenti amerikan u takuan për herë të fundit”.

Gjermania ka lidhje të forta tregtare me Kinën, por gjithashtu ka qenë kritike ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Pekini. Kancelarja Merkel kërkon të shmangë një situatë në të cilën Gjermania, ose Bashkimi Evropian, mund të detyrohen të zgjedhin mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Zonja Merkel ka këmbëngulur për nevojën e bashkëpunimit me Kinën në çështje globale të tilla si lufta ndaj ndryshimeve të klimës dhe pandemia së koronavirusit, edhe pse paraardhësi i Presidentit Biden, Donald Trump e akuzonte Pekinin se e kishte filluar këtë pandemi.

Grupi humanitar Mjekët pa Kufij i bëri thirrje Presidentit Biden të mërkurën të bindte kancelaren Merkel të heqë dorë nga kundërshtimi i saj ndaj propozimeve për të pezulluar të drejtat e patentave për vaksinat. Kancelarja Merkel, ka argumentuar se heqja e patentave nuk do të ishte efektive dhe mund të dëmtojë përpjekjet e ardhshme të kërkimeve dhe zhvillimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *